Lleshi kërkon 350 n/komisarë, Ndreu: Policët të shqetësuar
Në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, ministri i Brendshëm Sandër Lleshi prezantoi pikat kryesore mbi të cilat mbështeten propozimet për ndryshime në ligjin “Për Policinë e Shtetit”. Lleshaj u bëri thirrje studentëve që t’i bashkohen Akademisë, pasi Policia e Shtetit ka nevojë për mbi 350 n/komisarë. Ai tha se Policisë së Shtetit i duhet një cilësi e re. “Kriteret e pranimit do të jenë shumë të rrepta për t’u inkurajuar që të futen në polici kapacitete të larta, kemi nevojë për cilësi të re.
Pika kryesore e ligjit për ndryshimet që parashikohen që të bëhen është ajo për pranimin e ushtarakëve në Policinë e Shtetit. Referuar kësaj pike, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshi deklaroi se: ”Ata që vijnë në policinë e shtetit nuk duhet të jenë ushtarakë aktivë, pra duhet të jenë civilë që të pranohen, të kenë hequr dorë nga ushtria. Këtu bëhet fjalë për nevoja të veçanta”,-tha ai.
Deputeti i PS, Pjerin Ndreu u shpreh se projektligji ka ngjallur reagime dhe shqetësime në radhët e policisë së shtetit, prandaj kërkoi që të specifikohet pozicioni ku do të punësohen ushtarakët. Socialisti kërkoi që të të përcaktohen kuotat dhe funksionet e veçanta, që nuk ofrohen nga akademia e policisë dhe pozicionet që do të marrin ushtarakët.
”Ka qindra punonjës të policisë së shtetit që janë të shqetësuar për këtë. Ne e hapëm rrugën, por aty ku kanë mundësi të japin kontribut dhe jo kudo. Ata që vijnë në polici të shkojnë atje ku janë profilizuar, jo si dukur, pasi e hedhim në erë si dikur. Punonjësit e policisë nuk mund të konkurrohen nga këta që do të vijnë, pasi kanë një jetë në luftë me kriminelët. Pra, të japin një kontribut, por jo kudo”.
Fjala e plotë
znj. Kryetare, të nderuar deputetë! Së pari, gjej rastin t’ju falënderoj qoftë për fjalët dhe urimet që thatë tani, qoftë për përkrahjen që ju i keni dhënë emërimit tim në pozicionin e Ministrit të Brendshëm, të cilin besoj se që do ta justifikoj me punën dhe angazhimin tim dhe të të gjithë strukturave që drejtoj.
Sigurisht që sidomos në vitin në vijim, ose në vitin e ardhshëm pra, përpara Ministrisë së Brendshme shtrohen sfida dhe detyra shumë të mëdha, që lidhen me dy sektorë të rëndësishëm. E para, me luftën kundër krimit në përgjithësi dhe krimit të organizuar, korrupsionit dhe krimit në ekonomi në veçanti.
Dhe së dyti, në përmbushjen e një axhende shumë intensive detyrash dhe përgjegjësish në kuadër të hapjes së negociatave që priten në vitin e ardhshëm, proces ky i cili e ngarkon Ministrinë e Brendshme me një barrë jashtëzakonisht të madhe përgjegjësish që duhen kryer kryesisht në përmbushje të kërkesave që parashtrohen në Kapitullin 24.
Megjithatë sot do të fokusohem për këtë prezantim vetëm me një çështje, që ka të bëjë me disa ndryshime të vogla për ligjin për Policinë e Shtetit. Ndryshime prej të cilave ne shpresojmë disa ndryshime të rëndësishme në performancën dhe në efektivitetin e punës së strukturave të Policisë së Shtetit.
Së pari, duhet të ndalemi në çështjen, përse bëhet ndryshimi? Dhe arsyeja e parë që lidhet me këtë ka të bëjë me mosfunksionimin e Akademisë së Sigurisë ose Akademisë së Policisë, për një periudhë shumë të gjatë.
Të gjithë jemi në dijeni se Akademia e Sigurisë u hap në vitin 2015 pas një periudhe 10-vjeçare mosfunksionimi. Si pasojë e kësaj, Policisë së Shtetit i mungojnë sot një numër i konsiderueshëm oficerësh, kryesisht në nivelin “nënkomisar” që nënkupton nivelin bazë të oficerëve të Policisë së Shtetit por edhe në të gjithë hierarkinë e gradave të kësaj organizate.
