Lezhë, ministrja Koçiu: Shërbimet sociale dhe shëndetësore ofrohen edhe në banesa
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu u ndal në qendrën komunitare multifunksionale në Lezhë, ku ofrohen shërbime të integruara shumëdisiplinare për fëmijët dhe familjet në nevojë. Ministrja e cilësoi qendrën si modelin e shkëlqyer të ofrimit të shërbimeve të specializuara për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe prindërit e tyre.
“Secili ka instinktin e vet të prindërimit, por këtu ju merrni edhe disa metoda bashkëkohore duke e bërë edhe më të lehtë e më të realizueshme sfidën e jetesës”, iu drejtuar Koçiu prindërve të pranishëm në qendër.
Përmes njësisë lëvizëse, shërbimet sociale dhe shëndetësore integrohen dhe ofrohen edhe në banesa, duke mbështetur 60 familje në nevojë dhe 55 fëmijë me aftësi të kufizuara. Ekipi i profesionistëve, përfshirë logopedistë, fizioterapistë, psikologë dhe punonjës socialë, është i përkushtuar për të përmirësuar cilësinë e jetës së këtyre familjeve.