Ligj i ri për Presidentin
Përplasjet e Ilir Metës kur ishte president me shumicën socialiste i detyroi ata të artikulonin për herë të parë “disiplinimin” e Metës përmes një ligji organik për institucionin e Presidencës. Ilir Meta ia la vendin Bajram Begajt, i propozuar dhe i zgjedhur nga socialistët. Në të tilla kushte kur Bajram Begaj u zgjodh për të qenë një president normal e ndryshe nga Ilir Meta, nevoja për një ligj të tillë duhet të arkivohej.
Por socialistët kanë një qasje tjetër. “Ligji për institucionin e presidentit është një domosdoshmëri. Në shtator duhet t’i rikthehemi. Kompetencat janë në kushtetutë për presidentin e Republikës. Ajo që duhet dhe la një domosdoshmëri sot është një ligj për institucionin e presidentit është për mënyrën e funksionimit të institucionit”, tha Balla.
Ky deklarim i Taulant Ballës të hënën nga jashtë sallës së kuvendit të Shqipërisë, ka aktivizuar sirenat e alarmit brenda presidencës, në kufijtë e asaj që mund të jetë përplasja e parë mes presidentit Bajram Begaj me shumicën e Edi Ramës.
Top Channel ka mësuar se Zv.Kryeministrja Belinda Balluku ka zhvilluar këtë të martë një takim me Presidentin Bajram Begaj. Numri dy i qeverisë shqiptare është parë të hyjë në Presidencë rreth orës 13:15 dhe ka dale prej aty pas rreth 45 minutash. Burime konfidenciale kanë bërë me dije se janë diskutuar çështje të rëndësishme të lidhura me dy institucionet. Projekt-ligji për institucionin e presidencës, mendohet të jetë një nga çështjet e nxehta mes palëve, duke marr shkas dhe nga informacionet e siguruara nga burimet parlamentare. /Top Channel/