Letra e Ruçit për emërimet në Gjykatën Kushtetuese/ Vjen përgjigjja nga Komisioni i Venecias
Komisioni i Venecias i përgjigjet Kuvendit pas rreth dy javësh. Kryetari i Kuvendit i dërgoi më 30 dhjetor një letër Komisionit të Venecias për një opinion në lidhje me çështjen e Gjykatës Kushtetuese dhe procedurat e emërimit të anëtarëve të saj si dhe rolin e Presidentit.
Por sot Thomas Markert, sekretar i Komisionit i ka dërguar një letër kreut të Kuvendit Gramoz Ruçi ku thotë se Komisioni i Venecias do të diskutojë për një opinon në sesionin e marsit.
Në letrën e firmosur nga Kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi për Presidentin e Komisionit të Venecias Gianni Buquicchio, parashtrohet gjithë ajo që ka ndodhur me Këshillin e Emërimeve në Drejtësi dhe përzgjedhjen e kandidaturave për plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese dhe më pas drejtohen 6 pyetje.
Kuvendi iu drejtua për opinion Komisionit të Venecias më 30 dhjetor. Në letër thuhet se më 5 dhjetor “Kuvendi ka zgjeruar objektin e hetimit” të komisionit hetimor për shkarkimin e Presidentit të Republikës dhe “afatin e veprimtarisë së tij, nisur nga një kërkesë e re e një grupi deputetësh për të shtuar në procesin hetimor dhe disa akte dhe veprime të tjera të Presidentit në lidhje me emërimin e gjyqtarëve kushtetues ndodhur në nëntor të këtij viti, për të cilat kërkuesit çmojnë se Presidenti ka kryer shkelje të detyrimeve kushtetuese dhe përbëjnë shkak për shkarkimin e tij”.
Mdërkohë që një delegacion nga Komisioni i Venecias pritet të mbërrijë në Tiranë në fillim të muajit shkurt.
PYETJET
Ndërsa komisioni hetimor vijon punën sipas objektit të hetimit, ka lindur nevoja të kërkohet mendimi i specializuar në lidhje me disa çështje mbi sa parashtrohet më sipër.
Konkretisht, Kuvendi i Shqipërisë do të vlerësonte shumë opinionin e Komisionit të Venecias, si për pyetjet sa më poshtë, ashtu edhe për çdo çështje tjetër që lidhet me rastin në shqyrtim:
1. Emërimi i një gjyqtari kushtetues tej afatit prekluziv 30 ditor dhe jashtë listës së kandidatëve të miratuar me vendim të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi a cenon parimin e Gjykatës së krijuar me ligj? Sa e pajtueshme është me konceptin e një “gjykate të caktuar me ligj”, siç parashikohet në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, zgjedhja e një gjyqtari në kundërshtim me procedurën kushtetuese dhe ligjore?
2. A ndikon situata e paraqitur në pyetjen e parë në legjitimitetin e vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese duke vënë në dyshim garancitë e shtetasve për një proces të rregullt ligjor? A bie ndesh kjo me opinionin e Komisionit të Venecias të datës, 14.03.2016, për mekanizmat zhbllokues në zgjedhjen dhe emërimin e anëtarëve të organeve kushtetuese?
3. A është në përputhje me standardet më të mira, zbatimi i mekanizmit zhbllokues pas mosveprimit të Presidentit për të emëruar brenda 30 ditëve gjyqtarin kushtetues, si rrjedhojë e të cilit konsiderohet i emëruar gjyqtari kushtetues?
4. A mundet Presidenti të mos organizojë ceremoninë e betimit të gjyqtarit kushtetues kur ai/ajo në kuptim të ligjit konsiderohen të emëruar? Në këtë rast, a konsiderohet e cenuar e drejta e një gjyqtari kushtetues të ushtrojë detyrën?
5. Në rast se Presidenti nuk organizon ceremoninë e betimit të gjyqtarit kushtetues, nisur nga solemniteti i betimit si akt, çfarë mekanizmi mund të përdoret për ta zhbllokuar një situatë të tillë? A është betimi me shkrim një formë për të plotësuar kushtin e betimit, për të filluar ushtrimin e detyrës, në situatën kur gjyqtari është emëruar në detyrë për efekt të ligjit?
6. Cilat mund të ishin zgjidhjet sipas standardeve më të mira ndërkombëtare për të shmangur rastet kur organi i ngarkuar me kryerjen e betimit refuzon të thërrasë për betim zyrtarin?