Luan Rama: Shpejtësia në rrugë, një marrëzi që duhet ndalur!

Nga LUAN RAMA

Mendohej përgjithësisht se aksidenti i rëndë që ndodhi më 25 qershor të këtij viti në autostradën Fier – Vlorë, pra vetëm një muaj më parë, ku si pasojë e shpejtësisë mbi normat e lejuara, një autoveturë u mori jetën katër pjestarëve të së njejtës familje duke përplasur makinën me të cilën ata udhëtonin e duke e shuar atë përgjithmonë, do të mund të ndikonte në ndërgjegjësimin qytetar të drejtuesve të mjeteve, për më shumë kujdes dhe për më shumë respekt në zbatimin e rregullave të qarkullimit rrugor.

Mirëpo pradoksalisht po ndodh e kundërta.

Aksidente të tjerë pasuan dhe marrëzisht u shfaqën të tjerë drejtues mjetesh që ecnin e vazhdojnë të ecin edhe me më shumë shpejtësi! Dhe si për ironi të fatit, në të njejtin segment rrugor, pikërisht aty ku u shuan katër jetët e pafajshme të familjes që kishte ardhur nga Greqia e po shkonte për fundjavë të pushonte në bregdetin e Vlorës.

Para disa ditësh po në autostradën Fier – Vlorë, policia identifikoi dy drejtues mjetesh (u tha se ishin dy kosovarë të ardhur nga Zvicra!), që udhëtonin me mbi 225 kilometër në orë, jo vetëm duke qenë rrezik potencial për një tjetër aksident, por edhe duke sfiduar hapur ligjin dhe duke mos iu ndaluar as patrullave të policisë që kryejnë shërbime të përforcuara në atë segment rrugor edhe për shkak të fluksit të madh të lëvizjeve.
Ndërsa një ditë më pas, në të njejtin aks rrugor, përsëri dy makina të tjera, dhe sipas njoftimit të policisë, njëra e markës “Land Rover” me drejtuesin nga Tirana dhe tjetra “Benz” me drejtusin shqiptar nga Kosova me banim në Zvicër, u identifikuan duke udhëtuar me mbi 190 kilometër në orë!
“Të dy drejtuesit e mjeteve nuk i kanë ndaluar patrullës me radar, por janë kapur në Vlorë dhe janë gjobitur”, mbyllet njoftimi i Policisë së Shtetit!

Mirëpo marrëzia nuk mbaron këtu, sado që nuk është vetëm marrëzi në fakt.
Është edhe sfidë e tallje me ligjit, sfidë e tallje me policin si autoriteti shtetëror i zbatimit të ligjit, është sfidë e tallje me jetën e qytetarëve, është sfidë e tallje edhe me vetë shtetit.

Sepse njëri nga shkelësit e ligjit, shqiptari kosovar nga Zvicra që u kap ditë më parë me një makinë të markës “Lamborghini”, duke ecur me mbi 225 km/orë, sipas agjencisë së lajmeve Express në Kosovë, është kapur sërish nga policia në Borsh në aksin rrugor mes Vlorës dhe Sarandës. Në lajmin e shoqëruar edhe me foto të momentit, thuhet se “emigranti kosovar nga Zvicra ndalohet me të njejtën makinë nga policia e Shqipërisë”.

Si të mos mjaftojnë njëmijë e një problemet që kanë vetë rrugët tona, përgjithësisht të mangëta për nga elementët e sigurisë, të standardeve teknike e të sinjalistikës, të cilat padyshim kanë ndikimin e tyre në aksidentet e shumtë që ndodhin, vijnë e na shfaqen edhe dy kategori drejtuesish të makinave, më të rrezikshmit ndër të gjithë të tjerët; të marrët pas shpejtësisë dhe të sëmurët pas alkoolit.

Ecja me shpejtësi mbi normat e lejuara e shumë drejtuesve të makinave, prej kohësh është shndërruar në një trend marrëzie që e bën udhëtimin nëpër rrugët tona një ndërmarrje të frikshme.

Vetëm gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti kanë humbur jetën nga aksidentet automobilistike 105 qytetarë! Një shifër alarmante si e një bilanci lufte, e mjaftë për të kuptuar pasojat e marrëzisë njerëzore dhe me sa duket, edhe pamjaftueshmërinë e masave parandaluese dhe ndëshkuese.

Aksidente ndodhin në të gjithë botën, por shkaqet prej të cilave ndodhin në vendin tonë janë skandaloze e lidhen më së shumti me faktorë subjektivë, lehtësisht të evitueshëm.

Prirja për ta parë morinë e aksidenteve me pasoja fatale mjaft të rënda si problem vetëm të policisë, është e gabuar dhe nuk e ndihmon zgjidhjen e problemit. Serioziteti i kryerjes së detyrës nga punonjësit e Policisë së Shtetit dhe në mënyrë të veçantë nga shërbimi i qarkullimit rrugor, ndëshkueshmëria për të gjithë shkelësit janë një faktor, por më shumë se kaq, kjo gjëndje e rënduar dhe alarmante është problemi ynë, është problem i kulturës dhe i raportit që ne kemi me jetën dhe me ligjin, është problemi i të gjithë shoqërisë.

