Lot e dhimbje, pas 18 ditësh Anxhelës i jepet lamtumira. Babai: Do luftoj për drejtësinë
Për 18 ditë familja Meçani vajtoi për ndarjen tragjike nga jeta të vajzës 21-vjeçare, Anxhela Meçani. Dhimbja e madhe e familjes u shtua pasi nuk kishin mundësi për të marrë trupin e pajetë, por trupi i vajzës firake që u vra në Itali, u përcoll të premten drejt banesës së fundit bashkë me misterin e krimit tragjik.
Motra e vogël u ul në një karrige dhe lotonte, dhe dorën e mbështeste tek babai, ndërsa gjyshi puthi foton dhe ia vuri sipër arkivolit. Kjo është lamtumira për 21-vjeçaren që u vra barbarisht në Itali. Familjarët janë të pafuqishëm përballë kësaj fatkeqësie, pasi 5 muaj më parë, familjes Meçani i vdiq nëna e fëmijëve.
Pista kryesore ku po heton policia është ajo e hedhjes së vajzës nga makina. Nisur edhe nga fjalët e saj të fundit në spital: “Ai njeri nuk më pagoi”. Sipas policisë, ai ishte klient i 21-vjeçares dhe nuk ka dashur të paguante. Mes tyre ka pasur një konflikt, çfarë dyshohet se ka çuar në vrasjen e Anxhela Meçanit. Pritet përfundimi i hetimeve për të përcaktuar, nëse Anxhela është hedhur vetë apo e kanë hedhur nga makina.
Drejtësi
Familjarët tregojnë se trupi i Anxhelës ishte i dëmtuar dhe me shenja, ndërsa akuzojnë autoritetet italiane se nuk kanë sjellë një ekspertizë për të mësuar shkaqet e vdekjes. Ata shprehen se do ta ndjekin këtë çështje deri në fund, ndërsa kërkojnë dënim maksimal për autorin. “Për herë të parë krijoj një urrejtje për personin që ka kryer këtë akt makabër në Itali. Nuk e njoh as më njeh, dua të marrë dënimin më maksimal nga gjykata. Ia lëmë gjykatës dhe prokurorisë për të dhënë meritën e fundit të gjykimit”,-tha gjyshi Isa Veizaj.
Babai i së ndjerës, Dritan Meçani, u shpreh se do ta ndjek këtë çështje derisa të marr drejtësi për vajzën. “Krimineli i kësaj çështje të penalizohet me dënimin më të rëndë, nisur nga krimi i ashpër dhe dhimbjet që na ka dhënë neve. Do ta ndjek çështjen derisa të marrë drejtësi”. Më herët ata kishin kërkuar ndihmë për sjelljen e trupit të pajetë nga Italia për tu prehur në vendlindje.
Ngjarja
Anxhela Meçani u nda nga jeta në 10 qershor të këtij viti. 21-vjeçarja sipas mediave italiane u dhunua dhe u hodh në rrugë nga një makinë në qytetin e Torinos, ndërsa ndërroi jetë në spital si pasojë e plagëve të marra. Meçani ishte larguar drejt Italisë në muajin dhjetor bashkë me një të ri nga Fieri, i cili në një bisedë me një të afërme të 21-vjeçares thotë se atje viktima ishte celebruar me një italian për dokumente. Për këtë krim është arrestuar një shtetas italian, që dyshohet të ketë qenë edhe klienti i fundit i shqiptares, pasi thuhet se ajo punonte si punonjëse seksi.
Referuar mediat italiane, dyshohet se klienti e ka vrarë Anxhelën pasi nuk donte të paguante paratë pas shërbimit. Vajzës iu gjet një dokument identifikimi në rrobat që mbante veshur, por edhe telefoni celular.
Zyrtarisht ajo banonte në Ravenna, në një apartament në mes të qendrës historike, pak hapa larg “Da Piazza del Popolo”. Kujtojmë se shkurtin e kaluar ajo ishte martuar me një shtetas italian, disa vite më të madh se vetja, por pak muaj më vonë ishte larguar nga shtëpia dhe kishte humbur çdo lidhje me të.
KOHA JONË SONDAZH

