Lleshaj nuk konfirmon se Murataj u vra nga policia
Në konferencën që zhvilloi sot për grabitjen e 10 milionë eurove në aeroportin e Rinasit, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj nuk konfirmoi zyrtarisht se Admir Murataj, i dyshuar si kreu i bandës kriminale, u vra nga shkëmbimi i zjarrit me policinë. Gjithsesi, ai nuk e mbylli pistën se Murataj mund të jetë vrarë nga reagimi i shpejtë dhe i fortë i uniformave blu.
”Falë këtij reagimi të shpejtë dhe të fortë të Policisë së Shtetit, besohet se banda kriminale, e cila ka arritur që edhe më parë të godasë transportin e vlerave monetare, drejt Rinasit apo në institucione të tjera bankare të vendit, pas humbjes së djeshme të kreut të saj, ka marrë një goditje shkatërruese, e cila po thellohet nga ora në orë, falë punës plot përkushtim që po bëhet nga Prokuroria dhe Policia e Shtetit”, u shpreh Lleshaj.
Në njoftimin e djeshëm të policisë, rreth një orë pasi kishte ndodhur grabitja, përcaktohej se një prej grabitësve kishte humbur jetën për shkak të shkëmbimit të zjarrit me efektivët, por i njëjti qëndrim i qartë nuk u mbajt sot nga ministri Lleshaj. Në media janë ngritur dyshime se Admir Murataj mund të jetë ekzekutuar nga bashkëpunëtorët e tij.
KOHA JONË SONDAZH

