Luan Rama: Reportazh nga Parisi, vendlindja e artistit francez me famë botërore
(Botuar me 4 Janar 1996 në KOHA JONE)
Nga Luan Rama, Paris-
Një shekull më parë lindi Pol Eluar
“Nga Tirana, një kamion i vjetër Fiat i çoi ata drejt qytezës së Bilishtit. Që andej, ata kaluan kufirin me xhips dhe me nga një çantë shpine ku ai kishte futur brenda librin me poezi”
Paris – Shtëpia e Pol Eluarit në Paris është kthyer në një muze të bukur dhe gjithnjë plot njerëz ku spikasin dorëshkrimet e tij dhe ilustrimet e Pikasos me pëllumbat e paqes. Edhe varri i tij në “Pere Lachaise” është i paqtë, gdhendur me vargje dhe i vendosur pranë monumenteve të ngritur për luftëtarët e rezistencës franceze që u vranë në kampet naziste të përqendrimit. Vizioni poetik i Eluarit ishte LIRIA, ajo që ai e shkruante me germë të madhe, ishin humanizmi dhe paqja, vargjet e tij “J’Ecris ton nom Liberte” (“shkruaj emrin tënd LIRI”) është vendosur në hollin e madh të pallatit të Këshillit të Evropës ne Strasburg. Kur vdiq Eluari, një ndër miqtë më të afërt të tij, Pikaso ishte tek koka e tij. Ishte viti 1952. Eluari ishte ndër figurat më të mëdha të intelektualëve përparimtarë franceze dhe evropiane. Shumë vite më parë Eluari kishte dëgjuar për Shqipërinë. Në një letër që i shkruante vajzës së tij Sesilia, në pranverën e tij 1939, flet për okupacionin e Shqipërisë nga Italia fashiste dhe se ai është prezent në Shqipëri, një fakt ky I panjohur më parë nga shqiptarët. Në Prill të vitit 1948 ai shkon në Wroclau të Polonisë, për Kongresin Botëror të Intelektualëve të Paqes, bashkë me Pikason, Seghers, I.J.Kyri etj. Pikaso flet atje në mbrojtje të Nerudes së persekutuar. Në Maj të atij viti shkon në Greqi ku u prit me entuziazëm sidomos nga demokratët, studentët e forcat e majta të Athinës. Në letrën që i shkruan vajzës së tij ai thotë: “Bëra një udhëtim të mrekullueshëm në Greqinë e lirë. Po jetoj një epokë të jetës sime. Në Athinë më recituan poezitë e mia. Ishte një manifestim për paqen botërore”.Më 1949 rrugës për në Pragë, atë e shoqëron një nga figurat e njohura të së majtës franceze, Ives Farge. Në atë kohë në Shqipëri, shumë pak intelektualë e njihnin madhështinë e figurës së Pol Eluarit. Një nga këta ishte shkrimtari, poeti dhe eseisti ynë i shquar Dhimitër Shuteriqi, i cili e ka pritur dhe shoqëruar Eluarin në Tiranë, që më pas të marrin udhën drejt Bilishtit. Në librin “Faul Eluard Un Fere voyant”, Zhan Sharl Gato shkruan: “ Më 26 Maj 1949 një avion e çoi Eluarin në Pragë. Që andej, një tjetër avion e mori atë dhe Ives Farge drejt Jugosllavisë, tashmë e prishur me Shqipërinë e kuqe të Enver Hoxhës. Objektivi tyre ishin partizanët grekë të gjeneralit Markos në frontin greko-shqiptar në Veri të Pindit, krahinë e Gramozit dhe e malit Verno. Nga Tirana, një kamion i vjetër Fiat, i çoi vizitorët në qytezën e Bilishtit. Që andej, ata e kaluan kufirin me një xhips dhe me një çantë shpine ku brenda ai kishte futur libra me poezi. “Mali i Gramozit ngrihej hijerëndë e madhështor në sytë e poetit francez, mal që disa muaj më vonë, në gusht të 1949, do të përgjakej dhe me gjakun e ushtarëve shqiptarë. Në kthim të udhëtimit të tij, në Qershor, ai do të shkruaj mes të tjerave dhe poezinë me titull “Mali i Gramozit”. “Mali i Gramozit është i ashpër/por njerëzit e zbusin atë barbarët ne i vrasim/ për të shkurtuar errësirën dhe natën vonë. Më budallenj se vetë baruti i topave/Armiqtë tanë nuk e njohin forcën tonë. Ata nuk e njohin njeriun/ as pushtetin e tij fisnik. Zemrat tona zbusin dhe gurin”. “Në një kodër që dominonte liqenin e Prespës, partizanët grekë i pritën ata me përqafime dhe raki. Hipur mbi mushka ata vazhduan duke humbur pyjeve të Greqisë. Në një fotografi të botuar në atë kohë në shtypin francez duket rrëzë një peme Pol Eluari, me një kapuç bariu në kokë duke ju drejtuar me megafon ushtarëve qeveritarë grekë që ta lenë luftën vëllavrasëse. 200 megafona i shpërndanin njëherësh thirrjet e tij “bij të Greqisë, ju drejtohem juve, fshatarë, punëtorë, intelektualë, juve që ju kanë detyruar t’i shërbeni ushtrisë qeveritare…”. Po nga llogoret ai lexoi vargjet e poezisë së tij “Athina” të shkruar më parë, një himn për paqen dhe lirinë. Të nesërmen, ai takon nënat dhe të vejat e partizanëve të vrarë. Një moment mjaft prekës që ai do ta përshkruajë më vonë përmes vargjeve të tij të dhimbshme si në “Lutja e vejushave dhe nënave” etj. “Në Malin Gramoz,- shkruan Dominique Eludes, – ata asistojnë në fitoren e një ushtrie adoleshente. Ata shohin vajza 25-vjeçare që hidhen në sulm”. “Më 1 Qershor 1949 – tregon Ives Parge, – ne ndezëm zjarr me dru pishe në shtëpinë e një fshatari grek. Eluari zbrazi çantën e përgatitur me aq kujdes në Tiranë”. Pas kthimit nga Shqipëria dhe Greqia e përfshirë në flakët e luftës vëllavrasëse, zemra e poetit është e revoltuar nga tragjedia e këtij populli. Në Qershor, ai boton përmbledhjen kushtuar Greqisë. “Për të mos qenë vetëm”. Nga udhëtimi i shkurtër në Tiranë, veç kujtimeve të Dhimitër Shuteriqit, ka mbetur dhe një fotografi e asaj kohe, ku Eluari ka dalë në Tiranë, si dhe disa vargje të Eluarit. Megjithatë shqiptarët do ta njihnin atë përmes vargjeve dhe poemave të tij të mrekullueshme për paqen, lirinë dhe dashurinë. “Çdo hidhërim ka një dritare të hapur/një dritare të ndezur. Ka një ëndërr që lind/ka një dëshirë që pret të përmbushet. Ka një uri që pret të shuhet/ka një zemër fisnike. Ka dhe një dorë të zgjatur/ka dhe dy sy në pritje. Ka dhe një jetë që hyn në një jetë… “Edhe një buzëqeshje”.
Luan Rama