Loti 3 i rrugës Qukës-Qafë Plloçë, nën “maskën” e kompanive arabe!

Deri më tani, treguam se ndërtimi i rrugës Qukës-Qafë Plloçë, u ka kushtuar shqiptarëve më shumë se 316 milionë euro. 181 milionë euro i financoi Banka Islamike për Zhvillim, për ndërtimin e Lotit 1 dhe 2, dhe 75 milionë euro i financoi Fondi Saudit për Zhvillim, për ndërtimin e Lotit 3. Ndërkohë, shteti shqiptar, ka paguar edhe të paktën 57 milionë euro të tjera, ku 47 nga këto janë fatura TVSH-je ndërsa 10 milionë euro janë taksa dhe tarifa për kompanitë kontraktore.

Kostot e projektit u dyfishuan nënpretendimin se projekti fillestar ishte i gabuar, kjo nuk u vërtetua kurrë, pasi qeveria nuk kontraktoi eskpertë apo një studio të pavarur për të audituar dhe rishikuar projektin. Këto ndryshime iu lanë në dorë nënkontraktorëve, të cilat ARRSH i miratoi pa mdëshyje.

Ndërsa ju faktuam se si u frynë kostot me bekim të qeverisë, në vijim do të ndalemi tek paratë, se si u përcaktuan tenderat, e se si kompani ndërkombëtare u spostuan pasi kostot u frynë, e këto para do ët përfundonin në xhepat e kompanive të lidhura me eksponentë të qeverisë dhe Partisë Socialiste.

Swiss Digital Desktop Reklama

Për ndërtimin e Lotit 3, me gjatësi 9.6 km, fillimisht u përzgjodh kompania nga Arabia Saudite, Rauafed AL-Torok, e cila themeloi degën në Shqipëri Raëafed AL-Torok Ndërmarrje Kontraktuese-Dega e Shqiperisë.

Swiss Digital Mobile Reklama

Dega në Shqipëri u themelua në datën 15 tetor 2015, vetëm pak javë pasi sipas të dhënave të KLSH, ishte nënshkruar kontrata për ndërtimin e rrugës Qukës-Qafë Plloçë. Emisioni Plug lexoi dokumenta të kësaj kompanie, që zbardhin gjithashtu edhe të dhëna të rëndësishme që tregojnë se si u përfshinë sipërmarrës shqiptarë në projektin e rrugës Qukës-Qafë Plloçë.

Sipas një kontrate noteriale, që mban datën 11 tetor 2015, Shoqëria Rauafed AL-Torok me qendër në Riad, Arabia Saudite, vendos të themelojë degën në Shqipëri e cila do të quhet Raëafed AL-Torok Ndërmarrje Kontraktuese – Dega e Shqipërisë”.

Pas hapjes së degës në Shqipëri, kompania shprehet se mund të kryejmë ndërtimin e SEGMENTIT RRUGOR “QUKËS-QAFË PLLOCË, Seksioni Nr. 3 Km 33 + 800 deri në Km 43 +310, të hapë një llogari në banka të ndryshme dhe të marrë pjesë në të gjitha investimentet e mundshme për kompani të huaja.

Raëafed AL-Torok Ndërmarrje Kontraktuese ka emëruar Z. Almassad Saleh Abdulaziz  si përfaqësues ligjor të Degën së Shqipëri. Ndërsa në vijim, theksohet se përfaqësuesi i autorizuar për të themeluar degën në Shqipëri është pikërisht shtetasi Artan Sako, pronari i kompanisë 2T shpk.

