Luan Rama: Ernesto Sabato vazhdon rrëfimin e tij shpirtëror
(Botuar me 18 Prill 1996 në KOHA JONE)
Nga Luan Rama-
U takova përsëri me Ernesto Sabaton, në hollin e hotelit “Le Madison”. Në duar kam librin e tij “Engjëlli i errësirave” (L’Ange des Tenebres) mbi të cilin ai hedh një shënim të ngrohtë. – Nuk di nëse është shkruar mirë dhe nëse lexohet, – thotë duke qeshur ai, pasi tashmë ai as nuk mund të shkruajë dhe as nuk mund të lexojë. Një libër që të mbërthen në ngjarjet që trajton dhe që është vlerësuar mjaft nga kritika botërore. Ai u cilësua si një “introduksion halucinant e madhor në mbretërinë e demonëve”, ndërsa revista e njohur “Les Nouveles Litteraires” me rastin e botimit të librit shkroi se “Sabato i përket rrethit të shkrimtarëve të mëdhenj metafizikë për të cilin romani është një tërësi, një fjalim filozofik, një valle luftarake, një demonstrim dhe lirizëm, shkurt një “zbulim i realitetit”. Në këtë vepër gërshetohen refleksionet e tij filozofike, të afërta me ato të filozofisë romantike gjermane. Ai flet për Nice Jung Ileidegger Jaspers dhe nuk harron të flasë për Marksin si një mendimtar të fuqishëm. Libri në vetvete është një kronikë e persekutimeve që ka patur shkrimtari, se ai ka guxuar të rilevojë dhe denoncojë në librat e tij të mëparshëm forcat sekrete dhe të errëta që qeverisin njerëzit përmes terrorit. Një kronikë e betejës vetmitare të krijuesit që papritur gërshetohet me universin e personazheve dhe fantazmave të tij, kronike e një vendi ku dhomat e torturave gjendeshin shumë pranë salloneve letrare, kronikë e agonisë së një qytetërimi në gjurmët e triumfit të së keqes e që përmblidhet në letrën e një të panjohuri adresuar OKB duke i kërkuar që të zhduket emri i tij si pjesëtar i kësaj race njerëzore. Ishte pikërisht Sabato që i rezistoi aq shumë diktaturës. Ishte ai që pas shembjes së diktaturës udhëhoqi komisionin për hetimin e të “zhdukurve” të diktaturës argjentinase. Artisti kundër shtetit. Shteti kundër artistit… Dhe kur ai dëgjon se gazetarët shqiptarë kërcënohen, burgosen, pse thonë të vërtetën, ai më kthehet i shqetësuar: – Mos vallë është diktaturë? – Jo, – i përgjigjem. Diktatura ka perënduar një herë e përgjithmonë dhe nuk do të rikthehet më. Këto janë eksese të një pushteti që nuk e ka mësuar mirë se ç’është demokracia. Dhe kështu, shtruar, nis biseda me shkrimtarin.
Në shumë ese që keni shkruar, veçanërisht në “Heterodoxie” apo “Shkrimtari dhe katastrofa” ju shtroni probleme që kanë të bëjnë me procesin e krijimit dhe arti në përgjithësi. Në këtë prizëm, si e klasifikoni ju artin tuaj?
Arti im?… Arti im s’është asgjë tjetër veçse një grusht obsesionesh. Obsesione të trazuara, të shqetësuara, shpesh tentativa irracionale, me ambiguitetet dhe kontradiktore. Nëse një pjesë e veprës sime do t’i rezistojë kohës, ajo do të jetë një pjesë deliresh që unë nuk e shpjegoj dot. Hoderlin thotë diku se “çdo njeri është zot kur ëndërron dhe një lypës i thjeshtë kur mendon”… Kjo është e gjitha. Unë nuk i besoj një arti racionalist.
Ju jeni fëmija i 10-të i familjes Sabato dhe që të gjithë djem. Fëmija që lindi para jush quhej Ernesto Sabato dhe ai vdiq shpejt. Kështu ju morët emrin e vëllait tuaj të vdekur. A ju ka ndjekur vallë ky emër gjatë krijimtarisë tuaj?
Nëna ime ishte shumë e lidhur me Erneson që vdiq. Pas atij, ajo u lidh tmerrësisht me mua dhe nuk deshi të lindtë më fëmijë të tjerë. Unë kisha vëllezër të mëdhenj që mund të ishin fare mirë prindërit e mi. Fëmijëria ime ka qenë shumë e mundimshme. Të gjithë vëllezërit ishin të lirë, shkonin në lumë, bridhnin, ndërsa unë isha si një i burgosur i nënës sime. Kjo më revoltonte shumë kundër saj, e kështu fillova të jetoj në një kushmar të përhershëm, ku kisha halucinacione dhe 10 vjet me radhë isha një somnambul. Dhe kjo la gjurmë të mëdha në gjithë krijimtarinë time.
