Luan Hajdaraga: PS nuk rrezikon të përçahet
(Botuar me 20 Tetor 1995 në KOHA JONE)
Intervistë me Nënkryetarin e PS, Luan Hajdaraga
Pas zhvillimit të mbledhjes së komitetit të përgjithshëm drejtues të PS, më tepër rëndësi i është kushtuar këto ditë shkarkimit të pesë anëtarëve të kryesisë dhe zëvendësimin e tyre me anëtarë nga baza në një kohë që në agjendën e punimeve të kësaj mbledhjeje është diskutuar edhe për pika të tjera të rëndësishme.
Komiteti i përgjithshëm i PS siç është bërë e ditur vendosi thirrjen e Kongresit të dytë të PS, miratimin e rezolutës mbi situatën politike në vend dhe miratimin e propozimit të kryetarit të PS Fatos Nano për disa ndryshime në kryesi me synimin: ripërtëritje dhe rritje e efektivitetit të punës së forumeve të larta të partisë. Komiteti i përgjithshëm drejtues u ndal edhe në kooptimin e shokëve të rinj drejtues në këtë komitet, në zgjedhjet me kryesinë e PS të anëtarëve të rinj nga rrethet dhe në lirimin nga detyra e anëtarëve të kryesisë të disa shokëve që mbetën tashmë anëtarë të komitetit drejtues të PS.
Si është menduar nga ana juaj përgatitja e Kongresit të PS në dy seanca?
Në bazë të statutit të partisë në çdo katër vjet zhvillohet kongresi i zakonshëm dhe më 1996, përpos statutit zhvillohet edhe Kongresi i dytë i PSSH. Pra, mbajtja e këtij kongresi të dytë bëhet në përkim me kohën e zhvillimit të zgjedhjeve legjislative. Për këtë arsye, ne vendosëm që kongresi të zhvillohet në dy seanca. Seanca e parë do të bëhet para fushatës elektorale, ku ne do të miratojmë programin elektoral të PS dhe njëkohësisht kandidaturat për deputet të partisë sonë. Ndërsa në seancën e dytë pas zgjedhjeve, kongresi do të marrë në analizë arritjet e PS në këto zgjedhje dhe së dyti do të bëjë edhe zgjedhjet në organet drejtuese të partisë. Pra konceptimi i kongresit me dy seanca, bëhet pikërisht për të qenë konform me zhvillimin e zgjedhjeve elektorale në Shqipëri. Kjo është një praktikë që zbatohet për herë të parë në vendin tonë, në një kohë që është zbatuar në vende të tjera. Për afërsi gjeografike mund të flas për Hungarinë. Socialistët hungarezë këtë praktikë ndoqën: zhvilluan një kongres të ndarë në dy seanca, në seancën paraelektorale dhe pas zgjedhjeve. Gjykojmë se kjo është më e arsyeshmja sepse seanca e parë parapërgatit partinë për zgjedhjet politike dhe seanca e dytë në varësi të pushteteve dhe specifikave që krijohen pas zgjedhjeve, i jep partisë mundësinë për të gjykuar rezultatin e zgjedhjeve dhe për ardhmërinë politike të PS.
Po për sa i përket aleancave të PS, kohët e fundit është folur për mundësi bashkëpunimi me forca të tjera…
Në komitetin e përgjithshëm drejtues, u shpreh gatishmëria që PS të jetë e hapur me forca të tjera politike për të bërë aleanca para apo pas zgjedhore. Sigurisht në këtë drejtim ne nuk na ka munguar vullneti i mirë politik për të hapur rrugë të bashkëpunimit dhe njëkohësisht dhe të aleancave. Në qoftë se në partitë e tjera është siguruar një bashkëpunim i ngushtë në momente të caktuara politike, kjo nuk do të thotë që këto bashkëpunime të mos kalojnë deri në hedhjen e aleancave para dhe pas elektorale, të cilat sipas gjykimit tonë janë më se të domosdoshme për faktorin politik shqiptar.
Drejt kujt poli do të drejtohet Partia Socialiste për këto aleanca? Mos vallë drejt atij të Qendrës?
Sigurisht që partitë i kërkojnë aleancat e tyre brenda një spektri të caktuar që lëviz, p.sh. në rastin e partisë sonë, në anën e majtë duke shkuar drejt qendrës së djathtë. Në këtë pikëpamje unë do të thosha se forcat politike më të përshtatshme për aleanca të tilla do të ishin PSD, PAD, PBDNJ. Sigurisht kjo është vetëm një ofertë që bëhet, njëkohësisht edhe kërkesë nga ana jonë, por në çdo rast kuptohet që bashkëpunimi kërkon edhe partner. Shpresoj se kësaj gatishmërie që apelojmë ne, forcat e tjera politike do t’i përgjigjen pozitivisht. Sa për afrim të PS me polin e qendrës, e thashë edhe më parë se këto mbeten në kuadrin e ofertave dhe synimeve që praktikisht mbeten për t’u realizuar. Kuptohet se midis asaj që kërkohet dhe asaj që realizohet është një rrugë e tërë drejtvizore…
Pse pikërisht tani PS po mendon për aleanca, duke pasur parasysh se gjatë gjithë kohës është shprehur e sigurt për fitoren dhe mosaleancimet?