Jo vetëm kaq, por edhe pse nuk ishte zyrtarisht Administrator i kompanisë, Artan Sako merr në dorë pushtetin absolute të shoqërisë Arabe, e cila do të ndërtonte lotin e tretë të rrugës Qukës-Qafë Plloçë. Sipas një prokure të posaçme, që mban datën 4 tetor 2015, Artan Sako emërohet përfaqësues i përgjithshëm i kompanisë AL-Torok Ndërmarrje Kontraktuese-Dega e Shqiperisë për një periudhë të pacaktuar, ndërsa kisthe kompenteca si më poshtë:

PROKURA PËR ARTAN SAKON

Të paraqitet në cdo institucion të Republikës së Shqipërisë për të marrë informacion për kompanitë të cilat unë i administroj, kam themeluar dhe regjistruar në Qëndrën Kombëtare të Regjistrimit (QKR) dhe Kompanitë tregtare dhe sipërmarrjes nën emrin “Raëafed AL-Torok Sipërmarrje Kontraktuese”. Të kryejë cdo procedure në QKR në kuadër të regjistrimit të kompanive të reja, paraqitjen e dokumenteve ku pjesëmarrësi (si person juridik apo fizik) është një nga kompanitë e përmendura më lart ose unë personalisht. Kjo prokurë specifike është e vlefshme për një periudhë të pacaktuar kohe deri në revokimin e saj nga Alarifi Saud Adbulaziz S. Të gjithë veprimet e kryera nga përfaqësuesi i përmendur më lart, sipas prokurës, i konsideroj të drejta dhe të mirëqëna sikur të ishin kryer nga unë vetë. Kjo prokurë iu lexua përfaqësuesit me zë të lartë, ky i fundit deklaroi se deklarat e mësipërme janë sipas vullnetit të tij të shprehur dhe nënshkroi pas asnjë pretendim.

Thënë ndryshe, Artan Sako ishte defakto, pronari i degës së kompanisë Arabe në Shqipëri, që do të kontrollonte gjithçka në ndërtimin e rrugës Qukës-Qafë Plloçë. Kompania Rauafed AL-Torok Ndërmarrje Kontraktuese – Dega e Shqipërisë, deklaron rreth 28 milionë euro faturime për vitet 2016-2018, periudhë në të cilën ajo kryente punimet për ndërtimin e Lotit 3 të Qukës-Qafë Plloçë. Sipas KLSH punimet për ndërtimin e rrugës Qukës –Qafë Plloçë kanë nisur në janar 2016, ndërsa kompania arabe ka hapur adresën dytësore në fshatin Qukës, në datën 3 mars 2016. Në datën 7 mars, pra katër ditë më pas, edhe kompania 2T e Artan Sakos regjistron adresë në aksion rrugor Qukës-Qafë Plloçë. Sipas të dhënave, shoqëria “2T” shpk me administrator Artan Sako, kërkon të pajisjet me nipt sekondar për objektin: Ndërtim i Rrugës Qukës Qafë Plloçë km 33+800 – km 43 + 310, pra Loti 3 prej 9.6 km i rrugës Qukës Qafë Pllocë. Kompania 2T duket se ka qenë subjekti i vetëm kontraktor që ka punuar në terren në aksin rrugor Qukës-Qafë Plloçë, në Lotin 3, duke kryer të gjitha punimet civile.

Kjo vërtetohet nga fakti, pasi në datën 6 shkurt 2017, kompania 2T pajisjet me Leje perdorimi per lende plasese” ne funksion te punimeve per ndertimin e rruges Qukes – Qaf-Plloce, Segmenti 3, Pogradec, Korçe.”. Adresa në aksin rrugor Qukës-Qafë Plloçë mbahet e hapur deri në datën 23 mars 2022, ditë kur në të cilën Belinda Balluku i jep Artan Sakos tenderin për ndërtimin e Unazës së Madhe të Tiranës, Lotin 7, i cili është aktualisht nën hetim nga SPAK.

