LSI bashkon votat me PD në Prrenjas, bllokohet kandidatura e PS

Krisjet e koalicionit qeveritar, reflektohen në bazë. Mbledhja e Këshillit Bashkiak të Prrenjasit, ku do të votohej për sekretarin e këshillit, është shoqëruar me debate, madje edhe me një bashkim të votave mes LSI dhe PD kundër kandidatit të propozuar nga PS.

Kryetarja e bashkisë Miranda Rira tha se, PS nuk ka respektuar marrëveshjen mes koalicionit.

Rira shpjegoi se sipas kësaj marrëveshjeje, në bashkitë e kryesuara nga LSI, PS do të ketë kryetarin ndërsa sekretari i Këshillit Bashkiak do të jetë nga LSI.

Por duket se kryetarja e Këshillit Bashkiak të Prrenjasit, e cila i takon PS, ka propozuar një kandidate sërish nga kjo forcë politike, çka ka bërë që LSI të bashkojë votat me PD për ta rrëzuar.

Nga 20 këshilltarë që morën pjesë në votim, 12 prej tyre votuan kundër kandidaturës së Albina Rirës për sekretare.

Në lidhje me këtë çështje ka reaguar edhe deputeti socialist Taulant Balla, i cili e cilësoi këtë një mungesë koordinimi. Balla tha se nuk ka asnjë mosfunksionim të koalicionit në Prrenjas.

Sekretari i Këshillit Bashkiak të Prrenjasit pritet të votohet në mbledhjen e ardhshme të tij.

SHKARKO APP