Ligji i ri/ Rama detyron ndërtuesit të kalojnë 3% të fondeve për familjet në nevojë
Kryeministri Edi Rama tregoi pak minuta më parë se cili do të jetë detyrimi i ndërtuesve për t’iu ardhur në ndihmë familjeve të prekura nga tërmeti me ligjin e ri.
Gjatë mbledhjes së dytë të Komitetit Kombëtar të Rindërtimit, Rama u shpreh se të gjithë ndërtuesit do të duhet të japin 3% të ndërtimeve apo të fondeve të tyre për qytetarët e pastrehë. Sipas tij, është në dëshirën e ndërtuesve ta japin këtë kontribut në formë monetare ose materiale.
“3% çdo ndërtuyes do ta kalojë për nevoja sociale, ose në fond, ose duke garantuar apartamente sipas kritereve për familjet në nevojë. Në Tiranë janë 15 mijë metra katrorë që ndërtuesit iu detyrohen familjeve. Nëse duan të japin lekët jemi shumë ok.
Por ne nuk mund të presim që të mbarojnë ndërtimet e tyre për të marrë 3% e tyre. Iu kërkon që 3% të sipërfaqes që iu takon për bizneset e tyre ta vënë në dispozicion për nevojat sociale”, u shpreh Edi Rama.
Ai dërgoi një mesazh edhe për të gjithë ata që sipas tij, po përpiqen të përfitojnë nga emergjencat civile për të fituar një banesë të re, pavarësisht se nuk kanë patur dëmtime.
“Duhet edhe riparimi i shpejtë i banesave sepse kemi njerëz që janë në hotele sepse shtëpia e tyre ka nevojë për riparime. Ne bëjmë gati të gjitha procedurat për të bërë ndërhyrjet e mëdha. Le të fillojë kjo gjë dhe të sistemohen njerëz nëpër banesa.
Duhet bërë një kujdes shumë i madh për inventarin sepse ka shenja spekulantësh dhe mashtruesish. Ka nga ata që po i bien me vare shtëpisë me idenë se do t’u bëjmë shtëpi të re”, deklaroi kryeministri Edi Rama.