Luan Rama zbulon detaje të emisionit ”Drejt” që nis më datë 27 shtator
Ditën e hënë (27 Shtator) starton emisioni “Drejt” në RTV Ora, në moderimin e Luan Ramës. Ai thotë se emisioni do të ketë një larmi termash, ndërkohë shton se ai do të moderojë emisionin dhe se nuk do të jetë i njëanshëm për tema të ndryshme. Ramën do ta shohim çdo të hënë dhe të enjte, ora 21:00 në ekranin e RTV Ora me risi të reja për publikun shqiptar.
Intervista për RTV ORA
Pyetje: Do kemi një rrugëtim të gjatë?
Po pse jo, unë kam ardhur me pasionin e nevojshëm që kërkon puna e gazetarit, kam ardhur me motivimin e duhur që të krijojmë një hapësirë tjetër, brenda të gjithë hapësirës që ka ky televizion. Të gjithë ata që do të jenë objekt ose subjekt i emisionit të ndjenjë se çdo të thotë trajtimi me profesionalizëm, me etikë dhe me rigorozitet në respektimin e parimeve që kërkon gazetaria moderne, me qëllim që të bëjmë të mundur tërheqjen përmes së vërtetës. Për qytetarët shqiptarë, jemi të detyruar të qëndrojmë drejtë dhe të flasim drejt.
Të hënën dhe të enjte do të jemi ‘Drejt’, por gjithsesi Luan Rama i rikthehet gazetarisë pas 30 vitesh shkëputje. Ju keni qenë pjesë e mediave si politikan, por tashmë jeni njëri prej nesh. Më thoni pak si erdhi ky vendim për t’u rikthyer në profesionin tuaj?
Ishte një vendim, të cilin në fakt e kam menduar gjatë, një vendim i kushtëzuar nga shumë rrethana, prej shumë faktorësh. Më është dashur të reflektojë me shumë përgjegjësi pas asaj që ndodhi në zgjedhjet e 25 prillit. Unë isha kandidat për deputet dhe natyrisht duke e lexuar drejt faktin se unë nuk munda të fitoj dot në zgjedhjet e radhës për shumë arsye, dhe duke i bërë vetes një vlerësim retrospektiv të gjithë karrierës sime në politik, gjykova se ishte momenti për t’u shkëputur nga aktiviteti partiak, nuk po them politik se politika do të jetë pjesë e emisionit, por për t’u shkëputur nga roli si protagonist partiak dhe politik, dhe për ta vënë veten përballë sfidës për një etapë të re.
Pse e konsideroni rikthimin tuaj në profesionin tuaj si gazetar sfidë?
Gazetaria është gjithmonë një profesion sfide. Edhe ata që punojnë prej shumë vitesh në këtë profesion janë gjithmonë përballë sfidës, për të ruajtur balancën, për të ruajtur raportin e tyre me të vërtetën, me etikën profesionale, me shikuesit, lexuesit. Është raport që ndahet në ‘teh të briskut’ për shkak se shija e qytetarit, lexuesit, është kaq e kultivuar sa nuk e duron më vulgarizmin, as mungesën e etikës dhe ajo çfarë është më e rëndësishmja, nuk duron dot raportin e deformuar së punës së gazetarit me të vërtetën.
Jemi 30 vite pas shkëputjes nga ‘Zëri i Popullit’?
Jo jam 30 vite pothuajse 31 vite prej fillimit tim si gazetar në ‘Zërin e Popullit’ dhe faktikisht jemi në 22 vite që prej unë kam ikur prej profesionit të gazetarit, për t’u marrë me veprimtari partiake, ku një pjesë e rëndësishme e punës time, ka qenë marrëdhënia me shtypin, marrëdhënia me opinionin, e më tej në angazhimet qeveritare, si Ministër dhe si deputet. Kam qenë përfaqësues në forumet drejtuese të Partisë Socialiste në atë kohë. Tani jam tërësisht i fokusuar tek ky projekt, të cilin unë e paraqita me vizionin tim se si duhet bërë. Dua të falenderojë në këtë rast stafin drejtues, pronarin e televizionit, Ora News, që më dha mundësin duke ma pranuar projektin, të jem pjesë e Orës. Ndjehem mirë që mu dha mundësia që të jem njëri nga ju.
Pas shkëputjes suaj dhe përfshirjes në politikë, gazetaria ka ndryshuar shumë, televizioni ka ndryshuar shumë, Luani i “Zërit të Popullit” dhe Luani i ‘Drejt’, çfarë kanë të përbashkët dhe çfarë jo?