Në vitin 2022, Artan Sako rifutet përsëri në lojë, por këtë herë jo i fsheur si përfaqësues i kompanisë arabe, por bëhet ortak me shumicën e aksioneve në një filial të ri të krijuar nga e njëjta kompani arabe. Sipas kushteve të kontratës së huasë mes Qeverisë Shqiptare dhe Fondit Saudit, autoritetet tona pasi të merrnin paratë do të duhet të kontraktonin një kompani Arabe për të kryer punime. Pra thënë ndryshe, Njësia e Menaxhimit të Projektit për Lotin 3 të rrugës Qukës – Qafë Plloçë, do të rishpallte tenderin, por ky tender do t`i jepej një kompanie arabe së bashku me tenderin për supervizimin e projektit. Kjo është përcaktuar në Seksionin 3.03 dhe 3.04 të kontratës së huasë.

KONTRATA

Huamarrësi do të marrë masa që Agjencia Ekzekutuese të punësojë konsulentë sauditë të kualifikuar dhe me përvojë, të pranueshëm për Fondin, me qëllim që të asistojnë në tenderimin e Projektit dhe mbikëqyrjen e ekzekutimit të Projektit. Huamarrësi do të marrë masa që Agjencia Ekzekutuese të punësojë kontraktues, furnizues kompetentë dhe të kualifikuar sauditë dhe të përdorë produkte të tilla në realizimin e Projektit, të pranueshme për Fondin në bazë të termave dhe kushteve të kënaqshëm për Fondin.

Dhe për të zhvatur paratë e kredisë së re prej 50 mln dollarësh për përfundimin e 9.6 km rrugë të aksit Qukës-Qafë Plloçë, duket se Belinda Balluku dhe Artan Sako kishin menduar edhe planin për të shmangur kushtet e kontratës.

Për këtë arsye, në 12 qershor 2022, gjashtë muaj përpara se kontrata të miratohej, por disa muaj pasi ishte marrë aprovimi në parim nga Fondi Saudit, krijon kompaninë RAUAFED AL-TOROK SHQIPERI. Edhe kjo shoqëri krijohet si filial i kompanisë RAËAFED AL-TOROK CONTRACTING CO, e cila krijoi në vitin 2015 kompaninë Rauafed AL-Torok Ndërmarrje Kontraktuese-Dega e Shqiperise për të ndërtuar pikërisht lotin e tretë të rrugës Qukës-Qafë Plloçë, me vlerë financimi 25 milionë dollar sipas huasë së marrë në vitin 2014.

Ndërkohë, kompania RAUAFED AL-TOROK SHQIPERI, u themelua me bashkëaksioner shoqërinë 2T të Artan Sakos, i cili mori 53 % të aksioneve ndërsa 47% të aksioneve iu lanë kompanisë Arabe RAuAFED AL-TOROK CONTRACTING CO, ndërsa vlera e kapitalit në këtë shoqëri ishte vetëm 10 mijë lekë të rinj apo 100 mijë lekë të vjetër.

Pasi tenderi u sigurua dhe tashmë do të duhej vetëm thithja e 50 milionë eurove për punimet, në mënyrë të palogjikshme sipërmarrësit arabë vendosin të largohen, e gjithçka mbetet në dorë të Artan Sakos.. Në datën 16 nëntor 2023, kompania 2T e Artan Sakos, vendos të blejë 47% të aksioneve të shoqërisë RAUAFED AL-TOROK SHQIPERI që ishin në pronësi të kompanisë Arabe RAUAFED AL-TOROK CONTRACTING CO. Vlera e shitjes së aksioneve, ishte për shumën qesharake të vetëm 4700 lekëve, ndërsa Artan Sako bëhet pronar i kompanisë me emër Arabe, që siç e thamë më sipër ishte e domosdoshme që Fondi Saudit të lëvronte financimin për përfundimin e segmentit 9.6 km që nisi të ndërtohej në janar të vitit 2016. Ajo që bie në sy, është fakti se shoqëria RAUAFED AL-TOROK SHQIPERI që u kontraktua për të përfunduar punimet në këtë segment, nuk hapi kurrë adresë dytësore në kantierin Qukës-Qafë Plloçë.

