Lutja e Gjergj Lucës drejtuar Donald Trump dhe Elon Musk, nga Fish City
Në një kohë kur marrëdhëniet ndërmjet Elon Musk dhe Donald Trump kanë hyrë në një fazë tensioni publik, siç e përshkruajnë mediat amerikane dhe ato ndërkombëtare, nga Fish City, Labinot-Fushë, Elbasan, zëri i Gjergj Lucës, një shqiptari me pasion të rrallë për zhvillimin dhe progresin, është bërë pjesë e kësaj ftese për pajtim, një ftesë që më shumë se një thirrje politike, është një thirrje njerëzore.
Gjergj Luca, sipërmarrësi karizmatik nga “Rozafa – Fish City”, i njohur për komunikimin e tij të drejtpërdrejtë dhe shpesh emocional, ka përcjellë përmes një video-mesazhi publik një apel të sinqertë për paqe dhe bashkëpunim midis dy figurave më të lakuara të kohës sonë, Elon Musk dhe Donald Trump.
“Elon Musk me Donald Trump janë si Gjergj Luca me atë që u shkon mendja ju, zihen e debatojnë për zhvillim e progres…” – shkruan ai, duke përdorur ironinë e tij të zakonshme për të zhveshur realitetin nga tensionet dhe për ta kthyer atë në një ftesë për bashkëpunim.
Ky postim vjen si reagim ndaj dërgesës së dy Tesla Cybertruck në Fish City, dy simbole të teknologjisë moderne që kanë mbërritur në një vend ku tradita, mikpritja dhe përkushtimi ndaj miqve, veçanërisht ndaj Amerikës, kanë qenë gjithmonë të paprekura.
“Amerika më dërgoi sot dy makinat moderne Tesla Cybertruk, ndërsa unë po i dërgoj Amerikës një këshillë miqësore sa historike aq edhe moderne: Pajtohuni!”, shkruan Luca, duke kthyer këtë ngjarje në një rast për reflektim, jo vetëm për marrëdhëniet ndërpersonale midis dy personaliteteve, por për klimën politike dhe etike globale.
Si gjithmonë, Luca nuk qëndron në kufijtë e një spektakli personal. Ai fton Elon Musk në Shqipëri, në vendin që e konsideron si më proamerikanin në botë, për t’i dëshmuar se fryma e miqësisë dhe admirimit për Shtetet e Bashkuara nuk është klishe politike, por një ndjenjë e thellë që ushqehet nga populli shqiptar në çdo cep të tij.
Ky gjest, që për disa mund të tingëllojë si simbolik ose populist, në fakt shpreh një filozofi të tërë të lidershipit sipërmarrës që Luca ka ndërtuar ndër vite: bashkimi i së resë me të hershmen, i zhvillimit teknologjik me traditën, i vlerave njerëzore me ambicien moderne.
Fish City nuk është më vetëm një histori suksesi, garanci punësimi dhe mirëqenie, projekt, gastronomik apo turistik, ëndërr e bërë realitet. Është një platformë e komunikimit universal, ku një fjalë e shqiptuar mga Elbasani mund të udhëtojë deri në Kaliforni e Florida, dhe ku një mesazh për pajtim mund të marrë dritë pikërisht aty ku kanë lindur debatet.
Në këtë botë ku teknologjia lëviz me shpejtësinë e dritës, është pikërisht fjala e thjeshtë, e njerëzishme dhe e ngrohtë që ndonjëherë bën diferencën më të madhe. Dhe kjo është ajo që ka bërë Gjergj Luca.
AV
KOHA JONË SONDAZH

