Majori Feka, 4 herë jashtë Shqipërisë në 7 muaj

Majori i ushtrisë shqiptare Sokol Feka, i përfshirë në trafikun e drogës me helikopter nga Maroku drejt Spanjës rezulton të ketë udhëtuar jashtë Shqipërisë 3 herë të tjera prej vitit 2014. Udhëtimi i fundit që i mori jetën, daton më 20 janar, që i bie të jetë udhëtimi i katërt në harkun kohor të një viti jashtë vendi, ndërsa tre udhëtimet e tjera janë kryer brenda vitit 2014.

Mësohet se në një nga lëvizjet jashtë vendit Feka ka shkuar për kurs trajnimi së bashku me disa kolegë dhe 2 herë të tjera për turizëm me qëndrim të shkurtër drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes Feka kishte marrë lejen e zakonshme nga 12 deri në 31 janar të këtij vitit, ndërsa është larguar jashtë vendit pa marrë leje. Sipas të dhënave të siguruara nga A1Report rezulton se majori, një prej emrave elitë të pilotimit të Forcave të Armatosura, të ketë dalë jashtë Shqipërisë për herë të fundit më 20 janar nga aeroporti i Rinasit, transmeton A1 Report.

Hyrje/daljet e pilotit Sokol Feka

Sokol Feka ka dalë më 15 Qershor 2014, ka hyrë në 23 Korrik 2014

Sokol Feka ka dalë më 21.09.2014, ka hyrë më 30.09.2014

Sokol Feka ka dalë më 16.11.2014, ka hyrë më 20.12.2014

Sokol Feka për herë të fundit ka dalë nga Shqipëria më 20 Janar 2015

Piloti i Forcave të Armatosura me eksperiencë prej 18 vitesh humbi jetën 3 ditë më parë teksa drejtonte një helikopter të paregjistruar nga Maroku drejt Spanjës të ngarkuar me 1 ton hashash. Sipas autoriteteve spanjolle helikopteri u rrëzua pas përplasjes me një shtyllë elektrike, për t’iu shmangur ndjekjes nga garda spanjolle. Me Fekën udhëtonte dhe një person tjetër identiteti i të cilit ende nuk është bërë publik, teksa dyshohet se ai është një shtetas grek.

Aktualisht në hetime paraprake është përfshirë Policia Ushtarake e cila ka tagrin e kryerjes së hetimeve për ushtarakët e më pas të dhënat e mbledhura do të konkludohen me prokurorinë dhe palën spanjolle për zbardhjen e dinamikës së përfshirjes së Fekës në këtë rrjet trafiku.

Për këtë ngjarje lexoni më tepër: 

Rrëzohet një helikopter me drogë në Spanjë, piloti një Major i Ushtrisë Shqiptare (FOTO/VIDEO)

SHKARKO APP