Lihet në burg babai i Danielit që vrau dy kushërinjtë, Rrok Pepaj: Nuk di nëse është gjallë apo ka vdekur

Rrok Pepaj, babai i Daniel Pepajt që është shpallur në kërkim për vrasjen e dy kushërinjve Vilson Çutaj dhe Klement Pepaj është lënë në burg. Vendimi është marrë gjatë seancës së sotme në Gjykatën e Apelit në Shkodër, e cila ka dhënë masën “arrest me burg”, për të moshuarin, i cili akuzohet për kultivim kanabisi.

Ai dyshohet se kishte dijeni për parcelat me drogë të mbjella fshatin Vrith nga i biri, vend ku u gjetën dhe trupat e dy të rinjve të vdekur. Vetë i moshuari ka mohuar gjithçka. Në sallën e gjyqit mësohet se Rrok Pepaj ka mohuar faktin se ka pasur dijeni lidhur me kultivimin e lëndës narkotike, ndërsa shton se nuk ka dijeni as për të birin, i cili është ende në kërkim.

“Unë nuk kam asnjë lidhje me kultivimin e kanabisit. Nuk kam patur asnjë dijeni për parcelën dhe nuk e di nëse është e djalit tim apo jo sepse nuk më ka thënë asgjë. Unë nuk e di as sot se ku e kam djalin tim dhe për më tepër nuk e di nëse është i gjallë apo i vdekur. Nuk kam patur asnjë informacion as gjatë atyre ditëve dhe as tani më mbrapa. Unë nuk kam komunikuar me djalin tim as ditën kur ka ndodhur ngjarja dhe as më pas, dhe nuk kam asnjë informacion për të nëse është i gjallë apo i vdekur. Kam dalë bashkë me policinë për të kërkuar për viktimat sepse flitej se mund të ishin vrarë. Parcelën e drogës dhe viktimat afër saj i ka gjetur policia, dhe më pas policia më kanë thënë se parcela është e jotja dhe se jam bashkëpunëtor në kultivimin e kanabisit, por në fakt unë nuk kam asnjë lidhje me kanabisin. Kam kërkuar bashkë me policinë por pa e ditur se ku mund të ishin trupat ose parcela, thjeshtë kam dalë për të kërkuar bashkë me policinë për të parë se çfarë mund të kishte ndodhur”,- ka deklaruar Rrok Pepaj përpara Gjykatës së Apelit.

SHKARKO APP