Thjesht për të dhënë disa shifra, në nivelin e drejtuesit të lartë janë mangët 46% e gradave, në nivelin drejtues janë mangët 30% e gradave, në nivelin kryekomisar janë mangët 36%, në nivelin komisar janë minus 38%, në nivelin nënkomisar janë minus 28%. Pra ju e shihni që në të gjitha kategoritë e gradave ka një mangësi që shkon tek një mesatare rreth 30%, gjë që paraqet një problem shumë serioz.
Për t’u fokusuar vetëm tek niveli bazë, tek nënkomisarët; nga 1482 nënkomisarë që duhet të ketë Policia e Shtetit sot, ajo ka vetëm 1167 ose 25% minus. Gjatë vizitave të mia në Drejtoritë Vendore të Policisë në qarqet e vendit kam konstatuar se mungesa e nënkomisarëve, – pra mungesa e vijës së parë e ballafaqimit me problematikën dhe me publikun – përbën shqetësimin e përbashkët numër një, i cili pengon seriozisht plotësimin e misionit të strukturave të Policisë së Shtetit.
Nëse do të ndiqen procedurat aktuale, do të duhen të paktën katër vjet që mund të fillohet të plotësohen boshllëqet e sistemit. Pra do të duhet që të përzgjidhen kandidatët e rinj për Akademinë e Sigurisë, të cilët pasi të kalojnë me sukses programin e arsimimit, të arrijnë të emërohen si nënkomisarë në Policinë e Shtetit. Por katër vjet pritje, me një mangësi të ndjeshme në nivelin bazë të strukturës, janë jashtëzakonisht shumë. Nevoja për një intensitet të shtuar në luftën kundër krimit në përgjithësi dhe kundër atij të organizuar në veçanti, kërkon kapacitete të plota të Policisë së Shtetit.
Nga ana tjetër, ne kemi një strukturë dhe një forcë policore të vogël, ndër më të voglat krahasuar me vendet e rajonit dhe të Evropës. Shqipëria është një vend që ka shumë probleme, por dhe pak policë. Sipas të dhënave të Eurostat, Shqipëria ka vetëm 334 policë për 100 mijë banorë. Ndërkohë që, po jap ca shifra, Kroacia ka 489 policë për 100 mijë banorë, Serbia ka 596, Mali i Zi 645, Sllovakia 409 e të tjera me radhë. Janë shumë shifra, por duhet të them që jemi një ndër vendet me numrin më të vogël të policëve për frymë të popullsisë ndërkohë që kemi një numër relativisht të lartë të problemeve për frymë të popullsisë.
Në të vërtetë vendit tonë i duhen më shumë punonjës policie nga sa mundëson struktura aktuale. Por paradoksalisht ne kemi mangësi edhe në vetë strukturën minimaliste të Policisë së Shtetit, mangësi të cilat synohen të vihen në rrugën e zgjidhjes, me miratimin e ndryshimeve që ju propozojmë sot në këtë p/ligj i cili ka marrë vëmendjen tuaj sot.
Çfarë parashikojnë ndryshimet e propozuara? Katër gjëra themelore.
Së pari, plotësim i boshllëqeve ekzistuese në nivelin bazë të piramidës së gradave të Policisë së Shtetit, pra në nivel “nënkomisar”.
Së dyti, pasurim të nivelit të ekspertizës së Policisë së Shtetit me specialitete të munguara, të cilat Akademia e Sigurisë nuk i krijon, nuk i prodhon.
Së treti, specializimin e kategorive të policisë, pra të Policisë Kriminale, të Policisë së Rendit, të Policisë së Kufirit dhe të Emigracionit.
Dhe një element i fundit, është edhe hapja e një mundësie për pranimin e disa specialiteteve të veçanta nga FA, nga ushtarakët në radhët e policë. Gjithnjë bëhet fjalë për specialitete të cilat Policia e Shtetit, me kapacitetet e saj nuk i krijon dot. Lidhur me të parën, me plotësimin e boshllëqeve të shumta në nivelin “nënkomisar”. Policia, siç thashë, e ka nevojë urgjente një prurje të rëndësishme me qëllim që të mbushë boshllëqet e shumta në nivelin e strukturës së gradave të saj. Për këtë qëllim, në p/ligj është parashikuar që, po citoj: “Për nevoja të Policisë së Shtetit, pranohen në Akademinë e Sigurisë shtetas që kanë përfunduar ciklin e dytë të studimeve të arsimit të lartë dhe plotësojnë kriteret e përcaktuara në pikën 2, të këtij neni (që janë kriteret e përgjithshme për t’u pranuar në Policinë e Shtetit.) Kandidati që përfundon me sukses kualifikimin përkatës pranohet në Policinë e Shtetit dhe i jepet grada policore ‘nënkomisar’.”
