Liza Laska, gruaja që gdhendi dhimbjen në dritë, zëri lab që u bë poezi në artin skenik shqiptar

Kolazh me foto nga disa prej roleve në teatër dhe kinematografi, të aktores Liza Laska.
Nga Albert Vataj
Ajo u shua më 31 gusht 2014, për të mbetur e dritshme në kujtesën e gjeneratave, kontribut i vlertë në artin tonë skenik, emocion dhe përjetim i asaj zemre që u dha jetë roleve dhe personazheve që e shndërruan atë në akt përkatësie kombëtare, sepse e shkulmët e rrëmeteve historike dhe kohjeve ishte epja e gjallë e atyre jetëve që ajo i veshi me shpirtëroren e saj.
Arti i vërtetë nuk lind në hapësirat e ftohta të teorisë, por në thellësitë ku përplaset dhimbja njerëzore me etjen për përjetësi. Në qendër të këtij udhëtimi ndërmendës qëndron figura e aktores Liza Laska.
Tradita e artit tonë skenik ruan në palimpsestin e saj gurët e çmuar që ngritën stinët e para të kësaj temple shpirtërore, aty ku zëri i gruas u shndërrua nga një prani e thjeshtë në frymëmarrje, dritë dhe vetëdije kombëtare. Kontributi i tyre nuk qe thjesht një prani protokollare, por një akt sublim vetëmohimi që i dha skenës dinjitet, peshë eksistenciale dhe vërtetësi tronditëse. Ato gra, që sfiduan muret e padukshme të paragjykimit dhe plagët e kohës, morën mbi supe misionin e vështirë të artit si përjetim sovran i jetës dhe lirisë. Me një fisnikëri thuajse mistike, me shpirtin e ndezur në zjarrin e skenës e zemrën e përvëluar nga emocioni, ato ngjallën arketipin e heroinës, motrës, nënës dhe gruas, duke e kthyer teatrin në një pasqyrë ku kombi shihte shpirtin e vet.
Në këtë galeri të ndritur që historia jonë ruan si një testament të shenjtë, figura e Liza Laskës qëndron si një nga shtyllat dorike të këtij ngrehinë.
E lindur në Vlorën e dallgëve dhe dritëhijeve më 6 shkurt 1926, ajo do ta kishte artin njëkohësisht si bekim dhe si një kryq të rëndë për ta mbajtur. Qysh në rini shfaqej me atë dualitet unik, e brishtë në dukje, por me një bërthamë të hekurt brenda vetes. Këndonte, kërcente, por mbi të gjitha e ndiente se skena nuk ishte thjesht një hapësirë fizike, por vendi ku shpirti prekte përjetësinë. Në vitin 1946 ajo e kapërcen pragun e Teatrit Popullor të Tiranës, për t’u bërë më pas një nga themelet e para të teatrit profesionist të Korçës. Atje, në qytetin e serenatave dhe të një kulture me frymëmarrje europiane, ajo krijoi një botë të re artistike, duke derdhur në rolet e saj të para gurin e themelit të një tradite që po lindte. Pas vitit 1962, fati e rikthen në Vlorën e saj, ku bëhet aktorja e parë e teatrit profesionist, duke mbajtur mbi supe peshën e më shumë se 60 roleve kryesore dhe dhjetëra figurave të tjera që, edhe pse episodike, mbetën të gdhendura në memorien kolektive.
Mbi të gjitha, ajo që e shndërroi Liza Laskën në një gur kilometrik të artit tonë nuk ishte thjesht numri i roleve apo statistika e shfaqjeve, por shpirti sakrifikues me të cilin ajo i frymëzoi ato. Në teatër dhe në kinematografi, ajo nuk improvizonte rolin, ajo e jetonte atë deri në vetëflijim. Ajo u bë arketipi i nënës shqiptare të të gjitha trevave, gruaja që vuan pa u ankuar, që duron pa u thyer, që shpreson përmes dëshpërimit dhe që mban mbi shpatullat e saj stoike peshën e humbjes dhe fisnikërinë e dashurisë pakusht. Në lojën e saj u gdhend me një realizëm epik figura e nënave që përcollën bijtë drejt lirisë, tragjedia e grave të gozhduara nga koha e kanoni, por edhe finesa e femrës së emancipuar që dinte të ruante dinjitetin edhe në mes të stuhisë.
Në ekranin e madh të kinematografisë shqiptare, ajo mbetet një prani monumentale, nëna e dhimbjes stoike te “Shtigje lufte” (1974), Mara e papërsëritshme te “Dimri i fundit” (1976), rol që i solli Medaljonin e Festivalit dhe hyrjen definitive në panteonin e artit kombëtar; si dhe gruaja e thjeshtë, e brishtë, por me një forcë të brendshme magjepsëse te “Lulëkuqe mbi mure”, “Guna mbi tela”, “Në prag të lirisë”, “Vendimi”, apo “Gurët e shtëpisë sime”. Ajo e ktheu përditshmërinë e nënave tona në poezi të natyrshme dhe dramën e tyre jetësore në art sovran.
Lojës së saj aktoriale i buronte ajo vërtetësi organikisht e natyrshme, e cila nuk lind nga teknika e ftohtë, por nga përjetimi i thellë shpirtëror. Në zërin e saj të ngrohtë, thuajse melodioz, dëgjohej intonacioni i butë por i prerë i së folurës labe. Në sytë e saj lexohej ajo qetësi e thellë që pason dhimbjen e madhe. Ndërsa në portretin e saj pasqyrohej vetë stoicizmi i gruas shqiptare ndër shekuj. Ishte një art i ngarkuar me dramacitet të lartë, por gjithnjë i zbutur nga një lirizëm i hollë, një harmonizim i përsosur mes finesës, ndjeshmërisë dhe dashurisë amtare.
Për këtë vepër të çmuar, Liza Laska u vlerësua me titullin “Artiste e Merituar”, por laurimi i saj më i madh dhe më i përhershëm mbetet dashuria e amshuar e publikut, i cili e kujton jo si aktore, por si një figurë gati të shenjtëruar të ekranit dhe skenës sonë. Ajo nuk u shua kurrë nga kujtesa sepse nuk qe thjesht unike në profesion, ajo u bë simbol i vetë nënës shqiptare, atij engjëlli mbrojtës që sfidon kohën, përballon fatin, dhe ndan me botën vetëm dhimbjen dhe dashurinë.
Kontributi i saj mbetet një diamant i gdhendur në mozaikun e kulturës sonë kombëtare. Ajo është njëherësh kujtesë dhe udhërrëfyes, sepse përmes figurave të përmasave të Liza Laskës, arti shqiptar jo vetëm që mori formë, por fitoi edhe shpirt. Në çdo skenë ku ajo shkeli, në çdo frymëmarrje që i dha personazheve të saj, mbetet e gjallë një e vërtetë e madhe, arti i saj ishte vetë jeta, dhe jeta e saj u shndërrua në një vepër arti.
Ajo mbetet shembulli i gjallë i grave që me pasion të pashtershëm, këmbëngulje dhe sakrificë e ngritën artin tonë në lartësitë e dinjitetit. Liza Laska vazhdon të jetë një ikonë e teatrit dhe kinematografisë, një zë i amshuar i nënës në artin kombëtar dhe një monument i fisnikërisë së femrës shqiptare, e cila përmes artit përjetësoi jetën, dhimbjen, dashurinë dhe shpresën.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A duhet liruar Erion Veliaj të drejtojë bashkinë nga zyra?