Luftë që prej 2019, Covidi drejt një faze të re

Që prej fundit të vitit 2019, e deri më sot bota është duke jetuar me Covid-19. Miliona infektime dhe vdekje në mbarë botën, por koronavirusi duket se ka marrë një formë të re. Varianti i ri “Omicron” është duke u përhapur më shpejt se çdo variant tjetër, por rezulton të jetë më pak i ashpër. Flitet se pandemia shpejt mund të njihet si endemi.

Kalimi i një sëmundjeje infektive nga pandemia në endemi ndodh kur virusi gjendet rregullisht në një zonë të caktuar ose në mesin e njerëzve, por është më i menaxhueshëm për shkak të imunitetit më të madh të popullsisë. Ftohja e zakonshme dhe gripi janë shembuj të infeksioneve virale endemike, me të cilat njerëzit përballen më së shpeshti.

Bernard Camins, specialist i sëmundjeve infektive pranë institutit shëndetësor Mount Siani në Nju Jork, thotë për programin Expose të Radios Evropa e Lirë se pandemia Covid-19 do të shndërrohet në endemi ndoshta edhe brenda disa muajve, dhe se do të prekë vetëm grupe të caktuara njerëzish.

“Përfundimisht, nëse shumë njerëz do të kenë një lloj imuniteti, Covid-19 do të vazhdojë ta infektojë shoqërinë, por jo shumë njerëz do të shkojnë në spital, jo shumë njerëz do të përfundojnë në ventilatorë. Do të preken më shumë njerëzit me sistem të komprometuar imunutar, ose ata që nuk janë vaksinuar, ose nuk kanë qenë të infektuar më parë”.

“Por, në aspektin më të gjerë, unë shpresoj se nuk do të ketë nevojë për izolim nga COVID-i, sepse shumica e njerëzve nuk do të sëmuren dhe nuk do të përfundojnë në spital. Unë dua të jem optimist se kjo do të ndodhë në vjeshtë, por mund të jetë edhe viti 2023”, thotë Camins.

Jehonë kësaj teorie i bëjnë edhe specialistë të tjerë. Njëri nga virologët kryesorë belgë, Peter Piot, ka thënë për mediat belge se pandemia është duke hyrë në një fazë të re, falë normave të larta të vaksinimit dhe infeksionit natyror.

“Është e qartë se ne po kalojmë në një fazë të re. Virusi po ndryshon, po ndryshon gjatë gjithë kohës. Varianti Omicron është shumë më i transmetueshëm, shumë më ngjitës, por shkakton sëmundje më pak të rëndë”.

“Së dyti, falë vaksinimit, numri i viktimave ka rënë dhe në njësitë e kujdesit intensiv ka më pak njerëz. Kur kombinohet me infeksionin natyral, do të thotë se kemi imunitet kolektiv. Po ashtu, kemi më shumë përvojë në atë që duhet bërë për ta zvogëluar rrezikun”, ka thënë Piot. Tani bota ka më shumë mjete për të luftuar pandeminë.

SHKARKO APP