Ligji për taksat/ Vasili: Rama shkeli premtimin, ligji favorizon oligarkët
Kryetari i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, i ftuar në studion e televizionit “Fax News”, ka folur për rrëzimin e dekretit të Presidentit nga Maxhoranca gjatë ditës së djeshme, lidhur me tatimin e dividentit.
Sipas Vasilit, futja e dekretit në rend të ditës është bërë në shkelje të plotë të procedurës parlamentare, duke bërë që me votën e maxhorancës të rrëzohet Parlamenti e jo dekreti. Vasili u shpreh se për këtë do të mbajnë përgjegjësi ata që shkelën procedurën.
“Asgjë nuk mund të futet në seancën parlamentare, pa kaluar të paktën 48 orë, por kjo procedurë u dhunua si asnjëherë më parë. Duhen 48 orë, për shkak se i lihet kohë komisioneve përkatëse për të shqyrtuar dekretin, por kjo u dhunua në mënyrë të pashembullt, gjë që e bën vendimin e Kuvendit nul”, tha Vasili ndërsa shtoi se “do të përballen me ligjin ata që shkelën procedurën, përkundër asaj që parashikohet. Kjo tregon se në realitet nuk u rrëzua dekreti i Presidentit, por u rrëzua Parlamenti”.
Kreu i grupit të LSI-së tha se: “Dekreti i rrëzuar vërtetonte qartësisht, se ligji është antikushtetues, pasi jep efekt prapaveprues. Kushtetuta e thotë se çdo ligj që hyn në fuqi ka efekt nga ai moment e në vijim, por ky ligj nuk është ti tillë. Ka efekte prapavepruese”.
Në përmbledhje ai u shpreh se nga rrëzimi i këtij dekreti dolën në pah 3 elemente:
1. Rrëzimi banditesk në Parlament, që është një vepër e mirëfilltë penale.
2. Kanë miratuar një ligj antikushtetues, gjë që e vërteton dekreti i Presidentit.
3. Çdo gjë që ka thënë Rama se ai që fiton më shumë paguan më shumë, sot është shkelur me anë të këtij ligji.
Në vijim Vasili teksa solli në vëmendje gjendjen e mjerueshme në të cilat ndodhen konviktet e studentëve, tha se qeveria me këtë ligj po u jep para oligarkëve, ndërsa studentëve u merr.
KOHA JONË SONDAZH

