Lobimi i PD-së në SHBA, Balla për median greke: Non grata, njollë që nuk hiqet kurrë

Drejtuesi politik i PS-së për Diasporën, Taulant Balla, u ndal tek lobimi prej 6 milionë dollarësh të Partisë Demokratike në SHBA në një intervistë për mediet në Greqi. Sipas Ballës, lobimi bëhet për të hequr një njollë që, sipas tij, nuk mund të zhduket kurrë. Në intervistën për mediet nga sheshi “Omonia” në Athinë, Balla ngriti pyetjen se ku i gjen Sali Berisha 6 milionë dollarë për të paguar për të hequr ‘njollën’.

“Si ka mundësi që një politikan që është nën akuzë për korrupsion, SHBA e shpallën non grata pikërisht për korrupsionin në shuma të mëdha dhe në sabotimin e demokracisë, sot ky njeri, pa asnjë lloj shpjegimi nxjerr 6 milionë dollarë. Ku i gjeti këto para, për të hequr këtë njollë të zezë, edhe pse ju e dini fare mirë që kjo lloj njolle nuk hiqet kurrë”, u shpreh ai.

Balla theksoi lidhjen e fortë që PS ka pasur gjithmonë me diasporën dhe rolin e shqiptarëve të Greqisë në rrëzimin e Berishës. “PS është e vetmja parti që ka pasur një kontakt të vazhdueshëm me diasporën në Greqi. Në 2013-ën, diaspora pati rol të rëndësishëm në atë fitore historike të PS-së për të rrëzuar regjimin e Sali Berishës në atë kohë”, tha Balla.

Balla u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve në Greqi dhe më gjerë që të votojnë më 11 maj për të përmbyllur rrugëtimin europian të Shqipërisë. “Prej sheshit Omonia i drejtohem të gjithë bashkatdhetarëve tanë, jo vetëm këtu në Athinë, por në të gjithë Greqinë dhe botën, që sot kemi arritur në finishin e asaj që kemi nisur. E nisëm për ta kërkuar Shqipërinë si gjithë Europa dhe vota juaj më 11 maj është pikërisht vota që do t’i bëjë shqiptarët krenarë për ta parë flamurin tonë kuqezi në mes të Brukselit”, tha Balla.

SHKARKO APP