“Lonely Planet”: Piluri dhe Qeparoja, fshatra greko-shqiptarë

Autorja e këtij shkrimi, Brana Vladisejeviç, ka përshkruar destinacionet shqiptare ku mund të zhvillohet turizmi i aventurës: nga malet në veri, te lumenjtë ku ushtrohet sporti i rafting (lumi i Vjosës e Osumi) e duke u ndalur më në veçanti në jugun shqiptar. Shoqëruar me foto, të dhëna mbi fshatrat, traditën, muzikën (polifoninë), kulinarinë, veshjet popullore, artikulli përmend Gjirokastrën si qytetin e Ismail Kadaresë.

Udhëtimi i gazetares së “Lonely Planet” ka qenë pjesë e një turi të organizuar nga Ministria e Turizmit dhe Agjencia Kombëtare e Turizmit për disa gazetarë dhe tur operatorë të njohur ndërkombëtar. Ky udhëtim ishte pjesë e promovimit të turizmit shqiptar.
Megjithatë, ajo që të bie në sy në këtë artikull promovues për turizmin shqiptar është fakti se gazetarja e “Lonely Planet”, pasi ka shoqëruar dy fshatrat e Jugut, Qeparonë dhe Pilurin i cilëson si fshatra greko-shqiptarë. Gazetarja, pjesë e grupit të sjellë në Shqipëri nga Ministria e Turizmit, duhet të jetë shoqëruar po nga përfaqësues të ministrisë. Duket se guida nuk ka qenë fort e qartë në lidhje me banorët e Pilurit e Qeparosë.

Ja çfarë shkruhet në “Lonely Planet”: “Fshatrat malorë të Shqipërisë: Një ndalesë në fshatrat malorë greko-shqiptarë, Qeparo dhe Piluri – të vendosur 4km lart rrugës së vjetër Vlorë-Sarandë, pranë bregdetit jonian në jug të Shqipërisë – është një zhytje e paharrueshme në mikpritjen tradicionale lokale dhe kuzhinën e thjeshtë të maleve.
Piluri pretendohet të jetë vendlindja e iso-polifonisë (e cila është e pjesë e listës së UNESKO-s, si Trashëgimi Kulturore Jomateriale).

Ai ka më pak se 100 banorë, por ende e mbajnë gjallë traditën kënduarit. Qeparoja ruan stilin origjinal arkitektonik të zonës dhe disa pemë ullinjsh njëqindvjeçarë. Ai gjithashtu mban famën e dyshimtë e të qenit i lidhur me një nga ish-krerët e CIA-s, familja e të cilit emigroi në Amerikë nga ky fshat.
Një ekskursion i lehtë afër është kalaja e Porto Palermos (e lidhur me Ali Pashën), e vendosur në një gadishull piktoresk, me pamje nga një gji i këndshëm. Këshillë: Të dy fshatrat mund të vizitohen si pjesë e itinerarit të një turi me kalë, ose makina të larta. /BW

SHKARKO APP