Lirimi i ”të fortëve”. Drejtësia alarmon Prokurorinë, SPAK-un, ONM-në, KPK-në dhe KLGJ-në

Vendimet e fundit gjyqësore për lirimin nga burgu të disa personave të dënuar, kanë alarmuar jo vetëm opinionin publik por edhe disa nga institucionet kryesore në vend. Pas zbardhjes së disa prej vendimeve, mësohet se Ministria e Drejtësisë ka kërkuar reagimin e Prokurorisë së Përgjithshme, SPAK (Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar), si dhe Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Nga burimet e sigurta pranë MD-së, bëhet me dije se ministrja Etilda Gjonaj ka ndërmarrë veprime konkrete për çështjen e Indrit Dokles, ish anëtarin e bandës së Durrësit i cili ishte i dënuar më parë me burgim të përjetshëm dhe përfitoi lirinë nga Gjykata e Krujës. Mësohet se Gjonaj ka dërguar shkresë në Prokurorinë e Përgjithshme, SPAK, Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor, për gjyqtaren Gjykatës së Krujës Enkelejda Hoxha, e cila dha vendimin “lirim me kusht” për të dënuarin. Burimet thonë se në bazë të të dhënave është konkluduar se ky ka qenë një vendim arbitrar, i sinjalizuar nga Ministria e Drejtësisë muaj më parë, ku institucionet përgjegjëse kanë refuzuar të marrin masa duke shkaktuar këto pasoja.

Referuar po të njëjtit burim, mësohet se sa i përket gjyqtares Hoxha, titullarja e Ministrisë së Drejtësisë ka paralajmëruar dhe sinjalizuar këtë vendim edhe në muajin dhjetor 2019, ku përmes një shkrese drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor ka përcjellë informim mbi këtë çështje dhe ka kërkuar hetime intensive ndaj gjyqtares për t’i paraprirë këtij vendimi. Gjë që ende dhe sot informohet se është lënë pa një hap konkret nga ana e KLGJ. Gjithashtu, mësohet se MD i është drejtuar sërish në datën 15 janar 2020 KLGJ po për të njëjtën gjyqtare.

Vendimet e gjyqtares Hoxha duken si një kronikë e paralajmëruar, ku ndaj saj kanë qenë edhe më të hershme kundërveprimet nga organi i Ministrisë së Drejtësisë e cila ka kërkuar marrjen e masave. Nëse vërejmë kronologjinë e ngjarjeve, në janar 2018 ky institucion i është drejtuar atëherë inspektoratit të KLD-së për fillimin e hetimit disiplinor për një çështje po aq të bujshme sa është lirimi i G.Tafilit.

Pavarësisht hapave të hedhura nga ana e Ministrisë së Drejtësisë dhe sinjalizimeve të vazhdueshme, institucionet përkatëse nuk morën asnjë masë duke bërë që sot të jemi përpara faktit ku gjyqtarja Enkelejda Hoxha i ka dhënë lirinë një të dënuari me burgim të përjetshëm, gjë që lidhet edhe me faktin se nuk ka dalë ende para vetingut duke ngritur hije dyshimi. Në dallim nga administrata publike, sistemi gjyqësor nuk organizohet në mënyrë hierarkike. Me formulimin e nenit 145/1 ” Gjyqtarët janë të pavarur dhe u nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe ligjeve“, Kushtetuta i ka siguruar gjyqtarëve të zakonshëm një pozitë autonome e të pavarur në raport me organet e tjera përmes disa instituteve në të cilat kjo autonomi e pavarësi realizohet. /Tema/

SHKARKO APP