“Luleborë”, solli ngjyra dhe aroma të mrekullueshme muzikore në kopshtin shkodran të këngës

Albert Vataj

Festivali “Luleborë” i kthyer tashmë në traditë për qytetin e Shkodrën, solli në edicionin e saj të 9-të, 15 këngë, krijime të arrira artistike, kapacitete unike vokale, duke pasuruar skenën e këngës, muzikës shkodrane dhe shqiptare, me emra të rinj dhe talente premtuese.

Festivali i Këngës “Luleborë” 2024 u mbajt më 1 dhe 2 nëntor në Teatrin “Migjeni”. Ky festival, i cili kurorëzoi edicionin e tij të nëntë, promovon muzikën shqiptare, duke nxjerrë në pah talentet e reja dhe ruajtur trashëgiminë muzikore, por edhe pasurimin cilësor të këtij thesari. E begatuan këtë skenë me zëra, energji, harmoni muzikore dhe me gjallërinë e shenjtërisë së muzikës, 15 artistë, nga gjithë trevat shqiptare, të cilët paraqitën krijime të reja muzikore që përmbajnë elemente të kulturës kombëtare në një stil bashkëkohor. ​

Patjetër që nëpërmjet këtij festivali, por edhe gjallërimit të jetës kulturore-artistike, Shkodra forcon pozicionin e saj si një qendër e rëndësishme për muzikën shqiptare dhe kulturën në përgjithësi. Kjo ngjarje është një moment i veçantë për të bashkuar artdashës nga e gjithë shqiptaria, në një atmosferë artistike dhe kulturore, dhe për të rikurorëzuar Shkodrën ​si mbretëreshë e muzikës, si vazhduese e korifenjve të artit të magjishëm.

Publiku shkodran përcolli dhe përjetoi, siç di vetëm ai, një bashkëjetim shpirtërorë dhe emocional me këngët e festivalit “Luleborë”, që pati natën e saj finale, mbrëmjen e 2 nëntorit, një mbrëmje magjike kjo.

Juria vlerësoi artisten Ana Bushgjokaj dhe baladën e saj “Nuk lulëzon pa Zot”, e cila mori çmimin e parë të festivalit, triumfi i dytë për të në këtë festival.

Artan Bakija nga Gjakova u vlerësua nga juria e festivalit me Çmimin “Simon Gjoni”. Juria vlerësoi me Çmimin e Karrierës, artistin Gjokë Vata për kontributin në art. Me çmimin e dytë të festivalit u vlerësua Ermal Demiri nga Kosova me këngën “Me mujt” ndërsa çmimin e tretë e fitoi Ea Zoga me këngën “Të ngjashëm”.

Megjithëse Festivali “Luleborë” është një aktivitet me rëndësi në nivel lokal, ai gjatë gjithë rrugëtimit të tij, derisot, në edicionin e 9-të, ka treguar se është periferik në gjeografi, por është gjithëshqiptarë në shpirtjen krijuese dhe interpretuese, për të qenë gjithashtu edhe një vlerë kombëtare e traditës së këngës. Sepse në të pjesëmorën personalitete të muzikës, ata që kanë çuar përpara këngën dhe e kanë ngritur artin e këngës në një kult.

Festivali përmbushi gjithashtu një nga kryeqëllimet e tij, emancipimin e këngës së trashëguar, duke e sjellë atë në kohë përmes teknikave moderne të aranxhimit dhe produksionit bashkëkohor, si një qasje për ta përafruar këngën dhe muzikën me nevojat e ngutshme për ndryshim.

Festivali i Këngës, “Luleborë” ka qenë, ishte edhe kësaj here, dhe do të jetë, sa të ketë dashuri për këngën dhe muzikën, një mundësi e artë e promovimit të krijimeve artistike, prezantimit të virtuoziteteve interpretuese dhe vullnetit të mirë të institucioneve për të bashkëpunuar në shërbim të një kauze që përfaqëson Shkodrën dhe aspiratat e saj për ta merituar statusin “Djepi i kulturës”.

“Luleborë” nuk është vetëm kënga ikonike e muzikës shkodrane, kënga himn që këndohet në çdo tubim artistik, gazmim familjar e aheng miqsh, “Luleborë” është edhe pagëzimi i Festivalit të Këngës, i cili edhe sivjet, si vitin e shkuar, herët e tjera që shkruan historinë e “Luleborë”, solli në një kushtrim vlerash artistike.

Siç dihet “Luleborë” është festivali i dytë shtetëror dhe konceptohet si një festë të muzikës, që organizohet nga Bashkia Shkodër dhe institucionet artistike të qytetit, ata që bënë të mundur me asistim në mjete dhe kapacitete, në suport e në vlerësim.

Na mbetet të themi, gjithmonë kundërmofsh luleborë!

SHKARKO APP