Me këtë ndryshim hapet një mundësi e re që Policia e Shtetit të mund të përthithë në radhët e saj studentë që janë diplomuar në universitete, të cilët pas një periudhe të formimit bazë policor në Akademinë e Sigurisë do të integrohen në strukturat e saj me gradën “nënkomisar”. Në këtë mënyrë ne do të jemi në gjendje që jo vetëm të plotësojmë boshllëqet kritike në nivelin e “nënkomisarëve”, por në të njëjtën kohë do të mund të pasurojmë në mënyrë të ndjeshme kapacitetet e Policisë së Shtetit me specialitete të munguara por të nevojshme në mënyrë urgjente, që janë nga fusha e ekonomisë, e financave, e informatikës, e elektronikës dhe e jurisprudencës.
Hapja e kësaj rruge do të mundësojë që procesi i gradimeve në Policinë e Shtetit të mund të futet në shina normaliteti, pasi rreth 30 për qind e posteve në Policinë e Shtetit janë të zëna me një gradë më të ulët nga ajo që kërkohet nga funksioni organik. Pra 1/3 e oficerëve të policisë kryejnë një detyrë më të lartë se grada që mbajnë dhe mosgradimi është i kushtëzuar pikërisht nga këto probleme që janë akumuluar ndër vite. Por nëse sot do të kishim filluar ti zhvillonim proceset e gradimit, ashtu siç kërkon ligji, pra duke i dhënë mundësinë secilit të marrë gradë më të lartë do të ndodhte që një lëvizje nga lart, sepse shumë kanë arritur në një nivel për të marrë gradën tjetër, dhe kjo do të çonte në një zmbrapsje pothuajse të pariparueshme të nivelit bazë, të nënkomisarëve.
Çështja e dytë, pasurim të ekspertizës së policisë me specialitete të munguara. Hapja e dyerve të Akademisë së Sigurisë për disa kategori të përzgjedhura të të diplomuarve në universitetet e vendit dhe të botës do të krijojë kushte për një cilësi të re të trupës së oficerëve të kësaj policie dhe do të ndikojë në mënyrë të ndjeshme sidomos në fushat deficitare, si lufta kundër krimit ekonomik dhe financiar, lufta kundër krimit kibernetik, modernizimi i Policisë së Shtetit, etj.
Pikërisht në këto fusha ku janë edhe problemet kryesore sot. Aktualisht në fushën e krimit ekonomik dhe financiar, pastrimit të parave, krimit kibernetik, etj, niveli i ekspertizës lë shumë për të dëshiruar. Me miratimin e ndryshimeve të propozuara, situata në këta sektorë shumë të rëndësishëm të luftës kundër krimit do të njohë një nivel të ri profesionalizmi dhe një intensitet të ri.
Së treti, specializim të kategorive të policisë kriminale, të rendit dhe kufirit. Në projektin që ju propozova për shqyrtim është parashikuar një nen i cili përcakton se Policia e Shtetit është unike, e centralizuar, e organizuar në nivel qendror dhe vendor, ajo organizohet mbi bazë shërbimi e profilizuar në Policinë Kriminale, në Policinë për Sigurinë Publike dhe Policinë për Kufirin dhe Migracionin. Kategoritë e profilizuara të Policisë së Shtetit dallojnë midis tyre nga arsimimi, kualifikimi, simbolet, detyrat dhe përgjegjësitë që ushtrojnë.
Të nderuar deputetë, Policia jonë trashëgon një problem të rëndësishëm që ka të bëjë me profilizimin e saj. Ndërmjet Policisë Kriminale, asaj të Rendit apo Kufirit sot ka ndryshime shumë të vogla për sa i përket arsimimit, kualifikimit apo karrierës. Të gjitha kategoritë e punonjësve të policisë marrin sot të njëjtin arsimim dhe përgjatë jetës profesionale kanë mundësi shumë të reduktuara për të marrë kualifikim dhe specializim sipas natyrës së veçantë të shërbimit që ato kryejnë.
Për shkak të profilit shumë të ngjashëm profesional, gjatë zhvillimit të karrierës punonjësit e policisë lëvizin rëndom nga njëra kategori në tjetrën. Një punonjës i rendit mund të kalojë në fushën kriminale, ai i kriminales tek kufiri, tek qarkullimi rrugor etj. Këto transferime kanë krijuar rrezikun e humbjes së qëndrueshmërisë, humbjes së ekspertizës, humbjes së specializimit dhe humbjes së kujtesës institucionale.
