“Lulëzojnë” vrasësit me pagesë, krime në disa qytete të vendit
Një bilanc i frikshëm është shënuar në muajin shkurt sa i takon vrasjeve mafioze në disa qytete të vendit. Ajo që bie në sy në këto ngjarje kriminale, është fakti se në 3 ngjarje, dyshohen se janë përfshirë nga vrasës me pagesë.
Më 1 shkurt u ekzekutua brenda makinës së tij Shkëlzen Kastrati. Ngjarja ndodhi në mes të ditës, duke terrorizuar banorët e Fierit. 42-vjeçari u ekzekutua nga persona brenda një automjet tip Range Rover, i cili u gjet i djegur më pas në periferi. Policia e Fierit identifikoi dhe shpalli në kërkim autorët e ngjarjes, Albert Zaja, Elmir Tufa, Elson Xhecuka dhe Silvio alias Roland Cara. Autorët e dyshuar si vrasës me pagesë, kishin të paktën dy muaj që vëzhgonin viktimën.
Ngjarja tjetër kriminale tronditi qytetin e Vlorës. Gentian Qarri u ekzekutua mbrëmjen e 6 shkurtit në lagjen 29 Nëntori. 40-vjeçari ka qenë i dënuar me 11 vite burg për drogë në Itali. Për shkak të dënimit me drogë, pista e hetimit është përqëndruar tek larja e hesapeve. Vrasja tjetër që dyshohet të jetë kryer me pagesë, është ajo e Behar Sofisë. 66-vjeçari u qëllua në mes të Tiranës, në afërsi të Piramidës me dy plumba nga një pistoletë me silenciator. Vrasja e bosit të trafikut të heroinës nga Turqia, dyshohet pikërisht të ketë ardhur nga trafiku i lëndëve narkotike.
Po në muajin shkurt, vrasësit me pagesë kishin shënjestruar edhe Gjon Menën. Ishin Enver dhe Edmond Jakimi, ata që ishin paguar nga Gjergj Cukali për të ekzekutuar me tritol biznesmenin Mena. Fatmirësisht Mena u plagos dhe i shpëtoi atentatit në mjetin e tij. Enver Jakimi rrëfeu se ishte Cukali që i kishte premtuar 30 mijë euro për vrasjen e Menës, por i kishte dhënë vetëm 2 mijë euro. Vizion Plus