Libri i Marsid dhe Nikolin Gurakuqit/I biri profet, babai ndjekës

Libri i Marsid dhe Nikolin Gurakuqit, “Skenaristi i qiellit të uzurpuar”

Nga Rita Petro /Ky është një libër i veçantë poetik, jo se përmban dy emra autorësh, poezitë e të cilëve janë vendosur në dy kapituj. Është i veçantë dhe të josh për analiza jo vetëm letrare por edhe psikoanalitike.

Duket se mendimin poetik të filluar nga i biri e vazhdon babai. Është e habitshme kjo se sa ka sinkroni të mrekullueshme metaforash që krijojnë tablonë mbi meditimin e jetës dhe të vdekjes nga i riu me mençurinë e intuitës dhe nga njeriu i sprovuar me jetën me dhimbjet e gëzimet e saj, me rrëzimet dhe ecjen në majë. Duket sikur libri është shkruar nga një dorë. Ka një bashkim të përsosur gati gati organik, ku damarët e prerë të jetës në pjesën e parë të librit puqen në mënyrë perfekte me damarët e jetës që vazhdon… dhe gjaku rrjedh natyrshëm për të krijuar fjalët për poezinë dhe tingujt për sinfoninë e jetës.

Përkimet në metafora e krahasime si dhe në mënyrën e këndvështrimit të botës i gjejmë tek të dy autorët.

Vetëdija e djalit të ri se i përket kësaj bote dhe ka fare pak kohë, është e ngjashme me vetëdijen migjeniane. Ai përballet me shumë guxim me një të vërtetë që ka fytyrën e demonit, se engjëjt ekzistojnë vetëm në pikturat murale me tematikë fetare apo në përralla e legjenda. Por ka diçka që të befason në epitetin e tij…. ndihem i lagësht,… mbase vetëdija për ciklin e metamorfozës, të shndërrimit në një dukuri tjetër jetësore, për ta vazhduar jetën si ujë.. shi, që do të rrjedhë nga retë poshtë në formën e mallit, figurë këtë që e gjejmë dhe në poezinë e Nikolinit dhe ka lidhje me pritshmërinë.

Të dy autorët, si filozofi të jetës ndonëse synojnë majën ata venë gishtin në një dilemë njerëzore: Si do arrish në majë?  Duke u zvarritur, apo në këmbë si Sizifi, ndonëse me rrokullisje e me ngjitje të vështirë. Dhe në poezinë e Marsidit mesazhi jepet në vargun e fundit si këshillë: “FILLO TË NOTOSH… “

Ndërsa NIKOLINI në vetën e parë: “GJEJ RRUGËN, GJEJ DRYSHIMIN E NUK NDAL”.  Është e habitshme kjo marrëdhënie ku babai ndjek këshillën e birit profet.

Filozofia e të kundërtave

nikolin-gurakuqi2Në të dy autorët e veçanërisht tek Marsidi, për shkak të moshës së re gjejmë dy ekstreme në trajtimin e kategorive morale dhe estetike:

E mira dhe e keqja

E bardha dhe e zeza

Lumturia nuk ekziston

Luftojmë për të mos luftuar…

Luajmë me instiktin e nënshtrimit

Te Nikolioni i gjejmë në trajta më të zbutura këto kundërshti, kjo vjen për shkak të përvojës së tij jetësore kur njeriut i zbuten ekstremet dhe ku koha ecën më ngadalë.

Simboli i hijeve

Cilat janë këto hije që ndjekin nga pas babë e bir… Hije malli, hije fëmijërie, hije demonësh, hije vrastare, hije të njerëzve eshtakë, që zvarriten si kufoma dhe të presin rrugën drejt lumturisë etj etj.  Pra hijet krijohen gjatë jetës së njeriut dhe e ndjekin derisa vdes.  Por mbi të gjitha hijet, për Nikolinin njëra është hija e tij e dashur pa të cilën jeta e tij nuk do kishte kuptim.

Në këtë libër nuk kemi sentimentalizma apo qarje për çka humbim në jetë, as te Marsidi për asfiksinë që po i merr jetën e re dhe as te Nikolini që vuan humbjen e djalit. Në këtë libër ka dhimbje të thekshme njerëzore, por kjo dhimbje këlthet pa zë, pa zhurmë, del së brendshmi, prandaj është e bukur dhe nuk e teproj po të them dhe dhimbje madhështore njerëzore.

Është një poezi e mrekullueshme “Ndwrgjegja patetike” e Marsidit, ku ai shfaq thelbin e tij human por dhe artistik, është kaq e bukur dhe e dhimbshme në mençurinë, por dhe në naivitetin e besimit. Në këtë rast ka një raport të kundërt të trashëgimisë…. trashëgimia natyrore (ku fëmija bëhet vazhdues i gjakut të familjes) zëvendësohet me trashëgiminë shpitërore e kulturore(ku babai bartës i asaj çka ka lënë i biri)

Këtë e tregon më së miri poezia e fundit”

JETA DHE KURBANI IM

Unë kurrë nuk do të braktis ti e di

Mes gjelbërimesh me poezi dhe me këngë në gojë….

Dhe së fundi do ta mbyllja me këtë përcaktim: Një libër ku vulos BIRI- PROFET dhe babai bëhet NDJEKËS I TIJ.

*Analiza e botueses dhe poetes së shquar në promovimin e librit “Skenaristi i qiellit të uzurpuar”.

SHKARKO APP