Mal Berisha në Kosovë: Ju tregoj për Ungjillorin që ja kushtoi jetën Shqipërisë

 “Gjatë studimeve të mija mbi jetën dhe veprën e misionarit të jashtëzakonshëm amerikan, Charles Telford Erickson, unë kam gjetur edhe letrat që ai i ka dërguar Presidentit Woodrow Wilson ku i shpjegon se cilët janë shqiptarët, si dhe përgjigjen fantastike që Presidenti Wilson i kthen delegacionit shqiptar që mori pjesë në Konferencën e Paqes në Paris. Ai thotë se, SHBA-të nuk do të nënshkruajnë kurrë një traktat që copëton Shqipërinë. Dhe ky vendim u bazua në 14 parimet që Presidenti Wilson i paraqiti në këtë Konferencë. Kjo ishte një pikë kthese në historinë e Shqipërisë. Kështu do të thoja se vepra e Protestantëve në Shqipëri ka edhe një vlerë politike përveç të tjerash sepse Shqipëria në atë kohë ishte planifikuar të copëtohej.”

Ky ishte thelbi i një ligjëratë tepër interesante që diplomati dhe studiuesi, z.Mal Berisha, mbajti këto ditë përpara një auditori të përzgjedhur në sallën e Bibliotekës së Kosovës në Prishtinë.

Ky aktivitet ishte pjesë e kremtimeve që u mbajtën në Prishtinë, Tiranë dhe në Korçë me rastin e 200 vjetorit të themelimit të Lëvizjes Protestante në Shqipëri (1816-2016), një lëvizje që i kontribuoi mjaft çështjes shqiptare.

Charles Telford Erickson (1867-1966) veçohet si një nga figurat më emblematike që kjo lëvizje i ka dhënë njerëzimit në përgjithësi dhe Shqipërisë në veçanti dhe kjo është bërë e ditur falë studimeve të gjata që Z. Mal Berisha ka kryer rreth kësaj figurë,  rezultati i të cilave janë 4 vëllime.

 Tepër  elokuent,  z. Mal Berisha shpjegoi në fjalimin e tij se si ra në kontakt me emrin dhe jetën e Erickson shumë vite pasi Shqipëria u bë demokratike.

“Fatkeqësisht  për 50 vite të komunizmit në Shqipëri, Erickson është përmendur veç një herë dhe me një konotacion armiqësor dhe negativ. Në vitet  80-të, në Shqipëri u botua libri “Rreziku Anglo-Amerikan për Shqipërinë”, ku Erickson përmendet personalisht nga ish-diktatori shqiptar, Enver Hoxha me një konotacion shumë negativ”,- z. Mal Berisha tha në fillim të prezantimit të tij.

Por gjërat kanë ndryshuar, nënvizoi ai.

Në vitin 1999, organizata “Vatra” në Boston, organizoi një simpozium ku z. Mal Berisha  u ftua të lexonte një kumtesë rreth kontributit të kësaj organizatë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Gjatë përgatitjes së kësaj kumtese, u ndesha me librin e Dr. Harry Silajxhixh, në atë kohë President i Bosnje-Hercegovinës, i titulluar “Çështja Shqiptare në Arkivat  Amerikane” me të cilin ai kishte mbrojtur doktoraturën. Këtu përmendej emri i Erickson. Që nga ajo kohë, i kam kushtuar jashtëzakonisht shumë rëndësi kësaj teme sepse Charles Telford Erickson është figura më e ndritur midis të gjithë të huajve që kanë kontribuar për Shqipërinë. Dhe e them këtë sepse ai është i vetmi njeri i cili bazuar në principet e tij ungjillore të protestanizmit, sakrifikoi familjen e tij. Ai humbi gruan  në Shqipëri si dhe një nga djemtë e tij”, tha z.Berisha.

Për herë të parë, Erickson erdhi në Shqipëri në 1908. Që  nga ky vit e deri në 1937, herë në Shqipëri dhe herë jashtë saj, ai punoi pa reshtur për Shqipërinë si dhe pjesën e fundit të jetës së tij deri në 1966, ai ja kushtoi vendit tonë.

Ndër ngjarjet kryesore të jetës së Erickson në Shqipëri, Z. Berisha përmendi udhëtimet e tij biblike së bashku me gruan dhe fëmijët që nga Korça në Tiranë e më pas në Elbasan për tu arrestuar në Durrës dhe për t’u dëbuar në dhjetor të 1912 nga Serbët pasi e shpallin armik të Serbisë dhe mik të Shqiptarëve.