E shoh se gazetaria ka ndryshuar shumë, teknologjia, magjia e ekranit, por një gjë nuk ka ndryshuar dhe nuk ndryshon kurrë në gazetari: Raporti i gazetarit, me të vërtetën. Nuk ndryshon kurrë në gazetari përgjegjësia e gazetarit për të respektuar etikën e komunikimit, etikën që kërkon një ekran televiziv. Puna e gazetarit është shumë e lidhur me formimin e tij të përgjithshëm me kualitetin, me cilësinë intelektuale. Gazetari gjykohet, vlerësohet nga opinioni çdo sekond kur është në televizion përballë qytetarit.
Pyetje: Pse ‘Drejt’?
Sepse në fakt mungon shumë gjë për të thënë drejt. Jemi në një mori problemesh jo vetëm politike, por sociale, të rinjve, të shoqërisë dhe gjykoj se është koha për t’i parë gjërat drejt. Është koha për të qëndruar drejt përballë problemeve që kanë qytetarët shqiptarë. ‘Drejt’ nuk është vetëm një gjetje publicistike, emri i emisionit, është më shumë se kaq, i tejkalon përmasat e një metafore. Unë jam i bindur që bashkërisht do ja dalim. Në këtë studio, kushdo që të vij, do të gjej, jo vetëm konfortin e e nevojshëm etik, qytetar, por mbi të gjitha do të gjejë hapësirën për të qëndruar drejt, në raport me vetveten dhe me çfarëdo teme që do të diskutohet.
Sa i vështirë është që të bëjmë një emision sot kaq ‘Drejt?
Po të mos ishte e vështirë unë nuk do të vija. Unë jam në një sfidë qytetare, profesionale, padyshim, por jam edhe në një sfidë në vetvete, pasi për shkak të background-it tim politik, aktiviteteve të mia politike, ndjehem i paragjykuar kur shikuesit të më shohin në ekran, por ju siguroj që shikuesi nuk do ta kuptojnë se më kë jam unë. Unë do moderojë debatin, por s’do jem palë. Prona ime është pyetja, ashtu sikundër prona e atij që është i ftuar është përgjigja.
Nuk do shikojmë një Luan Rama, që bën komente për ngjarjet, por bën vetëm pyetjet?
Jo, do të ketë një risi ky emision. Do të ketë një kronikë, një reportazh, një editorial, në hyrje të emisionit, për problemin që do kemi dhe temën, që do e bëjë unë vetë si gazetar. Gjatë bisedës me të ftuarit do të jem eksluzivisht njeriu që do të bëjë pyetje. Asnjëherë nuk do të transmetojë te shikuesit, se cili është qëndrimi im në lidhje me mendimin apo gjykimin e personit që do të jetë i ftuar. Sepse atëherë dal nga kostumi i gazetarit dhe bëhem njëri nga ata që vijnë në studio dhe bëjnë debat me njëri-tjetrin.
Vini me një program të ri, vini me një background politik dhe të gazetarisë, por sot ka shumë emisione televizive, ku debati politik, ka zaptuar të gjitha fashat orare. Çfarë do bëjë publikun që të ndjekë Luan Ramën me ‘Drejt’ në televizionin Ora?
Të gjitha këto që thoni ju janë element përbërës të sfidës, por në fund të fundit secili ka individualitetin e vet. ‘Drejt’ do të ketë tipologjinë e vet. Do I bëjë shikuesit të gjejnë në ‘drejt’ atë që e gjejnë shtrembër diku tjetër. Nuk do të jetë çdo gjë drejtpërdrejt, do të jetë ‘Drejt’ siç e kërkon interesi i qytetarit. Temat do të jenë të larmishme. Do të bëjmë objekt të emisionit, problematikat të qytetarëve shqiptarë, gjithë fushat e veprimtarisë shoqërore. Në ‘Drejt’ gjithsecili mund të qëndroj edhe nga ekrani i shtëpisë, për të gjykuar, për të mësuar, një gjë në mënyrë qytetare, etike dhe prefesionale.
Sa aktiv do të jenë qytetarët në këtë format?
Do të ketë një hapësirë për qytetarin, i cili mund të drejtohet edhe ai ‘Drejt’ nga ambient ku është për shqetësimin apo problemin që ka. Do të ketë një hapësirë të posaçme për qytetarin, ku do t’u drejtohet me pyetje të ftuarve në studio.