Ligji për koncesionet, Denaj: Hiqet propozimi dhe bonusi për propozimet e pakërkuara
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, paraqiti sot në seancë plenare ndryshimet në projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar. “Synimi i projekt aktit është të përmirësojë kuadrin ligjor, mënyrën e zbatimit të procedurave për dhënien e koncesioneve PPP, të rrisë kontrollin mbi angazhimet fiskale të marra përsipër nga Autoritetet Kontraktore nëpërmjet kontratave të koncesionit PPP”, u shpreh ministrja. Denaj tha se “në hartimin e këtij projektakti janë marrë në konsideratë edhe rekomandimet e institucioneve ndërkombëtare si FMN, Banka Botërore, SIGMA-OECD. Risitë kryesore të këtij projekt akti janë së pari heqja e Propozimeve të Pakërkuara në një sërë sektorësh. Kemi propozuar kufizimin e të drejtës së identifikimit dhe zhvillimit të propozimeve të pakërkuara nga sektori privat, vetëm për realizimin e punimeve dhe/ose ofrimin e shërbimeve në porte, aeroporte, për prodhimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike, energjisë për ngrohje dhe shpërndarjen e gazit natyror”.
“Pas hyrjes në fuqi të këtij projektligji, sektori privat nuk do të mund të propozojë projekte koncesioni PPP, në formën e propozimit të pakërkuar për ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e rrugëve nacionale me rëndësi të veçantë. Së dyti një parashikim shumë i rëndësishme është heqja e bonusit për propozimet e pakërkuara. Me qëllim rritjen e transparencës dhe trajtimit të barabartë për të gjithë operatorët në procedurën konkurruese është hequr mekanizmi i shpërblimit me pikë bonus, për propozime të pakërkuara”, u shpreh Denaj. Ministrja vijoi se, “për të ruajtur interesin e sektorit privat me propozim projektesh është zëvendësuar sistemi me pikë bonus me sistemin e kompensimit në vlerë monetare. Kjo pritet të ndodhë në rastet kur propozuesi i pakërkuar nuk shpallet fitues. Vlera e kompensimit nuk mund të jetë më e lartë se 1% e vlerës së investimit. Mekanizmi i propozuar i kompensimit nuk cenon konkurrencën dhe nuk avantazhon propozuesin e pakërkuar. Së treti forcimin e rolit të Ministrisë përgjegjëse për Financat dhe Ekonominë”.
“Qëllim i këtij projekt akti është përcaktimi i qartë i rolit dhe përgjegjësive të ministrisë përgjegjëse për financat në lidhje me vlerësimin, miratimin e të gjithë projekteve dhe ecurinë e kontratave të koncesionit/PPP. Menaxhimi i riskut fiskal kërkon një vlerësim periodik të performancës së tyre dhe marrjen e masave të nevojshme për minimizimin e kostove fiskale. Ministria përgjegjëse për financat duhet të jetë e informuar në lidhje me të gjitha rrisqet që lidhen me kontratat koncensionare/PPP si ato me bazë ekonomike dhe ato juridike me synim për të analizuar dhe minimizuar këto rrisqe fiskale dhe buxhetore në të ardhmen”, tha ministrja.
Denaj tha se, “një parashikim tjetër shumë i rëndësishëm është paraqitja e kontratës për vlerësim përpara nënshkrimit të kontratës pranë ministrisë përgjegjëse për financat. Gjithashtu, për të shmangur çdo dyshim dhe çdo kosto shtesë, si rrjedhojë e vënies në zbatim të këtyre projekteve të koncesionit/PPP, është e domosdoshme që çdo ndryshim si gjatë fazës së përgatitjes së projekteve dhe çdo ndryshim pas duhet të vijë për opinion dhe për vlerësim pranë ministrisë përgjegjëse për financat”. “Me qëllim rritjen e cilësisë së studimeve të fizibilitetit mbi projektet e koncesionit/PPP, është parashikuar në nenin 6 të këtij projektligji krijimi i Komiteti i Përzgjedhjes së Projekteve të Koncesionit/PPP. Ky Komitet do të jetë një organ kolegjial me objekt kryesor të veprimtarisë përzgjedhjen e projekteve të Koncesionit/PPP të cilët do të asistohen me ekspertizë të specializuar për hartimin e studimeve të fizibilitetit dhe/ose oponencën e tyre”, përfundoi ministrja Denaj.
KOHA JONË SONDAZH

