“Logu i Bjeshkëve” më 11 gusht kurorëzon të bukurën e dheut të Malësisë

Albert Vataj

Më 11 gusht 2024, ora 10:00, në Qafën e Predelecit, Kelmend, rikthehet “Logu i Bjeshkëve”. Kurorëzimi i së bukurës së dheut në “festën e traditës”, do të mrekullojë Lëpushën, Kelmendin e krejt magjinë e bjeshkës, me hiret e vajzave, me madhështinë e xhubletës me gazmendin e festës. Zgjohet nga përjetësia e vjen i hyjt këtu mes maleve shpirti i kremtes, përmbushja e amanetit të të parëve, vijimësia e traditës.

“Nën tingujt e instrumenteve shekullore, me zërin e mrekullueshëm të artistëve të mirënjohur, me valle tradicionale dhe me paraqitjen dinjitoze të vajzave konkurrente, ju ftoj të bëheni pjesë e këtij manifestimi të madh tradicional-kulturor.” shkruan kryebashkiaku i Malësisë së Madhe në rrjetet sociale, Tonin Marinaj, i cili fton të gjithë në këtë manifestim të madh të traditës, në këtë bashkëpjesmarrje dhe përjetim që vjen me vajzën malësore, për t’i treguar të sotmes dhe brezave, se sa i pasur ishte dhe ka mbetur shpirti ynë këtu mes maleve, se ç’farë bukurie të kristaltë sjell malësorja e stolisur me xhubletën, se pse ne meritojmë të jemi të përqafuar prej kësaj bujarie të mëkimit të traditës.

I rikthyer nga kohë e largët, ky event që zhvillohej çdo vit, që nga vitin 1998, të shtunën e dytë të muajit Gusht në fshatin Lepushë të Kelmendit, në vendin e quajtur Qafa e Predelecit.

Edhe këtë vit, kjo ngjarje bashkon malësorët nga gjithë bota në “Log”; për të kuvenduar, kërcyer, kënduar dhe për të gjetur më të bukurën zanë të e zanave të malësisë.

Për të gjithë ata që vetëm kanë dëgjuar dhe do të duan të bëhen pjesë e këtij kremtimi të festës së traditës, do t’i bëjnë vetes një dhuratë të paçmuar, duke marrë pjesë në “Logun e Bjeshkëve”. Atje ata do të përcjellin, jo vetëm spektaklin e ngjyrave dhe hireve malësore, të madhështisë solemne të xhubletës dhe larminë e etnokulturës, që do të shpalosët këtë ditë festive, por do t’u jepet mundësia të takohen me vajza dhe gra të bukura, njerëz të mrekullueshëm dhe bujarë.

Kësisoj do të përcjellin atë magji unike të malësore, duke e shënjuar këtë përvojë si një privilegj të përjetimit dhe pasurimit të momenteve shpirtërore.

Malsia e Madhe përmes “Logut të Bjeshkëve”, u rrëfen të gjithëve atë që ka qenë dhe do të mbetet në shekuj e shtrenjtë dhe e çmuar, amanetin e ruajtur thellë në gjirin e këtyre maleve dhe në shpirtin e këtyre njerëzve të mrekullueshëm, të thesarit të traditës, të hirit hyjnor të malësores.

 

SHKARKO APP