Lobimi rus/ Imeraj llogari dy prokurorëve të dosjes së Bashës: Vendimi nul, nëse nuk keni respektuar ligjin
Vendimi i dy prokurorëve të Prokurorisë së Tiranës, Ervin Karanxha dhe Gjergji Tako, për të pushuar akuzën e pastrimit të parave ndaj kreut të PD-së, Lulzim Basha ka lënë shumë pikëpyetje.
Drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elizabeta Imeraj, ka bërë me dije për Report TV se u ka kërkuar informacion me shkrim dy prokurorëve për procedurat e ndjekura, gjatë hetimeve si dhe mbi vendimin e marrë më pas.
Imeraj ka kërkuar nga dy prokurorët e çështjes që të sqarojnë se përse nuk është marrë në pyetje Nikolas Muzin, pas marrjes së dokordësisë nga pala amerikane, që lejonte prokurorët shqiptarë për të pasur dëshminë e tij.
Report TV raporton se Imeraj ka kërkuar sqarim edhe për mënyrën sesi është përjashtuar nga vendimi, prokurori tjetër, Kol Hysenaj, dhe vënien në dispozicion të procedurës së ndjekur nga ata.
Për të sqaruar paqartësitë e këtij vendimi, dy prokurorët kanë tre ditë kohë, ndërsa Imeraj ka paralajmëruar se vendimi në fjalë do të jetë nul nëse konstatohet se nuk është respektuar ligji.
Prokuroria e Tiranës mori të pandehur kreun e opozitës Lulzim Basha për dosjen e lobimit me para ruse në SHBA në zgjedhjet parlamentare të 2017-ës, dhe i kërkon gjykatës të caktojë datën e gjyqit për Bashën, Arben Ristanin dhe financierin e PD Ilir Dervishin.
Sipas njoftimit të siguruar nga Report Tv, Basha është i pandehur vetëm për falsifikim formulari në lidhje me deklarimet e shpenzimeve pranë KQZ, ndërsa akuza e “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, ka rënë.
/Shqiptarja.com