Ligji i ri për armët, ja kush ka të drejtë të pajiset dhe kush jo. Rilindja në kërkim të 225 mijë armëve
Hapja e depove në mars të vitin 1997, shënoi shpërthimin më të madh, ku shqiptarët bastisën magazinat e armatimit, dhe vendi gati ra në prag të një konflikti civil sa kundër shtetit dhe njëri-tjetrit. Gjatë 23 viteve të fundit, janë bërë tre amnisti, por pjesa më e madhe e armëve dhe municioneve të marra nga qytetarët nuk janë dorëzuar. Amnistia e fundit për armët ishte në vitin 2017, ku u mblodhën vetëm 1604 armë zjarri, një shifër realisht shumë e vogël. Në duart e shqiptarëve janë afro 225 mijë armë. Pas një viti diskutime, qeveria pritet të miratojë në Kuvend një amnisti të katër për armëmbajtjen pa leje, kjo për të nxitur shqiptarët që të dorëzojnë vullnetarisht armët dhe municionet, pa i ngarkuar me përgjegjësi penale.
Nga ana tjetër, të gjithë ata persona mbi 70-vjeç dhe nën 25-vjeç do të ndalohen me ligj të përdorin armët e zjarrit. Kështu parashikon projektligji i ri që ka nisur të shqyrtohet nga komisionet parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë, në kuadër të ndryshimit të ligjit për armët, ndryshimet e fundit të të cilit janë kryer në vitin 2014.
Ndryshimet parashikojnë forcimin e kontrollit mbi armët, kritere më të forta për t’u pajisur me armë me leje, gjurmimin dhe regjistrimin e armëve, me qëllim rritjen e sigurisë publike dhe zbatimin e detyrimeve që rrjedhin nga konventat ndërkombëtare. Nuk mund të aplikojnë për t’u pajisur me armë për çfarëdolloj arsye personat për të cilët gjykata ka caktuar një masë sigurie si dhe ata që janë dënuar me vendim jopërfundimtar për kryerjen e krimeve të ndryshme.
Në ligjin në fuqi ishte kriter ndalues vetëm dënimi i formës së prerë. Tashmë përfshihet në kriteret ndaluese edhe dënimi nga shkalla e parë dhe kur Apeli nuk është shprehur ende. Nuk mund të pajisen me asnjë nga autorizimet për të mbajtur armë personat e evidentuar nga policia për ushtrim dhune në familje, për kundërshtim me ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit apo nëpunësve publik, për çështje të hakmarrjes si dhe për sjellje që cenojnë rendin dhe sigurinë në komunitet. Nuk mund të pajisen me autorizim për të mbajtur armë personat me me aftësi të kufizuara dhe ata që janë evidentuar si përdorues droge.
Projektligji parashikon 19 lloje armësh, të cilat nuk mund t’i mbajnë vetëm punonjësit e shtetit, që nga armët automatike, pistoletat me silensiator, armë për përdorim të agjentëve kimikë, armë paralizuese elektrike, armë e drejtuar me energji, armë zjarri automatike të modifikuara, armë zjarri e shkurtër që shkrep më shumë se 21 fishekë pa rimbushje etj.