Lojërat Olimpike të Parisit fillojnë me ceremoni mbi Lumin Senë

Duke nxjerrë në pah reputacionin si djepi i revolucionit, Parisi filloi Lojërat Olimpike të premten me një ceremoni që nuk ndoqi rregullat e zakonshme. Ceremonitë u mbizotëruan nga tematika e fantazisë dhe yjeve, duke demonstruar këmbënguljen e këtij qyteti, ndërsa autoritetet përballeshin me akte sabotazhi që dëmtuan rrjetin e mirënjohur hekurudhor të Francës.

Ndërprerjet e mëdha u shkaktuan nga ato që zyrtarët francezë i quajtën sulme të koordinuara me zjarre të vendosura përgjatë shinave të trenave të shpejtësisë së lartë. Ndërkohë ceremonia në Paris u shoqërua edhe nga reshje, ndërsa njerëzit nga mbarë globi po ndiqnin çeljen e lojërave.

Por ceremonia që filloi në orën 7:30 të darkës e ndryshoi me shpejtësi disponimin.

Rëndësia e aktivitetit në Francë ishte e jashtëzakonshme. Dhjetëra kryetarë të shteteve dhe qeverive kishin ardhur në Paris dhe po vëzhgonin ndërsa qyteti u shndërrua në një skenë të madhe.

Ceremonia u zhvillua përgjatë Lumit Senë, duke i shndërruar monumentet e mirënjohura të qytetit në skena për valltarët, këngëtarët dhe artistë të tjerë.

Reshjet që lagën spektatorë dhe atletë dhe që shkaktuan kaos në transportin në qytet, nxjerrin në pah zgjedhjet e pazakonta dhe të guximshme që bëri Parisi për ceremoninë. Shtrirja e madhe gjeografike i detyroi organizatorët të transportonin turma më të mëdha, për të cilat gjithashtu duheshin ofruar masa të shtuara sigurie, në krahasim me lojërat e mëparshme olimpike që janë çelur me ceremoni në stadiume të mbyllura.

Megjithëse parashikimet e motit flisnin për reshje, organizatorët vendosën të mos e shtyjnë mbajtjen e ceremonisë çelëse. Moti i lagësht u përjetua nga mijëra atletë olimpikë që merrnin pjesë në paradën me varka përgjatë Lumit Senë dhe qindra mijëra spektatorët e mbledhur përgjatë brigjeve.

Sipas organizatorëve, priteshin të merrnin pjesë rreth 6,800 atletë në ceremoninë çelëse, nga 10,500 atletët që do të konkurojnë në sportet e ndryshme gjatë 16 ditëve në vazhdim.

SHKARKO APP