Lleshaj: Kush do kapet qoftë edhe një rrënjë kanabisi do…

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ishte sot në Dibër, ku ndër të tjera foli edhe sa i përket veprave kriminale, ku tha se Dibra është qarku me më pak probleme në vend. Nga ana tjetër, Lleshaj theksoi se kush kapet qoftë edhe me një rrënjë kanabis, do të ndëshkohet. ”Ne kemi një plan kombëtar për të luftuar deri në eliminimin e plotë të këtij fenomeni dhe deri në fund të këtij muaji çdo kush që do ti kapet një rrënjë kanabisi në territor do të marrë ndëshkimin sipas ligjit, qofshin këto drejtues policie , inspektorë apo administratorë lokalë”.

Fjala e plotë

Në Bulqizë, çështja e kontrollit të territorit mbetet një sfidë e madhe, jo vetëm për shkak të sipërfaqes së madhe si bashki, por edhe për shkak të shfrytëzimit të pyjeve, apo dëmtimit të tyre, shfrytëzimit të mineraleve, apo shkatërrimit të resurseve. Këtë tokë në të cilën jetojmë, e kemi në përdorim dhe shkatërrimi, dëmtimi, moskujdesja është gjëja më e rëndë që i bëjmë vetes.

Kam ardhur si ministër i Brendshëm, për t’i thënë PSH, IKMT-së, Bashkisë, Inspektorateve që duhet të kuptojnë mirë se kanë përgjegjësi shtetërore, përgjegjësi ligjore për t’u marrë seriozisht me mbrojtjen e territorit. Mbrojtja e territorit do të thotë mbrojtje e Shqipërisë. Përveç mbrojtjes së pyjeve këtu mbetet me rëndësi mbrojtja e pasurisë kombëtare që është kromi, i cili përgjatë këtyre dekadave ju vetë jeni dëshmitarë se çfarë degradimi ka patur mënyra e shfrytëzimit të kësaj pasurie. Degradim, përmes copëtimin në 150 mijë duar, që nganjëherë janë të papërgatitur, të paaftë për ta menaxhuar, të pazotë, të papërgjegjshëm, e shumë e shumë me radhë.

Përveç shumë problemeve që ka prodhuar kromi, në vend që të prodhonte mirëqenie për Bulqizën e për Shqipërinë, në aspektin e kriminalitetit, në aspekte të tjera, ka prodhuar dhe probleme të mëdha edhe në fushën e mjedisit. Hedhje pafund e asaj që tepron atje ku ta kesh më të lehtë, por kjo nuk është rruga. Nuk është mënyra për t’u sjellë me përgjegjësi ndaj vendit tënd. Nuk mund ta hedhim atë që tepron në vendin më të afërt të mundshëm, në qoftë se duam t’i themi vetes njerëz dhe qytetarë të një vendi europian.

Bulqiza ka potencial për t’u kthyer në një adresë të kërkuar. Me bërjen e rrugës kthehet në një oborr të pasëm të Tiranës. Një Tiranë, e cila zien nga mbingarkesa, mbipopullimi por edhe nga nevoja për të lëvizur, për të dalë, për të shijuar një ajër tjetër. Por duhet të krijohet mundësi këtu, të krijohet një lloj magneti. Që të bëhet magnet, e para janë këto pyjet që keni, dhe mbrojtja e këtij territori që keni.

IKMT-ja dhe Policia veprojnë së bashku dhe shumë prej funksioneve të inspektimit të mjedisit që kanë qenë më parë të strukturave të tjera, tashmë i kanë kaluar IKMT-së, e cila merret jo vetëm me ndërtime paleje, por me kontrollin e territorit në tërësi. Kontrolli i ujit, i ajrit, i tokës, i pyjeve. Arsyeja e kësaj lëvizjeje lidhet me nevojën për të rritur intensitetin, efikasitetin e punës së Policisë dhe IKMT-së.

Krimet mjedisore kanë faturë shumë të rëndë penale, Kodi Penal parashikon masa të rënda ndaj krimit mjedisor. ‘Dëmet’ janë të dyfishta, e para është dëmi që vjen nga IKMT-ja në kuptimin e gjobave të rënda, masave administrative të rënda dhe, e dyta, është përballja me Policinë për arsye se këto konsiderohen vepra të forta penale.

Çështja e fundit ka të bëjë me angazhimin e strukturave tona në kuadër të një plani kombëtar për të çrrënjosur kanabisin nga Shqipëria, si një fenomen që e ka shqetësuar Shqipërinë prej shumë vitesh, ka prodhur efekte të dëmshme, duke dëmtuar rëndë edhe imazhin e Shqipërisë padrejtësisht. Nga ana tjetër shpresoj shumë që shpejt do të kemi gjëra të tjera, më pozitive për të diskutuar me njëri-tjetrin, aq më tepër që lajmi ma i madh afrohet përditë; – lajmi që ju bëheni praktikisht një lagje e kryeqytetit, afrohet me shpejtësi të madhe. Është çështje muajsh e jo më vitesh, që të lidhet me rrugën e re që të nxjerr menjëherë në Tiranë.

SHKARKO APP