Një tjetër fakt, që konfirmon se kompania Arabe u përdor nga Belinda Balluku vetëm për të plotësuar kriterin e marrjes së kredis nga Fondi Saudit për Zhvillim, është edhe hapja e adresë së re nga kompania 2T në rrugën Qukës Qafë Plloçë. Vetëm pak ditë pasi blen aksionet e kompanisë RAUAFED AL-TOROK SHQIPERI, në 14 dhjetor 2023,  në 20 dhjetor 2023 regjistron edhe adresën Korce; POGRADEC; Pogradec; POGRADEC; Ndertimi i rruges Qukes -Qafe plloce, Km.33+800 – Km.43+310, fshati Geshtenjas, Bashkia Pogradec. Për vitin 2023, Rauafed Al-TOROK Shqipëri, deklaron vetëm një punonjës dhe të ardhura totale 44 mijë euro.

Për vitin 2024, pasi nis puna në Lotin 3 të Qukës-Qafë Plloçë, kompania deklaron 1.6 miliardë lekë faturime apo rreth 16 milionë euro. Edhe numri punonjësve vijon të jetë jo më shumë se dy punonjës. Kjo e dhënë dëshmon gjithashtu se arabët u përdorën veç për ploësimin e kriterit për të mashtruar Fondin Saudit për Zhvillim dhe se në të vërtet pas kompanisë që do të ndërtonte këtë aks ishte Artan Sako, që me firmë të Belinda Ballukut do të merrte 50 milionë euro shtesë sipas rishikimit të projektit.

Kjo dëshmohet nga fakti, se kompania kishte nënkontraktim nga palë të treta në vlerën e 15 milionë eurove për vitin 2024. Ndërkohë për vitin 2025 kompania nuk ka dorëzuar ende bilance në QKB.

Pra këto të dhëna, ngrejnë gjithshtu dyshime, se për rreth një vit e gjysëm pasi ishte nënshkruar marrëveshja e rifinancimit dhe pasi ishin kryer procedurat e ritenderimit për Lotin 3 të rrugës Qukës-Qafë Plloçë, në terren nuk është kryer asnjë punim, ndërsa ato kanë rifilluar vetëm pasi Artan Sako kopsiti letrat për të larguar arabët nga ndarja e 50 milionë eurove.

Por të dhënat e QKB tregojnë se deri në 4 janar 2024 ka vepruar në terren filiali Rauafed AL-Torok Ndërmarrje Kontraktuese-Dega e Shqiperise i themeluar në vitin 2015, kur përfitoi tenderin e parë. Pra, deri këtu kuptohet qartë se dy filialet e kompanive Arabe u përdorën nga qeveria shqiptare për të futur në tenderin 75 milionë eurosh pikërisht Artan Sakon, i cili në huanë e parë u shfaq si përfaqësues zyrtar i kompanisë arabe, ndërsa pasi në krye të ministrisë së infrastrukturës erdhi Belinda Balluku, Artan Sako mori në dorë 50 milionë euro për të përfunduar punimet e rrugës qukës Qafë Plloçë.

Në total, vetëm Loti 3 prej 9.6 km I Qukës -Qafë Plloçë, I ndërtuar nga kompania 2T, e Artan Sakos, kushtoi mbi 87 milionë euro, apo thënë ndryshe, kostoja totale e këtij segmenti është e barabartë me koston totale të të gjithë rrugë së re Korçë-Ersekë, e cila gjithashtu u shemb.

Është e qartë, se Artan Sako, kompania e të cilit ka përfituar mbi 110 milionë euro tendera publik, i denoncuar më herët nga emisioni inestigativ Plug për parqet fovoltaike të dhëna nga Belinda Balluku dhe i marrë nën hetim nga spak për lotin 7 të unazës së madhe të Tiranës, gjithashtu vepër e Belinda Ballukut, ndërtoi 9 km rrugë të Qukës Qafë Plloçë, të cilat u shembën ende pa u inaugruar mirë.