Megjithatë, vepra juaj dëshmon kohën që ju keni jetuar, ngjarje që ka kaluar Argjentina, diktaturën, demokracinë… Jeta juaj kap pothuaj gati një shekull.
Është e vërtetë që një shkrimtar është gjithnjë një dëshmitar i epokës së vet. Aq më tepër një shkrimtar, pasi romani është diçka më e plotë dhe komplete. Letërsia ka prioritet në këtë drejtim në krahasim me artet e tjera si muzika, piktura, skulptura etj. Një romancier i madh e shqetëson gjithnjë epokën e tij shtetin, njerëzit. Unë nuk shkruaj që të tjerët të më pëlqejnë, por që kur të më lexojnë ata të shkunden, të zgjohen.
Letërsia juaj është mjaft e fuqishme dhe unë doja të dija se si punoni ju?
Unë punoj me intuitë. Është intuita ajo që më udhëheq në udhën e procesit krijues. Vështirësia ime më e madhe është përfundimi i veprës. Jam gjithnjë i pasigurt. Vështirë ta heq nga duart një roman apo një libër. Pra veprat i shkruaj për një kohë të gjatë. Ndryshe ka ndodhur me “raporti i ëndrrave” që është në romanin “Alejandra”. Atë e kam shkruar me një frymë, brenda një muaji.
Romanet tuaja, për nga stili, ndryshojnë nga shkrimet e Borgesit, apo të Asturiasit dhe aq më shumë nga Markezi, megjithëse për nga fryma ju keni pikëtakime me ta.
Stili është vetë njeriu, individualiteti, ekzistenca e tij, mënyra e tij origjinale e të vështruarit të botës, realitetit. Pra mënyra se si gërshetohen mendimet emocionet, sensibiliteti me çmendurinë, paragjykimet etj. Çdo shkrimtar ka stilin e tij, ndryshe janë shkencëtarët. Nuk mund të flitet p.sh. për një stil të teoremave të Pitagorës.
Në librin tuaj të fundit “Engjëlli i Errësirave” ju keni treguar shumë ngjarje nga jeta juaj personale. Gjithashtu, edhe në romanin tuaj të fundit ju shkruani gjëra të ngjashme që kanë të bëjnë me ju dhe nënën tuaj, me Shqipërinë, origjinën shqiptare, Skënderbeun flisni madje për Apollinerin që ka shkruar për shqiptarët…
Në të gjitha librat e mi unë jam dhe nuk jam në to. Po ta mendojë dikush se unë jam heroi i këtij romani të fundit kjo do të ishte absurde. Ai roman është një kushmar. P.sh., “raporti i të verbërve” ka një vizion të përgjithshëm të inkoshiencës. Në romanet e mëdha është inkoshienca që i bën ato interesante, metafizika… Në letërsinë e kohës sonë ka vepra të një dimensioni tragjik dhe të një rëndësie metafizike që nuk mbeten prapa veprave të Sofokliut e të Europidit.
Ndoshta pikërisht për këtë i pëlqen aq shumë Dostojevski?
Me Dostojevskin fillon epoka e letërsisë së madhe. Dostojevski, Pier Kegard, Nice… udhërrëfyes të epokës sonë. Dostojevski është nga ata shkrimtarë që i imponoi botës një vizion të ri.
Pikëtakimi juaj i parë me një estetikë artistike ndodhi në Paris, në vitet 30. Përse u bashkuar me surrealistët?
Atë kohë, unë punoja në laboratorët e Joliot Currie, pranë Rue d’Ulm. Ditën e kaloja me shkencën, natën bëja eksperiencën e dëlirit. Surrealizmi m’u shfaq si një zjarr purifikues kundër kulturës së çhumanizuar. Natën mblidheshim në kafene “La Dome” apo në “La Coupole”, ku kam njohur Bretonin, T. Tzara, mikun tim piktor Domingues apo Matta Ferri etj.
Krahas letërsisë pasioni juaj i dytë ka qenë piktura, të cilës tashmë i jeni përkushtuar dhe ku ndihet një influencë e Jerome Bosch. Cilët janë piktorët tuaj të preferuar?
