Ligji për shëndetin e bimëve, MBZHR: Rrisim mbrojtjen e prodhimit bujqësor dhe biodiversitetin
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bëri të ditur se ligji i ri “Për shëndetin e bimëve”, synon forcimin e sistemit të mbrojtjes fitosanitare në Shqipëri dhe përafrimin e mëtejshëm të legjislacionit kombëtar me standardet e Bashkimit Evropian. MBZHR thekson se ligji vendos një kuadër të ri modern për mbrojtjen e shëndetit të bimëve, duke përcaktuar rregullat për identifikimin, vlerësimin dhe menaxhimin e risqeve fitosanitare që vijnë nga dëmtuesit e bimëve dhe produkteve bimore.
Ky kuadër ligjor parashikon masa konkrete për parandalimin e hyrjes dhe përhapjes së dëmtuesve në territorin e Republikës së Shqipërisë, reduktimin e risqeve fitosanitare në nivele të pranueshme, si dhe mbrojtjen e prodhimit bujqësor, biodiversitetit dhe mjedisit. Po ashtu, ligji synon të garantojë shëndetin e bimëve dhe produkteve bimore në përputhje me standardet bashkëkohore, duke krijuar kushte më të sigurta për zhvillimin e sektorit bujqësor dhe tregtimin e produkteve.
Një element i rëndësishëm i këtij akti është se ai zbatohet edhe për bimë joparazitare që mund të paraqesin rrezik fitosanitar me ndikim të konsiderueshëm ekonomik, social dhe mjedisor, duke zgjeruar fushën e mbrojtjes dhe monitorimit. Sipas Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, miratimi i ligjit përbën një hap të rëndësishëm drejt harmonizimit të plotë me standardet e Bashkimit Evropian për mbrojtjen e shëndetit të bimëve, duke kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë shqiptare, rritjen e sigurisë ushqimore dhe forcimin e kapaciteteve për menaxhimin e rreziqeve fitosanitare në vend.
KOHA JONË SONDAZH

