Majko i kërkon sqarime SHISH, Berisha: “Shko në SPAK”!

Sapo Pandeli Majko u soll në Tiranë si pjestarë i grupit drejtues politik për zgjedhjet, ish-kryeministri Berisha e vuri në shënjestër të sulmit total politik. Në fillim hodhi akuza për korrupsion zgjedhor në Kukës, dhe me pas dje e rriti dozën e sulmit.

Mbrëmë lideri demokrat shtoi se “Pandeli Majko në 30 e ca vite nuk është sulmuar ndonjëherë nga Sali Berisha. Madje e vërteta është se kam bërë edhe një pakt me të kur i dridheshin këmbët gjatë luftës në Kosovë. Por kur unë mora dosjen edhe sikur të quhej Pandeli Berisha, prapë do e bëja. Ai gaboi rëndë me ato që tha. Ai ka kryer krim, sepse është regjistruar. Ai është ulur në tavolinë me Afrim Hodën dhe me Ardian çelën dhe kanë bërë planin e sigurimit të parave për të blerë zgjedhjet. Janë tender për shtyllat centrufugale. Unë po ua them se ka dërguar në Kukës, ka dërguar ekip të posaçëm për vëzhgimin e trafiqeve të drogës dhe të armëve. Ata siç e kanë punën e tyre kanë vendosur përgjuesit në një tavolinë ku uleshin të dyshuarit. Aty është ulur Majko. Ky djali, që ishte pjesë e ekipit të misionit, e marrin dosjen dhe duan t’ia japin Vlora Hysenit, ajo nuk e pret fare këtë djalin. Djali meqë e kishte dosjen me vendim gjykate e të gjitha e merr dhe e dorëzon në SPAK. Pandeliu shkon e i kërkon Elisës, Vlorës dhe nuk i kërkon SPAK-ut që ta përgënjeshtrojë” përfundoi ish-kryeministri Berisha.

Por ndërkohë ish-kryeministri Majko ka kërkuar nga SHISH që ti vendosë në dispozicion përgjimet, nëse ka, e me pas do të dorëzojë imunitetin për tu hetuar.

Kjo e ka komplikuar situatën e Pandeli Majkos, sepse në vend që merret me fushatën e PS që ti shtojë votat, por sjell kaos në kupolën e PS.

Natyrisht që jemi në fushatë politike zgjedhore dhe zakoni shqiptar e ka që përlyen gjithçka e këdo, edhe nëse nuk ke bërë gjë, por deri sa të sqarohet kanë mbaruar zgjedhjet.

Në lidhje me çka thotë Berisha duhet që Pandeli Majko ti dalë zot vetes, por realisht ka një nonsens sepse Berisha për hallet e tij nuk e njeh SPAK-un, kurse për Majkon i thotë “shko në SPAK”!

Berisha e di mjaft mirë se Tirana vendos se kush fiton zgjedhjet e duke qenë “mjeshtër” i vjetër me eksperiencë sulmesh politike ka futur në shënjeshtër duke sulmuar me të gjitha bateritë pikërisht dy njerëzit e ngushtë të kryeministrit Rama; kryebashkiakun Erion Veliaj dhe ish-kryeministrin Majko. Ndaj duket sulm i kalkuluar nga Berisha.

Rama në këtë situatë duhet ose t’i largojë të dy ose t’iu dalë hapur në mbrojtje politike, sepse Tirana mbetet nganjëherë e rrezikshme në reagim elektoral./S.Prulli/

SHKARKO APP