Lubonja: Opozitës po i arrestojnë mbretërit, mazhorancës ushtarët
Analisti Fatos Lubonja, duke folur për arrestimin e ish-Presidentit Ilir Meta tha se ajo që mund të përbëjë rrezik është eleminimi i kundërshtarëve politikë përmes drejtësisë. Për të përsa kohë në Shqipëri korrupsioni është rritur, atëherë kjo reformë në drejtësi ka dështuar dhe ka plot prova që ka arrestime selektive.
”Kemi arrestime selektive. Në opozitë po arrestohen mbretër dhe mbretëresha, ndërsa në mazhorancë kemi arrestime ushtarësh, nëse do të bëjmë një krahasim me lojën e shahut. Pra po sakrifikohet një ushtar nga mazhoranca dhe po goditet një oficer nga opozita”, tha Lubonja.
Ai tha se kemi një diferencë të madhe në goditjet që SPAK po kryen mes mazhorancës dhe opozitës, edhe pse po tentohet që në opinionin publik të jepet sikur kemi një barazim në goditje. ”Impakti kryesor politik me arrestime të tilla është shtimi i frikës për kundërshtarët politikë”, tha Lubonja.
Ai tha se ndoshta Ilir Meta priste një arrestim dhe kjo mund të ishte arsyeja e atyre postimeve të famshme që bënte. ”Ndoshta me veprimet e tij duke u hedhur në ujë, apo ato shfaqjet e forcës, shprehnin shqetësimin që kishte për këtë arrestim”, tha Lubonja.