Lëvizja për Universitetin peticion Ministrisë së Arsimit: Mundësoni falas internetin për studentët
Lëvizja Për Universitetin i ka nisur një peticion Ministrisë së Arsimit për të mundësuar internetin falas për studentët.
“Prej muajsh eksperimenti i mësimit online rezulton të jetë i dështuar. Sipas pyetësorëve të realizuar nga Lëvizja Për Universitetin, një pjese të konsiderueshme të studentëve u mungojnë mjetet e nevojshme teknologjike dhe e kanë të pamundur përballimin e tarifave të larta të internetit.Për aq kohë sa qeveria dhe ministria përkatëse kanë vendosur të mbyllin auditorët, u lind detyrimi t’i pajisin të gjithë studentët me bazën e nevojshme materiale për të ndjekur leksionet. Krahas haraçit absurd që duhet paguar çdo vit, barra ekonomike e internetit dhe pajisjeve teknologjike është pengesë e pakapërcyeshme për shumësinë studentore.Ne, studentët e universiteteve publike të Shqipërisë, kërkojmë pajisjen e menjëhershme të të gjithë studentëve me aparaturat teknologjike dhe sigurimin e paketave të internetit të mjaftueshme për ndjekjen e mësimit online. Diskriminimit ekonomik i duhet dhënë fund një orë e më parë.UNIVERSITET PA TARIFA, JO TARIFA PA UNIVERSITET!” thuhet në peticionin drejtuar MAS.
Peticioni vjen fill pasi kjo lëvizje ka mbyllur një anketë online në lidhje me mësimin online dhe problematikat e tij dhe nga përgjigjet ka rezultuar që një pjesë e konsiderueshme e studentëve kanë probleme me aksesin në internet dhe detyrohen të blejnë vazhdimisht paketa interneti të kushtueshme.
Në kuadër të këtyre përgjigjeve dhe situatës problematike të mësimit online është nisur edhe një peticion për të mundësuar internetin falas për studentët.
REZULTATET E PYETËSORIT ONLINE
Ky pyetësor u plotësua nga 289 studentë.Marrja e vendimit për zhvillimin e mësimit online, vetëm 3 ditë përpara fillimit të vitit akademik, tregoi se studentët ishin të papërgatitur. Rreth 78% e tyre shprehen se e kanë pritur shumë keq këtë vendim dhe se nuk binin dakord.
Ashtu si edhe një vit më parë, problemi i mësimit online qëndron në aksesin e ulët në internet të studentëve. Edhe pse shumica e tyre kanë internet Ëi-fi në shtëpi, pjesa tjetër (rreth 32%) detyrohen të bëjnë oferta në telefon me çmime shumë të larta.
Përpara këtyre vështirësive, mësimi online vazhdon si në kushte normale madje, 59% e studentëve tregojnë se pedagogët marrin mungesat, duke mos marrë parasysh pamundësinë e disa studentëve për të ndjekur mësimin online.
Ne si aktivistë kemi theksuar se problemi kryesor i kësaj meseleje është ekonomik. Situata ekonomike e familjeve shqiptare është tejet e rënduar dhe kjo dallohet qartë edhe tek rezulatatet e pyetësorit. Rreth 40% e studentëve shprehen se karantina e ka përkeqësuar gjendjen ekonomike.
Disa rezultate të tjera nga pyetësori që janë domethënëse:
Rreth 32% e studentëve ishin të paqartë me mënyrën se si do të zhvillohej mësimi online.
Rreth 71% e studentëve nuk janë dakord me mësimin online.
Rreth 52% e studentëve shprehen se nuk kanë pasur lidhje interneti në shtëpi para mësimit online dhe 38% e tyre shprehen se cilësia e internetit që kanë është e keqe.
Rreth 53% e studentëve tregojnë se mësimi online po shkon keq.
Këto shifra nuk duhet të na pezmatojnë dhe demotivojnë. Përkundrazi, duhet të na i shtojnë revoltën për të kërkuar arsimim për të gjithë. Arsimi nuk duhet të jetë më privilegj, ndaj ne zotohemi se deri në fund do të kërkojmë: “ARSIM PUBLIK FALAS”