Llatja: Një tjetër investim rrugor në Jagodinë
Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, i shoqëruar nga deputetja Evis Kushi, ka inspektuar punimet për asfaltimin në rrugën e Isufajve, në fshatin Jagodinë, një kërkesë e kahershme e banorëve të zonës që sot ka marrë zgjidhje.
Gjatë inspektimit, kryebashkiaku Llatja u shpreh se investimet në fshat kanë qenë të vazhdueshme dhe do të vijojnë, me fokus kryesor zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e infrastrukturës rurale. Sipas tij, kjo rrugë i shërben rreth 550 banorëve të fshatit Jagodinë, si edhe një sipërfaqeje prej afro 30 hektarësh sera bujqësore.
“Qëllimi ynë është rritja e sipërfaqes së serrave dhe forcimi i ekonomisë rurale. Ka pasur rritje ekonomike në fshatin Jagodinë, por edhe në njësitë administrative Shirgjan dhe Gjergjan, veçanërisht pas ndërtimit të unazës bujqësore dhe investimeve infrastrukturore që kemi realizuar. Kjo rrugë lehtëson jo vetëm qarkullimin e banorëve, por edhe daljen e lirshme të prodhimeve bujqësore në treg”, u shpreh Llatja.
Ai i bëri thirrje banorëve të ndërtojnë ura mbi kanalet kulluese sipas standardeve, duke theksuar se strukturat pa leje që shkaktojnë probleme do të prishen. Kryebashkiaku njoftoi se investimet do të vijojnë në unazën e Kuqanit, si dhe në 18 rrugë të tjera rurale dhe projekte të tjera infrastrukturore.
Nga ana e saj, deputetja Evis Kushi theksoi se çdo investim në zonat rurale përkthehet drejtpërdrejt në përmirësimin e jetesës dhe rritjen e ekonomisë lokale. “Vetëm ndërtimi i unazës bujqësore ka sjellë zhvillim të ndjeshëm për zonën. Nga 10 hektarë sera që kishte disa vite më parë, sot janë rreth 70 hektarë sera”, u shpreh Kushi.
Banorët e Jagodinës kanë falënderuar kryebashkiakun për këtë investim, i cili ishte një nga kërkesat e paraqitura gjatë procesit të buxhetimit me pjesëmarrje.
KOHA JONË SONDAZH

