“Lulzim Berisha është kreu i një bande”, Klodiana Lala përplaset me avokatin e Begos: “Anti-KÇK-ja”, ligj skandaloz!
Gazetarja Klodiana Lala e ka cilësuar paketën “Anti-KÇK” si një ligj skandaloz, që sipas saj, zbeh në mënyrë drastike rolin e prokurorëve, dhe sidomos atyre të SPAK. Në emisionin “Real Story”, në News24, gazetarja Lala debatoi me avokatin e biznesmenit Edmond Bego, teksa u ndal te rasti i Lulzim Berishës.
Për Lalën, Lulzim Berisha është i dënuar me vendim të formës së prerë dhe me të drejtë mund të cilësohet si kreu i një bande kriminale, por për avokatin nuk mund të ndodhë kështu, pasi ai e ka kryer dënimin.
Pjesë nga debati:
Lala: Është ligj skandaloz, që zbeh në mënyrë drastike rolin e prokurorëve, sidomos atyre të SPAK. Gjithashtu krijon problematika në mënyrën si qaset Policia e Shtetit. Është emergjente nevoja për goditjen e krimit. Kjo strukturë, në thelb, i merr kompetencat SPAK. Edhe vetë Policia e Shtetit nuk e ka të qartë se çfarë po bën. Më bëri përshtypje ajo policja me syze të zeza, që fliste për Gjykatën Speciale, e cila nuk ekziston. Kjo është një strukturë totalisht në varësi të ekzekutivit dhe që në nisje nis mbrapsht. Lulzim Berisha është cilësuar fajtor me vendim të formës së prerë dhe sot me të drejtë mund t’i themi që është kreu i një bande kriminale.
Avokati Leka: Ka dalë nga burgu ai tani, nuk është më kryetar bande. Ka mbaruar dënimin.
Lala: Unë nuk pashë në asnjë rresht të policisë që Lulzim Berishës t’i jetë bllokuar pasuria. Ku po shkon me këtë? Po intimidon gjyqtarë e prokurorë. Me këtë mekanizëm, qeveria kërkon t’i kontrollojë, t’i vërë nën presion. Ndërkohë që prokurori i SPAK do duhet të hetonte krimin e organizuar, pasuritë e tyre, do duhet të merret me një akt normativ.
Leka: Ti duhet të na lësh radhë të flasim.
Lala: Patjetër, por të ishte prishur mikrofoni.