Lidhja e fotovoltaikëve me rrjetin – Nis përcaktimi i tarifave, propozimi i OSHEE: 10 000-28 000 lekë
Enti Rregullator i Energjisë ka nisur procedurat për përcaktimin e tarifave që do të aplikojë Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike për lidhjet e impianteve fotovoltaikë në rrjetin e shpërndarjes nga ana e konsumatorëve familjarë dhe bizneseve.
Përcaktimi i këtyre tarifave është domosdoshmëri pas udhëzimit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, që i hap rrugën vetë prodhimit të energjisë nga dielli, duke siguruar në këtë mënyrë pavarësi energjetike.
OSHEE ka paraqitur pranë Entit dhe propozime konkrete në këtë drejtim, duke kërkuar aplikimin e tarifës së studimit dhe vlerësimit të miratimit të projektit si dhe tarifën e shërbimeve për realizimin e lidhjes së re dhe matjes.
Kështu, për impiantet që do të instalohen në tensionin e ulët 0.4 kv, kostot totale e lidhjes me rrjeti shkon në 10 288 lekë, ndërkohë që tensionin e mesëm 6, 10, 20 dhe 35 kv, kosto totale shkon në 28 288 lekë .
Në vendimin e fillimit të procedurës, Enti Rregullator i Energjisë ka adresuar një sërë pikëpytejesh mbi përllogaritjen e këtyre tarfiave, të cilat do të duhet të argumentohen në vijim nga ana e OSHEE-së.
Sipas procedurës së lehtësuar, një shoqëri e vogël ose e mesme, apo një klient familjar mund të instalojë një kapacitet total më të vogël se 500 kv për vetëprodhimin e energjisë elektrike nga dielli, ndërkohë që impianti duhet të vendoset në objektin e konsumatorit.
Për këto impiante do të lejohet lidhja me rrjetin e shpërndarjes, ndërkohë që çdo muaj do të bëhet bilanci midis energjisë së prodhuar dha asaj të shpenzuar, ndërsa teprica e energjisë, më e madhe se konsumi mujor do t’i “shitet” furnizuesit të shërbimit universal, që është Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, me një çmim që duhet të vendoset nga Enti Rregullator i Energjisë.
SCAN