Ah, Bosch, atë piktor e pëlqej shumë. Në fakt unë preferoj ekspresionistët. Ekspresionizmi nuk u përket vetëm gjermanëve. Ekspresionizmi në art ka eksituar gjithnjë, që nga koha antike. Një ditë, një i huaj që vinte nga rrethinat e Athinës për në kryeqytetin e madh grek pa Sokratin midis nxënësve të tij. Kur u afrua dhe bisedoi me Sokratin, ai i tha: në fytyrën tuaj shoh gjithë veset e njeriut! Sokrati në vend që të zemërohej, qeshi me konstatimin e udhëtarit i cili ishte ngacmua nga ekspresioni i fytyrës së tij. Pra, ekspresioni ka rëndësi në art.
Edhe portretet e Kafkës që keni pikturuar në albumin tuaj duken mjaft ekspresionistë. Përse jeni referuar kaq shumë Kafkës në pikturë, si dhe në letërsinë tuaj?
Unë e dua shumë Kafkën. Jo vetëm artin e tij por veçanërisht jetën e tij. Kafka i shkretë ka vuajtur. Unë gjithnjë kam qenë krah njerëzve të pambrojtur, pranë të varfërve, njerëzve të kërcënuar nga padrejtësia sociale.
Veç Kafkës në letërsinë tuaj ndihet dhe influenca e Dantes, veçanërisht kur krijoni ferrin e personazheve tuaj…
Nga Dante janë influencuar shumë shkrimtarë të këtij shekulli. Është e vërtetë që në librat e mi ka një ferr, një “enfer”.
Ju keni shkruar për një periudhë të gjatë, pothuaj gjysmëshekullore. Çfarë ju ka shtyrë të shkruani?
Pasioni! Unë kurrë nuk kam shkruar për para apo për t’u nderuar me çmime. Ata shkrimtarë që e bëjnë këtë bëjnë një lloj prostitucioni me letërsinë e tyre. Siç ju thashë, nga ato ç’kam shkruar, shumë pak kanë mbetur. Shumica janë djegur. Librat e mi janë cilësuar nga reaksionarët si libra komuniste dhe nga komunistët janë cilësuar si reaksionarë. Stalinistët më kanë cilësuar si një shkrimtar mikroborgjez, kontradiktor dhe irracionalist dhe se i shërbej interesave të reaksionit. Me një fjalë unë nuk i përkas asnjë kampi.
Cila është ajo lloj letërsie që juve ju pëlqen?
Ajo që zgjon njeriun, ajo letërsi që e shkund atë dhe e bën koshient për ngjarjet themelore të kohës. Ja pse mua më pëlqejnë romancierët filozofikë. Midis Balzakut, Sadit, Stendal, Prust, Malëro dhe Kafka si romancierë filozof është edhe Dostojevski. Ata janë shkrimtarë që si objekt të tyre kanë zgjimin e njeriut, shkundjen e tij dhe bindjet e zakonshme.
Ju keni shkruar shumë rreth filozofisë, estetikës, problemeve të mëdha që preokupojnë artin. Ju keni hyrë në vitin e 85 të jetës suaj. Në këtë udhëtim të njeriut a ndjeni se po afroheni me Zotin? A besoni në ekzistencën e tij?
Unë rrjedh nga një familje me tradita katolike. Por në esencë jam një anarkokristian, pra një katolik anarshist, shprehje që i bën të qesh miqtë e mi. Megjithatë Kishën në vetvete unë kurrë nuk e kam dashur. Deri në shekullin e 3 të erës sonë, Kisha ishte një institucion popullor dhe për popullin. Pas kësaj kohë kur ajo mori pushtet ajo nuk luajti më atë rol. Kjo gjë ndodh edhe sot. Shikoni Papën. A mund t’i besohet atij?! Unë kam shumë miq që janë fetarë të devotshëm. Por unë dyshoj në Zotin. Shumë herë më tërheq manikeizmi. Kur ky Zot i gjithëfuqishëm që ekziston dhe sheh gjithçka mbi tokë, si vallë e pranon që fëmijët të vdesin urie? Bota e sotme ka shumë demonë…
Në veprën tuaj ju flisni gjithashtu për vdekjen. Keni vallë frikë nga vdekja?
Aspak!
Dhe nëse në botën e përtejme, një ditë, do të takoni Zotin, c’do të doni që ai t’ju thoshte kur t’ju takonte?
Mirëdita!…
Dhe së fundi: Cila është deviza e jetës suaj?
Të rezistoj gjer në fund!
Në fund të bisedës dëshiroj të uroj udhë të mbarë në Shqipërinë që ju e keni ëndërruar gjithnjë. Shqiptarët ka kohë që ju presin krahëhapur. Ju jeni “gjaku ynë i shprishur”./Luan Rama – Paris/