Me ndryshimin e propozuar synohet që të tri kategoritë e Policisë së Shtetit të kthehen në institucione të mirëfillta, që do të thotë që përveç arsimimit të përgjithshëm, punonjësit e Policisë së Shtetit do të marrin edhe arsimim special sipas fushës, do të diplomohen sipas fushës dhe do të bëjnë karrierë brenda fushës.
Kështu, një oficer i diplomuar në fushën e policisë kriminale do ta zhvillojë pjesën më të madhe të karrierës së tij, pas diplomimit si i tillë, brenda kësaj fushe dhe vetëm pas një arsimimi tjetër në një periudhë të vonshme të karrierës, arsimimi në fushën e menaxhimit policor, ai do të mund të shërbejë në funksionet e larta të drejtimit të cilat do të jenë të përgjithshme dhe jo të lidhura domosdoshmërisht me kategorinë apo fushën speciale policore.
Një çështje tjetër është ajo që ka të bëjë me hapjen e njësie për pranim nga radhët e ushtarakëve në Policinë e Shtetit. Është parashikuar një nen parashikon sa më poshtë: “Për plotësimin e nevojave të veçanta, mund të pranohen në Policinë e Shtetit ushtarakë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë ,të cilët plotësojnë kriteret e përcaktuara në pikën 2 (që janë kriteret e përgjithshme për pranim në Policinë e Shtetit). Për ushtarakët e shërbimit aktiv pranimi realizohet mbi bazën e një marrëveshjeje dypalëshe midis ministrit të Mbrojtjes dhe Ministrit të Brendshëm ku përcaktohen kuotat dhe strukturat nga ku do të pranohen ushtarakët. Në çdo rast pranimi bëhet me vullnetin e lirë të ushtarakëve pas nxjerrjes së tyre në lirim nga Forcat e Armatosura, pra pas shndërrimit të tyre në civilë.
Sipas përcaktimeve përkatëse të ligjit, pranimet do të realizohen në bazë konkurrimi, procedurat e të cilit përcaktohen me udhëzim të Ministrit të Brendshëm. Kalimi nga strukturat e Forcave të Armatosura në Policinë e Shtetit do të bëhet duke e njohur vjetërsinë e tyre të shërbimit në këtë forcë. Dhe një çështje tjetër ka të bëjë me faktin që krahas njohjes së vjetërsisë së shërbimit, do të njihet edhe grada, e cila do t’i ekuivalentohet me një gradë korresponduese policore me vendim të Këshillit të Ministrave. Pra Këshilli i Ministrave do të bëjë një ekuivalentim. Pra nëse një nëntoger i ushtrisë do të vijë dhe të bëhet nënkomisar i Policisë, ky ekuivalentim do të bëhet përmes një vendimi të Këshillit të Ministrave.
Qëllimi i kësaj dispozite lidhet me nevojën e përhershme që Policia e Shtetit ka për specialitete të veçanta të cilat nuk mund të përgatiten as universitetet e vendit, dhe as nga Akademia e Policisë. Specialitete të tilla, të rralla, si ato të fushave kanë të bëjnë me lëndët plasëse dhe eksplozive, me lëndë kimike, me operacione speciale, etj., mund të ofrohen vetëm nga pjesëtarë të forcave të armatosura qofshin aktiv apo në rezervë, për arsye se vetëm forcat e armatosura i prodhojnë këto kategori profesionesh, të cilat ndërkohë Policia e Shtetit ka nevojë.
Hapja e kësaj mundësie, në të vërtetë do të thoja rihapja e kësaj mundësie, e cila ka ekzistuar historikisht për Policinë e Shtetit krijon kushtet që të krijohet një kapacitet shumë i çmuar, ndonëse shumë i limituar në numra, ekspertizë nga forcat e armatosura të cilët kanë krijuar një nivel shumë të lartë në këto fusha, nivel i cili që çmohet gjerësisht edhe në kuadër të operacioneve që ata kryejnë në NATO apo në BE.
Të nderuar deputetë, sigurisht që ligji ka edhe disa përmirësime që janë të karakterit teknik ligjor, me të cilat nuk besoj se ka nevojë të ndalem dhe duke përfunduar, ju falënderojë për vëmendjen dhe ju kërkoj mbështetjen tuaja për këto ndryshime të cilat ndonëse janë shumë të vogla, shpresojmë të sjellin impakt të shpejtë dhe të rëndësishëm për funksionimin e strukturave të Policisë së Shtetit. Ju faleminderit!
KOHA JONË SONDAZH

