”Lirohen” për disa orë gratë e dënuara, Gjonaj i dërgon tek Kryeministria
Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, ka liruar për disa orë gratë e dënuara duke i çuar në Kryeministri, ku u realizua për herë të parë një ekspozitë me punime nga gratë që qëndrojnë në institucionin “Ali Demi” dhe të miturit e Kavajës. Nga ambjentet e sallës COD e cila kishte hapur dyert si rrallë herë, Gjonaj vendosi theksin te drejtësia sociale dhe programet rehabilituese që po implementohen.
”Veçanërisht drejtësia për të miturit është një nga çështjet më të ndjeshme të çdo shoqërie sot në botën moderne. Pikërisht sepse adoleshentët dhe të rinjtë përfaqësojnë më së miri lidhjen midis asaj se si është shoqëria sot dhe si do jetë ajo në të ardhmen. Institucioni i Kavajës dhe IEVP Ali Demi është një arritje dhe shembull i mirë për një trajtim të individualizuar, shkollim dhe rehabilitim për të dënuarit që qëndrojnë në këto institucione. Drejtësia e re për të miturit si një prioritet i Ministrisë së Drejtësisë por jam e bindur e gjithë shoqërisë është qasja tek një drejtësi miqësore që sjell në skenën e drejtësisë rolin aktiv që duhet të kenë shërbimet sociale në nivel vendor, pasi tashmë sistemi penitenciar është mundësia e fundit për të trajtuar një të mitur. Synimi ynë është që në të ardhmen të gjithë të miturit që janë në kontakt me ligjin të mos jenë pjesë e burgjeve por të trajtohen në këto institute multidisiplinore. Pavarësisht kësaj edhe sot prioriteti ynë si për të miturit ashtu edhe për gratë të përfitojnë nëpërmjet programeve të ndryshme jo vetëm një profesion apo zanat, i cili i aftëson ato të përballin jetën pas daljes, por edhe ndërgjegjëshmëri dhe përgjegjshmëri për veprimet dhe jetën e tyre dhe që pas daljes ato të kenë jo vetëm një mundësi të dytë për të filluar një jetë të re”.
Ajo theksoi se si për gratë dhe të miturit do të ketë trajtim me programe punësimi apo programe të tjera të cilat janë të fokusuara drejt integrimit të tyre në shoqëri. ”Në të dyja institucionet janë krijuar ambiente të përshtatshme në funksion të punës rehabilituese dhe ri-integruese por edhe të artit që me ndihmën dhe të partnerëve tanë kanë arritur ta përcjellin më së miri. Një nga ta na ka sjellë sot këtu të gjithë së bashku për të ndryshuar jetët tona, si një projekt që mundësoi instalimin e ateliejesë së pirografisë brenda Institucionit Ali Demi dhe atij të Kavajës, e cila paraqet një tjeter mundësi potenciale për aftësimin professional dhe vetpunësim”.
Më tej, ministrja ju drejtua me disa mesazhe grave të dënuara që merrnin pjesë në çeljen e ekspozitës. Gjithashtu, ajo i inkurajoi që të vijojnë akoma të zgjerojnë artin e tyre, duke përcjellë përmes tij të gjithë reflektimin. Gjonaj, nuk la pa përcjellë një falënderim edhe për Caritas Albania e cila vijon të ofrojë kontribut sa i përket shprehjes së artit në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale.