Lleshaj: Asetet e krimit që sekuestron OFL t’i kalojnë Policisë së Shtetit! 5% për punonjësit
Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka prozuar disa ndryshime në aktin normativ për sekuestrimin e pasurive kriminale.
Lleshaj tha se një ndër këto pika është kalimi i kompetencave të administrimit nga gjykatat te Agjencia e Administrimit të Aseteve të Sekuestruara.
Më tej, tha Lleshaj, është kjo agjenci ajo që nominon, emëron, kontrollon punën e administratorëve të çdo pasurie që ka në juridiksionin e saj.
Kjo sipas tij bëhet për t’u larguar nga situata e sotme, kur kemi një mori administratorësh, që vendosen nga gjykatat
“Në përgjithësi këtu në ndryshimet e propozuara bëhet fjalë për ndryshime të karakterit teknik dhe administrativ. Ndër to mund të përmend shkurtimisht disa kryesore: Së pari është ndryshimi i kalimit të kompetencave të administrimit nga gjykatat, të cilat sot vendosin për administrimin e pasurive të sekuestruara, apo të konfiskuara tek organet administrative, konkretisht te Agjencia e Administrimit të Aseteve të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.
Kjo do të thotë që në vend që gjykata të vendos nominalisht për çdo rast emrin e një administratori, i cili do të merret me administrimin e pasurive të sekuestruara apo të konfiskuara, tashmë gjykata ngarkon një organ shtetëror që është Agjencia përgjegjëse për këtë punë dhe është Agjencia më tej, e cila nominon, emëron, kontrollon punën e administratorëve të çdo pasurie që ka në juridiksionin e saj.
Përse bëhet kjo lëvizje? Kjo lëvizje bëhet për të pasur një zhvillim më të mirë të gjithë këtij procesi, për të pasur një strukturë të vetme përgjegjëse që është Agjencia shtetërore dhe për t’u larguar nga situata e sotme, kur kemi një mori administratorësh, që vendosen nga gjykatat. Kjo do t’i japë edhe lehtësi të madhe, dhe fleksibilitetin e nevojshëm administrimit, për arsye se tashmë vendimet që merren në këtë proces janë vendime të karakterit administrative dhe jo gjyqësor.
Gjyqësori është marrë një herë e mirë në fillim, por është ngarkuar Agjencia. Ndërkohë që në nivel menaxherial dhe administrativ tashmë do të veprojë Agjencia, e cila do të jetë nën kontrollin, nën drejtimin e një Komiteti Ndërinstitucional, i cili do të luajë rolin e organit udhëheqës kontrollues, monitorues të kësaj Agjencie dhe të këtij procesi”, tha Lleshaj.
Lleshaj tha se kjo lidhet edhe me destinacionin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, ku një pjesë e tyre është parashikuar të futet në përdorim për luftën kundër krimit. Kjo tha ai do të thotë një pjesë e këtyre aseteve të sekuestruara do t’i kalojnë Policisë së Shtetit, e cila do t’i përdorë ato në luftën kundër krimit të organizuar.
“Një gjë tjetër e rëndësishme në ligj, lidhet me destinimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, ku parashikohet që një përqindje e konsiderueshme e tyre të futet në përdorim, të vihet në dispozicion të luftës kundër krimit. Pra, ne duam në një farë mënyre që krimin ta luftojmë duke përdorur dhe asetet dhe financat e tij.
Kjo do të thotë që një pjesë e madhe e këtyre aseteve, përmes vendimeve përkatëse të Komitetit Ndërinstitucional dhe Agjencisë, do t’i kalojnë në fund të herës Policisë së Shtetit, e cila do t’i përdorë një pjesë të tyre, në luftën kundër krimit të organizuar, qoftë si asete, qoftë si financa dhe si mjete të tjera, duke besuar që kjo do të shtojë një burim tjetër të rëndësishëm mbështetjeje për PSH, të cilës siç jemi në dijeni të gjithë, i jemi shpeshherë borxh për shkak të mbështetjes jo përherë të plotë në kuptimin financiar, në kuptimin material, logjistik e kështu më radhë”, u shpreh ai.
Ministri i Brendshëm tha se në Komitetin Ndërinstitucional në drejtimin për masat kundër krimit të organizuar do të shtohet edhe përfaqësuesi i drejtuesit të SPAK. Ndërsa punonjësit që do të përfshihen luftë kundër krimit të organizuar do të shpërblehen financiarisht nga burimet e këtij procesi deri në masën 5%.
“Një gjë tjetër me rëndësi, e projektit, është se në Komitetin Ndërinstitucional në drejtimin për masat kundër krimit të organizuar, pra që merret në thelb me drejtimin e veprimtarisë së Agjencisë, shtohet edhe përfaqësuesi i drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Një gjë tjetër po ashtu e rëndësishme është po ashtu fakti që punonjësit që do të përfshihet në luftën kundër krimit të organizuar, do të kenë mundësi edhe të shpërblehen edhe financiarisht nga burimet e gjeneruara prej këtij procesi, deri në një masë 5%. Pra është vendosur një limit, një fond që shkon deri në një masë 5%, i cili do të përdoret për të motivuar punonjësit që janë përfshirë dhe që kanë arritur rezultate konkrete në këtë proces të rëndësishëm”, tha Lleshaj.
/abcnews.al