Ligji për Magjistrantët, Basha: S’ka dialog me Ramën
Në një bashkëbisedim me gazetarët, kreu i PD-së Lulzim Basha, është treguar i prerë pyetjes së gazetarëve nëse për të vijuar Reformën në Drejtësi dhe për të votuar ligjin për Magjistrantët, opozita do të ulet me maxhorancën. Nga ana tjetër, Basha tha se PD-ja është e unifikuar me propozimet e LSI-së për këtë ligj.
Basha ka hedhur poshtë në mënyrë kategorike propozimin e bërë nga Taulant Balla, që PD dhe LSI të shkruajnë vetë amendamentin për Shkollën e Magjistraturës, për të bërë të mundur më pas kalimin me shumicë votash në Kuvend.
Sipas kreut të PD-së, amendamenti për Magjistraturën i jep kompetenca institucioneve të vjetra të drejtësisë, duke anashkaluar institucionet e reja që parashikohen të ngrihen pas kalimit të reformës së 22 korrikut.
”Propozimi i tyre konsiston në zhbërjen e reformës në drejtësi dhe shkeljen e kushtetutës. Vetë propozimi është anti-kushtetues. Po flasim për një amendament që i jep kompetenca KLD dhe Prokurorit të Përgjithshëm, institucioneve të vjetra, që të bëjnë emërimet në drejtësi”, tha Basha.
Lulzim Basha denoncoi bordin e Shkollës së Magjistraturës, se është politik dhe i dominuar nga nomenklatura e PS-së. ”Bordi i Shkollës së Magjistraturës është më politik se bordi i fondacionit “Qemal Stafa”. Nëse ti ke në Shkollën e Magjistraturës të gjithë nomenklaturën e PS, që do të bëjnë përzgjedhjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve, atëherë mendoj se përgjigja është e kuptueshme. Nuk funksionin kjo dhe nuk ka për të funksionuar”, theksoi kryedemokrati.
KOHA JONË SONDAZH

