Lubonja: Nuk është dita e votimit që e vendos, por i gjithë mekanizmi që ka vendosur pushteti

Analisti Fatos Lubonja ka dy lexime për rezultatet e deritanishme të zgjedhjeve parlamentare ku kryeson Partia Socialiste.

Në leximin e parë, Lubonja tha në “News24” se nëse është ky rezultati i deri tanishëm atëherë po shkojmë drejt forcimit të një regjimi dhe sipas tij qëndron teza e tij që regjimet nuk ndryshohen me votë të lirë por kur konsumohen dhe humbasin mbështetjen amerikane.

Në leximin e dytë ai se nëse rezultatet ndryshojnë, pra në favor të opozitës, do t’i kërkojë ndjesë kryeministrit Edi Rama.

“Nëse do ta marrim që ky është rezultati dhe ky trendi, kjo provon që jemi nën një regjim, po shkojmë drejt forcimit të një regjimi dhe rezultati provon këtë. Asnjëherë në vendet demokratike nuk gjen që maxhoranca të rritet dhe kjo ka qenë e pritshme dhe qëndron teza ime që regjimet nuk ndryshohen me votë të lirë por rrëzohen kur konsumohen dhe kur humbasin dhe mbështetjen amerikane shpesh herë. Ndërkohë që ky regjim nuk është konsumuar plotësisht dhe njëkohësisht ka dhe mbështetjen amerikane. Nëse rezultati është ky.
Interpretimi më afër opozitës, ndoshta ato exit-poll-e ishin të vërtetë dhe rezultati nuk është i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe unë gjykoj që nuk mund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme, nuk është dita e votimit që e vendos por i gjithë mekanizmi që ka vendosur pushteti”, tha Lubonja.

Ai foli dhe për rezultatin e deritanishëm të PSD-së së Tom Doshit, teksa tha se mund të kuptojë rezultatin në Shkodër, por jo në Tiranë, duke e cilësuar një ‘llambushkë’ alarmi në këto zgjedhje.

“Në qoftë se kjo gjë do të ndryshojë që unë dyshoj shumë atëherë unë i pari do i kërkoj ndjesë Edi Ramës që e kam akuzuar për ndërtim regjimi. Ose nga 0-100 nuk je tek 70 siç mendoj unë por tek 40. Kam një provë për këtë. Këtu ka një llambushkë që jep sinjalin e gjitha kjo. Llambushka për mua është Tom Doshi. Mirë se Tom Doshi qenka faktor në Shkodër, aty paska ca lidhje familje, ka bërë ndere, aty mund t’i merrte 1-2 deputetë, por në Tiranë ku kemi dhe këta çunat e Nisma Thurje të cilët populli i pret, si ka mundësi merr Tom Doshi bile dhe me mosbekimin e ambasadës amerikane merr deputetë dhe këta çunat e mirë nuk marrin gjë fare. Çfarë mekanizmi përdorka tek tiranasit? Cili është ky mekanizëm? Është mekanizmi i pushtetit, paraja ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në këtë rezultat që tregon se kush ka pushtet dhe para rezultati s’mund të jetë veçse ky”, deklaroi Lubonja.

SHKARKO APP