Lista e të ftuarve në funeralin të Mbretëreshës Elisabeth, kush do të marrë pjesë e kush jo

Funerali i Mbretëreshës Elisabeth të hënën do të jetë një nga tubimet më të mëdha të familjes mbretërore dhe politikanëve që është organizuar në Mbretërinë e Bashkuar prej dekadash.

Ftesat për pjesëmarrësit në funeral u bënë gjatë fundjavës, me rreth 500 krerë shtetesh dhe personalitete të huaja që pritet të marrin pjesë.

Shumicës së liderëve u është kërkuar të mbërrijnë me fluturime komerciale dhe u është thënë se do të transportohen masivisht me autobus nga një zonë në perëndim të Londrës. Ceremonia do të mbahet në Westminster Abbey, që ka një kapacitet për rreth 2200 njerëz. Ja çfarë dimë deri tani se kush do të jetë i pranishëm dhe kush nuk do të jetë i pranishëm.

Familjet mbretërore evropiane

Priten anëtarë të familjeve mbretërore nga e gjithë Evropa, shumë prej të cilëve ishin të afërm gjaku të Mbretëreshës.

Mbreti Philippe i Belgjikës dhe Mbretëresha Mathilde kanë konfirmuar se do të jenë të pranishëm, ashtu si edhe Mbreti Willem-Alexander dhe gruaja e tij, Mbretëresha Maxima, së bashku me nënën e tij, ish-mbretëresha holandeze, Princesha Beatrix.

Mbreti Felipe dhe Mbretëresha Letizia e Spanjës kanë pranuar gjithashtu ftesa, ashtu si edhe familjet mbretërore të Norvegjisë, Suedisë dhe Demarkës.

Presidentët e SHBA

Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar se presidenti Joe Biden do të marrë pjesë së bashku me Zonjën e Parë Jill Biden, edhe pse thuhet se ata nuk do të udhëtojnë me autobus.

Ka shumë diskutime nëse Presidenti Biden do të ftojë paraardhësin e tij, Donald Trump, për të qenë pjesë e delegacionit amerikan, por kufizimet në madhësinë e delegacionit nënkuptojnë se ish-presidentët nuk do të jenë domosdoshmërisht në listë për të marrë pjesë.

Ka pasur spekulime se disa ish-presidentë dhe zonja të para – veçanërisht çifti Obama, mund të marrin ftesa private. Jimmy Carter, i cili shërbeu si president nga viti 1977 deri në 1981, nuk ka marrë ftesë, tha zyra e tij për Politico.

Udhëheqësit e Commonwealth

Pritet që të marrin pjesë liderë nga i gjithë Komonuelthi, ku Mbretëresha shërbeu në krye gjatë gjithë mbretërimit të saj. Kryeministri australian Anthony Albanese ka pranuar ftesën, ashtu si kryeministrja e Zelandës së Re Jacinda Ardern dhe kryeministri kanadez Justin Trudeau.

Një numër i guvernatorëve të përgjithshëm që shërbejnë si përfaqësues të monarkut në një mbretëri të Komonuelthit pritet të marrin pjesë me udhëheqësit e vendeve të tyre. Kryeministri afatgjatë i Bangladeshit Sheikh Hasina dhe presidenti i Sri Lankës Ranil Wickremesinghe gjithashtu thuhet se ka pranuar ftesë. Kryeministri indian Narendra Modi ende nuk ka konfirmuar nëse do të jetë atje apo jo.

Liderë të tjerë botërorë

Udhëheqës të tjerë botërorë që thuhet se kanë pranuar ftesat janë Taoiseachi irlandez Micheal Martin, presidentin gjerman Frank-Walter Steinmeier dhe presidenti italian Sergio Mattarella si dhe Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

Presidenti i Koresë së Jugut Yoon Suk-Yeol dhe ai brazilian Jair Bolsonaro kanë konfirmuar gjithashtu pjesëmarrjen e tyre. Atje pritet të mbërrijnë edhe perandori japonez Naruhito, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan dhe presidenti francez Emmanuel Macron.

Nuk dihet nëse presidenti kinez Xi Jinping, vizitat e të cilit në Kazakistan dhe Uzbekistan këtë javë do të shënojnë herën e parë që ai largohet nga Kina që nga fillimi i pandemisë Covid-19, do të marrë një ftesë, apo do ta pranojë atë.

Republika Islamike e Iranit, prej kohësh subjekt i sanksioneve ndërkombëtare për programin e saj bërthamor, do të përfaqësohet vetëm në nivel ambasadori, thanë burimet e Whitehall.

Të paftuar

Asnjë përfaqësues nga Rusia, Bjellorusia apo Mianmari nuk është ftuar, thotë James Landale i BBC-së.

Marrëdhëniet diplomatike midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Rusisë janë shembur që nga pushtimi rus i Ukrainës, dhe një zëdhënës i presidentit rus Vladimir Putin tha javën e kaluar se “nuk po e konsideronte” pjesëmarrjen në funeral. Pushtimi u nis pjesërisht nga territori i Bjellorusisë, presidenti i të cilës, Aleksandr Lukashenko, është një aleat i ngushtë i Presidentit Putin.

Mbretëria e Bashkuar gjithashtu ka zvogëluar ndjeshëm praninë e saj diplomatike në Myanmar që nga një grusht shteti ushtarak në vend në shkurt 2021.

SHKARKO APP