“Por nuk i reshti përpjekjet e tij për Shqipërinë. Në 1913, ai ngarkohet nga revista “The Economist” për të shkuar nga Londra në Shqipëri  ku shkruan tre artikuj të jashtëzakonisht për të gjitha barbarizmat që po ndodhnin në Shqipëri dhe në Kosovë,” nënvizoi z. Berisha.

Momenti më final që dëshmon për kontributin dhe përkushtimin e rrallë të Erickson për Shqipërinë është pikërisht pranimi që ai i bën ftesës së Organizatës “VATRA” për t’ju bashkangjitur delegacionit shqiptar që mori pjesë në Konferencën e Paqes në Paris në1919.

“ Për mua personalisht, mbasi kam parë të gjithë dokumentacionin e Erickson-it, mund të them se historia e mbrojtjes së Shqipërisë nga Presidenti i 28-të amerikan, Woodroë Wilson është e lidhur plotësisht me veprën e Erickson. Ai shkon në Paris dhe për 15 ditë rresht e “bombardon” Presidentin Wilson me letra duke i shpjeguar se kush janë shqiptarët ndërsa i tregon edhe për lakmitë e fqinjëve tanë në ato kohëra. Më 25 prill të 1919, gazeta “France-Presse” boton një artikull, i cili citon Presidentin Wilson të deklarojë se SHBA-të nuk do të nënshkruajnë kurrë një traktat që copëton Shqipërinë. Dhe ky vendim u bazua në 14 principet që Presidenti Wilson i paraqiti në Paris”,- tha z. Berisha para të ftuarve.

Gjithashtu, diplomati përmendi edhe faktin se një donacion tepër i vyer prej 10 mijë dollarësh për Shkollën Bujqësore në Kavajë, të ndërtuar nga Erickson, është dhënë në kushte të plota anonimiteti nga Herbert Hoover, Sekretar i Tregtisë për SHBA-në, i cili më vonë u zgjodh Presidenti i 31-të i Amerikës. Pikërisht kjo shkollë vazhdon të funksionojë edhe sot që nga viti 1926.

Në vitin 1931, për kontributin e vyer që kishte dhënë ndaj Shqipërisë, Mbreti Ahmet Zogu e dekoron me Urdhrin e Kalorësit të Skënderbeut  ndërsa në vitin 1937 ai vjen si i ftuar personal i Mbretit Zog për të marrë pjesë në kremtimet e 25 -vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.  Vitet 1937-1941, Erickson i kalon duke ju përkushtuar çështjes shqiptare. Ai frekuenton më së shumti libraritë e Stambollit, të Athinës dhe British Library në Londër. Më pas largohet në Amerikë dhe shkruan 5 libra të përmbledhur në një të vetëm të titulluar “Enigma e Ballkanit”

“Mbretëria e Vogël, por më pas çfarëdo të ndodhë?” është një libër tjetër i Erickson ku ai ka parashikuar ashtu si shumë amerikanë të tjerë katastrofën që ndodhi midis Shqipërisë dhe Italisë për shkak të lakut që Italia i kishte hedhur Shqipërisë me kreditë e shumta që i kishte dhënë, kredi që zor se mund të laheshin.

“Në të gjitha dokumentet që unë kam studiuar për Erickson, rreth 4600 faqe, unë nuk kam gjetur edhe një faqe të vetme ku ai të merret me emra të përveçëm të politikës shqiptare. Gjithmonë ka shkruar se kombi më fisnik dhe më i vjetër i Europës nuk mund të lihej në atë gjendje të mjerueshme siç ishte”, -tha z. Berisha.

Në mbyllje, ai nënvizoi se Erickson i ka dhënë shumë Shqipërisë, por mbi të gjitha ai do të vendoste në krye 56 artikujt që Erickson ka shkruar për shqiptarët që nga periudha ilire.

Berisha e mbylli prezantimin e tij me recitimin e vjershës së Erickson kushtuar figurës së Skënderbeut, vjershë e përkthyer në shqip nga z. Berisha.

Diplomati i shquar Berisha, pas nëntë vitesh punë (2000-2009) në Kosovë dhe një turi shtatë vjeçar, tejet të suksesshëm dhe domethënës si Drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë Konsullore, Drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë Rajonale dhe Iniciativave në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë dhe më pas (2012-1015) Ambasador i RSh në Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe, Irlandës së Veriut dhe Irlandës, gjendet përsëri në Kosovë.  Kësaj radhe në detyrën e Drejtorit Ekzekutiv të Kompanisë prestigjioze të Sigurimeve: SIGAL UNIQA Group Austria – Kosovë.

SHKARKO APP