Mafia shqiptare në burgje dhe “vrimat e zeza” në deklaratën e Ministrisë
Vijon situata kaotike në burgun e Korydallos. Një 31-vjeçar shqiptar i akuzuar për grabitje mbeti i plagosur mëngjesin e së shtunës në një sulm të përgjakshëm që sipas mediave greke dyshohet të jetë pjesë e betejës së pakontrolluar të mafias shqiptare brenda dhe jashtë burgjeve. 31-vjeçari dyshohet se kishte kontakte me një anëtar kryesor të mafias në fjalë dhe thuhet se u sulmua nga një grup rival. Si të mos mjaftonte kjo, publikimi i videos së vrasjes në burg të burgosurit shqiptar Albert Bako, 36 vjeç rreth 2 muaj e gjysmë më parë shokoi opinionin. Pamjet e tmerrshme të sillnin ndër mend burgjet kolumbiane dhe jo vetëm. Mediat greke shkruajnë se gjithë kjo panoramë nxjerr në pah përgjegjësi të mëdha të Departamentit të Drejtësisë për xhunglënnë të cilën ndodhen burgjet dhe kjo sipas tyre është një kërcënim i madh për sigurinë e qytetarëve.
Policia greke dhe avokatët shtrojnë nevojën për përmirësimin e kushteve në burgje. Por ata gjithashtu flasin dhe për “një situatë të pashembullt që nisi me ardhjen e SYRIZA-s në pushtet, me koncesione të tepruara dhe të qëndrueshme ndaj kriminelëve dhe të burgosurve anti-autoritarë”. Nuk ishin vetëm lëshimet masive me ligjin Paraskevopoulos që ushqyen krimin. Diçka e rëndë po ndodh me burgjet. Liria e lëvizjes që të burgosurit kishin fituar pas bashkërendimit me zyrtarët qeveritarë u zbulua më pas nga përgjimet dhe nga të dhënat e lëshuara në nëntor të vitit 2015 nga ish-ministri i Rendit Publik, z.Yiannis Panousis. Gjendja është përkeqësuar me shpejtësi për shkak të përzgjedhjes së zyrtarëve të Ministrisë së Drejtësisë për të mbështetur të burgosurit dhe për të ardhur në një përplasje të gjithanshme me stafin e burgjeve.
Pra nuk kishte asnjë kontroll në transferimin e të burgosurve të rrezikshëm të cilët vendosën kontrollin e territorit brenda burgut të Korydallos, ndërsa nuk kishte kufizime në rastet e korrupsionit brenda burgjeve. Kishte me dhjetëra sulme të përgjakshme, rrëmbime, kërcënime dhe rrahje të stafit të burgjeve. Përveç kësaj, përgjimet zbuluan se mafia shqiptare, përveç operacioneve të pastrimit brenda burgjeve, me lehtësi kishte organizuar sulme vrasëse jashtë tyre. Mediat greke thonë se Ministria e Drejtësisë ka injoruar këto të dhëna dhe në çdo rast është mjaftuar me masa apo procedime të punonjësve të burgjeve. Të njëjtën procedurë ndoqi edhe me publikimin e pamjeve një javë më parë të videos që tregonte “luksin” brenda qelive të të burgosurve shqiptarë. Gishti i akuzave u drejtua drejt mediave, si në rastin e fundit me Albert Bakon, ku Ministria e Drejtësisë tha se pamjet pengojnë hetimet dhe gjyqësorin.
Po Ministria e Drejtësisë harron se ngjarjet e përgjakshme në burgun Koridhallos vazhdojnë pa pengesa, pothuajse çdo ditë deri më sot. Autoritetet policore por edhe avokatët thonë se shumë prej kriminelëve që “bëjnë ligjin” në Koridhalos dhe kanë lidhje me ngjarjet e kohëve të fundit akuzohen për më shumë se 4 vepra penale. Duke qenë të dënuar me burgim të përjetshëm apo dënime afatgjata, veprojnë të pashqetësuar si nga inspektimet ashtu dhe gjyqësori. Nga brenda burgut të Koridhalos, të burgosurit vazhdojnë të organizojnë në mënyrë të përsosur aktivitetet kriminale brenda dhe jashtë burgjeve, duke planifikuar arratisje, duke kërcënuar gjyqtarë dhe avokatë. Ministria e Drejtësisë greke foli për luftimin e mafias së burgut por harron se autoritetet policore greke kanë zbuluar katër qarqe brenda Koridhalos për periudhën 2008-2015. /Ora News/
KOHA JONË SONDAZH