Tashmë i mbetet SPAK të hetojë se nëse 87 milionë euro për ndërtimin e 9 km rrugë, u përdorën siç duhet, apo Artan Sako dhe Belinda Balluku përdorën preteksine  rishikimit të projektit, për të zhvatur fondet e ndërtimit të kësaj rruge.

Por ende pa u marrë në dorëzim rruga, pra vetëm pak ditë nga inaugurimi zyrtar, në 26 shtator 2025, Autoriteti Rrugor Shqiptar shpall një tjetër tender, me objekt Mirëmbajtje me performancë e segementit rrugor Qukës-Qafë Plloçë. Fondi limit i këtij tenderi ishte rreth 318 mijë euro.

Fituesi i tenderit u shpall në datën 1 dhjetor, pak ditë pasi Belinda Balluku ishte marrë e pandehur nga SPAK për abuzimin te tenderit të Tunelit të Llogarasë. Çuditërisht fitues i këtij tenderi për mirëmbajtjen e rrugës shpallet pikërisht ndërtuesi i Lotit 3, të Qukës – Qafë Plloçë, kompania 2T e Garmos Sakos.

Ajo që ngre dyshime në këtë tender, është fakti se ai u shpall fill pasi rruga u  inaugurua dhe ende nuk ishte marrë në dorëzim nga ARRSH. Praktikisht, rruga do të duhej të ishte nën garanci nga kontraktori, ndaj ngrihen pikëpyetje pse Belinda Balluku vendosi të hap dhe më pas t`i japë një tjetër tender kompanisë 2T, kur kjo e fundit do të  duhet të garantonte sigurinë e rrugës për të paktën një vit pas inaugurimit zyrtar?

Por, shembjet që ndodhën vetëm pak ditë pas inaugurimit të rrugës, ndoshta shpjegojnë edhe arsyet pse Balluku vendosi t`i japë me nxitim Artan Sakos edhe 300 mijë euro shtesë për mirëmbajtjen e rrugës.

Gjithashtu ky tender është i dyshimtë për paracaktim, pasi të dhënat tregojnë se ARRSH përzgjodhi si fitues kompaninë 2T të Gramos Sakos me ofertën më të shtrenjtë, duke skualifikuar nga gara katër operatorë të tjerë, të cilët ofruan deri në 80 mijë euro më pak për mirëmbajtjen e kësaj rruge. Madje, ajo që bie në sy, është fakti se të gjithë operatorët e tjerë ekonomik janë vlerësuar me ZERO pikë, ndërsa 2T është vlersuar me 285 pikë. Ndaj edhe ky tender, që i shtohet kostos totale të rrugës, duhet të kalojë në duart e SPAK për të parë sesi ka ndodhur…

Pra, thënë më qartë: Qukës-Qafë Plloçë me gjatësi 43 km, u projektua nga një kompani ndërkombëtare dhe kosto e saj fillestare ishte 155 mln euro. Financimi dhe projekti u la gati nga qeveria paraardhëse, por Edi Rama vendosi ta niste ndërtimin e rrugës në vitin 2015-2016. Pak muaj pas nisjes së punës, Edi Rama njofton shqiptarët se projekti do rishikohet, puna ndalet, afatet zvarriten, kostoja rritet.

Rishikimi i projektit bëhet pas vitit 2019, kur në Ministrinë e Infrastrukturës shkel Belinda Balluku e kjo e fundit kërkon rifinancim të projektit të rishikuar, ku kostot rriten direkt me 105 milionë euro. Dhe ndryshimi i projektit, duket se motiv kryesor nuk kishte defektet e projektit fillestar, por zhvatjen e më shumë se 316 milionë eurove, ku gati një e treta e të gjithë fondit, u kanalizuan tek një nga kompanitë e preferuara të Belinda Ballukut, 2T e Artan Sakos. (marrë nga syri.net)

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se me 10 shkurt demokratët do të qëndrojnë në Shesh?