Çdo parti që hyn në një fushatë elektorale, sigurisht i bën llogaritë mbi bazën e burimeve që ka dhe llogaritë tona bëhen pikërisht mbi resurset e brendshme të Partisë Socialiste. Kjo nuk do të thotë dhe është plotësisht e besueshme që të kërkohen edhe aleatët jashtë saj, sepse ato rrisin forcën e ndikimit politik dhe njëkohësisht sigurojnë një stabilitet më të madh në qeverisje. Nuk është një eksperiencë e provuar për herë të parë në Shqipëri. Në shumë vende Evropiane dhe të Lindjes, praktika e aleancave para dhe pas zgjedhore, ka dhënë rezultate tepër pozitive. Pra në kërkim të këtyre rezultateve pozitive është edhe PS duke menduar se realiteti shqiptar para dhe pas zgjedhjeve do t’i shërbejë më së miri edhe këto aleanca.
A mendoni se këto forca politike do të jenë të predispozuara për bashkëpunimin me ju?
Në politikë nuk ka koncepte të ngurta dhe unë i mbetem atij parimi që politika duhet t’i përshtatet situatave që krijohen. Me sa shohim, ligji që është projektuar dhe që së shpejti do të vijë në Parlament për ngritjen e barazhit të pranimit të hyrjes së partive në Parlament deri në 7-8 për qind, do t’i vërë disa parti të majta apo të qendrës në vështirësi të mëdha për sa i përket hyrjes. Kështu që rrjedhimisht lind edhe detyrimi i tyre për të siguruar aleatë të nevojshëm pasi në rastin konkret parashikohen jo pak pengesa.
A mund t’i quajmë ndryshimet e para dy ditëve si “tërmet” në PS?
Unë nuk mund të them që situata që u zhvillua në mbledhjen e komitetit të përgjithshëm drejtues në PS, është një tërmet. Sigurisht këto janë figura gazetareske, të nevojshme për shtypin e ditës. E vërteta është që ky komitet i zhvilloi punimet e tij në bazë të një rendi të përcaktuar mbi disa procedura të miratuara dhe situata ishte fare normale.
Para dy ditësh, në konferencën e tij për shtyp Presidenti Berisha është shprehur se PS po kalon krizën e saj më të thellë…
Ky nuk është një term i ri që përdoret në fjalorin politik të Presidentit Berisha. E kemi dëgjuar vazhdimisht dhe nuk na bën më ndonjë përshtypje kushedi se çfarë. Momentet e deritanishme reflektojnë pikërisht të kundërtën, që PS synon drejt strukturimit më të mirë të saj, drejt rinovimit dhe përcaktimit të strukturave.
Deri tani PS është e vetmja forcë politike që i ka shpëtuar ndarjes. Mendoni se nuk është e vonë që edhe për PS të bëhet realitet ndarja e ndonjë grupi?
Mendoj se PS, me programin dhe statutin e saj në strukturat që ajo disponon ka siguruar hapësira të nevojshme të diversitetit të mendimeve dhe ideve. Në këto hapësira, duke mos patur diktat nga lart, ekziston mundësia e një shkëmbimi të lirë të ideve dhe opinioneve brenda një programi. Në këtë pikëpamje sigurimi i këtyre hapësirave brenda PS nuk rrezikon të krijojë përçarje ashtu siç pritet shpesh nga kundërshtarët tanë politikë.
Ju e keni fjalën për periudhën para zgjedhjeve apo pas?
Flas gjithmonë për realitetin para zgjedhjeve, flas për një situatë të tanishme. Sigurisht pas zgjedhjeve dhe më vonë nuk mund të parashikoj me saktësi se si do të zhvillohen ngjarjet në partinë tonë sepse nuk kam as aftësinë për ta bërë një gjë të tillë. Por duke gjykuar mbi gjasat konkrete, them me bindje të plotë se nuk ka asnjë arsye dhe motiv për të ndodhur përçarje apo ndarje në partinë tonë.
Cili është roli i liderit të PS Fatos Nano, pikërisht në këtë situatë për PS duke pasur parasysh edhe se ai ishte promotori kryesor i ndryshimeve të fundit të kryesisë?
Fatos Nano është kryetar i PS dhe ka të drejta statutore të cilat i njihen dhe janë të garantuara në statutin e PS. Në rastin konkret, propozimi që ai bën, lidhet ngushtë me konceptin e rinovimit të PS dhe përqasjes së strukturave të partisë me kushtet aktuale politike në Shqipëri. Në këtë pikëpamje nuk ka asnjë shqetësim. Të gjitha partitë në prag të fushatave elektorale testojnë veten, kolaudojnë në strukturat e tyre me qëllim që të përballojnë sfidat e mëdha të këtyre zgjedhjeve. Zhvillimet e fundit në Partinë Socialiste janë pikërisht të këtij opsioni, për të siguruar një kolaudim më të mirë të strukturave të partisë për fushatën e zgjedhjeve të ardhshme.
Pra me këtë lidhet edhe zëvendësimi i pesë anëtarëve të deritanishëm të kryesisë së PS me kandidatë nga rrethet?
Pra, pikërisht me përpjekjet gjithmonë në rritje për rinovim të partisë sonë.
Intervistoi Jonila Godole