Ndjeshmëria në masë e qytetarëve është e lartë, por edhe më e lartë na shfaqet marrëzia e disa të tjerëve, e atyre që rrugën dhe makinën që drejtojnë e konsiderojnë vetëm të tyren, pa menduar se rrezikojnë jo vetëm jetën e tyre, por edhe jetën e të tjerëve.

Ndaj, për t’i paraprirë dhe për t’iu përgjigjur këtij fenomeni shumë kërcënues dhe për të garantuar optimalisht sigurinë e qarkullimit në rrugë, mendoj se duhet rikonceptuar nga e para tërësia e masave shtërnguese dhe ndëshkuese, duke e lënë mënjanë në këtë rast parimin e proporcionalitetit.

Realiteti i frikshëm na imponon reagim dhe masa të menjëhershme dhe të jashtëzakonshme.

Është e vërtetë që janë bërë shumë ndryshime në Kodin Rrugor dhe në Kodin Penal. Por, me sa duket nga sjellja e drejtuesve të mjeteve nëpër rrugët tona dhe numri gjithnjë i lartë i aksidenteve me pasojë humbjen e jetës së shumë qytetarëve, ndryshimet e herëpasherëshme që u janë bërë masave ndëshkuese, nuk kanë dhënë efektin e pritur, çka imponon në fakt rishikimin e tyre dhe përshkallëzimin specifik me disa masa shtesë.

Çfarë kam parasysh më këtë ide?

Në ndryshimet e miratuara së fundmi, sanksionohet për shembull se “tejkalimi i shpejtësisë për më shumë se 50 km/orë mbi normën e lejuar jashtë qendrave të banuara dhe më shumë se 40 km/orë në qendrat e banuara, ndëshkohet me gjobë nga dhjetë mijë lekë deri në njëzet mijë lekë, me pezullim të patentës 3-6 muaj dhe heqje e pikëve”.

Mirëpo cili është reflektimi pas këtyre ndryshimeve?

Kosovari me “Lamborghini” vjen vërdallë nëpër Shqipëri me 225 km/orë e nuk do t’ia dijë për rregulla dhe ligj, një nga ata “VIP-at” që prodhon emisioni “Përputhen” ecën me 215 km/orë e polici e paralajmëron që “bëni kujdes kur hidhni video në rrjetet sociale, sepse policia i merr si provë për punën e saj”, një tjetër lë timonin e makinës e hipën mbi kabinën e saj, e si për inat të tij, një tjetër ngre këmbët mbi timon dhe i përdor në vend të duarve, e plot e plot raste të tilla nga më skandalozet. Natyrisht, ata si shkelës të ligjit janë gjobitur sipas parashikimeve të Kodit Rrugor, po për këtë kategorin shkelësish gjoba nuk ka ndonjë vlerë e nuk bën efekt. Xhepi i tyre nuk e ndjen, por nuk ua ndjen as truri!

Në raste si këto, pavarësisht se nuk kemi pasojë aksident, të lënduar, apo viktima, nuk kemi të bëjmë me një kundërvajtje administrative, edhe pse formalisht ligji mund t’i konsiderojë të tillë, por kemi të bëjmë me një shfaqje marrëzie, kemi të bëjmë me veprim të paramenduar të dikujt që eventualisht mund të sjellë për pasojë vdekjen e qytetarëve të pafajshëm.

Makina në duart e këtyre frymorëve nuk është më mjet transporti, por ajo kthehet në një “armë” vrasëse dhe drejtuesi i saj kur ecën me shpejtësi mbi 200 km/orë është potencionalisht një vrasës.

Morali, edukata dhe përpjekjet për të rritur ndjeshmërinë e tyre nuk vlejnë.
Ndaj këtyre rasteve duhen aplikuar ndëshkime të rënda. Ligji duhet të parashikojë fjala vjen sekuestrimin e menjëhershëm të makinës dhe kalimin e saj në pronësi të shtetit, duhet të parashikojë heqja e lejes së drejtimit të mjetit përgjithmonë e të tjera masa të këtij lloji, drastike, por të domosdoshme për të ndaluar marrëzinë që shfaqet rrugëve tona.

Janë ndryshimë që duhen bërë menjëherë, nëse duam të prandalojmë të tjera vrasje, nëse duam të parandalojmë humbje të tjera jetësh njerëzore.

Madje keto ndryshime jo vetëm duhen berë menjëherë, por duhet të bëhen përmes trajtimit si titull ekzekutiv, siç ka ndodhur dhe më parë në legjislacionin tonë, ku trajtohen si titull ekzekutiv për shembull edhe faturat e konsumit të energjisë elektrike.

Të gjithë jemi dakord me slloganin “shpejtësia vret”, por po aq sa shpejtësia, vret edhe mosveprimi për ta ndaluar këtë marrëzi.

Kryeministri duhet të mbledhë menjëherë komitetin e posaçëm ndërministror, të caktojë grupe pune e të përgatiten sa më parë ndryshimet e nevojshme ligjore, ku të parashikohen masa të rënda ndëshkimi shtesë si ato që propozova më lart, qoftë edhe për një kohë kufizuar të paktën deri në 5 vjet, për të disiplinuar qarkullimin në rrugë, për të vënë në vend autoritetin e shtetit në zbatimin e ligjit, mbi të gjitha, për të mbrojtur jetën e qytetarëve.

Shpejtësia në rrugë është një marrëzi që duhet ndalur. Shteti e ka për detyrë ta bëjë.

SHKARKO APP