“Lezha i ka dhënë strehë, në jetë dhe vdekje Gjergj Kastriotit, dhe di t’i tregojë vendin Hamza Kastriotit”
PD, Lindita Metaliaj: Një kryetar qeverie që nuk ndal dot shpopullimin e vendit të tij, por e nxit, nuk ka të drejtë ta popullojë me refugjatë të huaj
DEKLARATË E DEPUTETES SË PD, LINDITA METALIAJ
Marrëveshjen e kryeministrit Rama me qeverinë italiane po e kundërshton i madh e i vogël: në Itali dhe në Bashkimin Europian. Mediat italiane e konsiderojnë një ‘Gunatanamo’ kurse ato angleze e quajnë një marrëveshje në stilin e Ruandës.
Gjykata e Starsburgut e ka hedhur poshtë një marrëveshje të ngjashme duke e konsideruar si shkelje të të drejtave të njeriut.
Pse atëherë e bën këtë akt anti-humanitar, anti-shqiptar dhe anti-europian, Edi Rama?
Sepse i është mbushur mendja se është vetë zot dhe vetë shkop. I është mbushur mendja se është lider rajonal dhe global që merr vendime të mëdha për botën.
Edi Rama mund të ketë shumë mendje, por ne kemi vetëm një Lezhë dhe vetëm një Shqipëri.
Unë jam sot këtu në emër të qytetarëve lezhjanë, të Shëngjinit dhe Gjadrit e mbarë qarkut, për t’i thënë Edi Ramës: ndale këtë marrëveshje anti-shqiptare, anti-veriore, anti-njerëzore!
Një kryetar qeverie që nuk ndal dot shpopullimin e vendit të tij, por e nxit atë, nuk ka të drejtë ta popullojë me refugjatë, me të huaj. Nuk ka të drejtë ta bëjë, sidomos pa konsultën e atyre që shqiptarët e ikur kanë lënë pas.
Një marrëveshje e bërë në fshehtësi, me hile, pas shpine, duhet hedhur në det. Shqiptari ua hap derën të huajve, sipas parimit ‘shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut’, por jo kështu. Edi Rama nuk mund të hapë dyert tona pa lejen tonë.
Shqiptari nuk ia ka borxh Edi Ramës që ta kthejë në ksenofob, në dikë që nuk i do të huajt. Me këtë që ka bërë, ai nuk i ka lënë shqiptarit rrugë tjetër veç shtigjeve të urrejtjes.
I ftoj qytetarët e Lezhës që të mos paragjykojnë refugjatët, të hedhur rrugëve të botës nga keqqeverisja dhe lufta në vendet e tyre, por të shënjestrojnë kryeqeveritarin që e mbulon keqqeverisjen e tij me ‘humanitarizëm fashist’. Që hap dyert e Shqipërisë për të ikur bashkatdhetarët dhe ardhur të pa-atdhe.
Lezha i ka dhënë strehë, në jetë dhe vdekje Gjergj Kastriotit, dhe di t’i tregojë vendin Hamza Kastriotit.