Lirimi i masave shkakton 4 ngjarje të rënda. Vrasje dhe plagosje në 24 orë

Pas më shumë se 6 javësh, qeveria lehtësoi disi masat e mara në kuadër të luftës ndaj pandemisë së Covid-19. Më shumë biznese të hapura dhe më shumë liri për lëvizje, risolli në vend vrasjet, plagosjet dhe zjarrëvëniet. Katër ngjarje të rënda kanë ndodhur në 12 orët e fundit në Korçë, Elbasan e Laç, ku një person humbi jetën dhe dy të tjerë u plagosën.

Në Korçë, një 67-vjeçar me inicialet P.T u vra mbrëmjen e 23 prillit me thikë pranë shtëpisë së tij. Policia ka arrestuar fqinjin e viktimës, i dyshuar si autor i vrasjes, i cili ka problem të shëndetit mendor.

Në Elbasan, në lagjen ‘5 Maji’, makinës së një punonjësi të policisë kriminale i është vënë zjarri. Ende nuk ka asnjë të dyshuar, por policia dyshon se zjarrëvenia është e qëllimshme dhe ka lidhje me detyrën.

Një 19-vjeçar në Laç është vetë-plagosur me armëzjarri. I riu është transportuar në spitalin e Traumës në Tiranë dhe është në gjendje të rëndë shëndetësore. Policia po heton dhe pista të tjera për të zbardhur ngjarjen.

Në Tropojë, në fshatin Cërrnicë, një 36-vjeç u plagos me thikë dhe ndodhet në gjendje të rëndë. Policia arrestoi autorin e dyshuar dhe tre të tjerë, të cilët akuzohen për moskallëzim krimi.

SHKARKO APP