Mali i Zi, partitë pro-serbe në qeveri kërkojnë ndryshimin e Kushtetutës

Partitë pro-serbe dhe pro-ruse kanë shtuar kërkesat për ndryshimin dhe plotësimin e Kushtetutës së Malit të Zi, posaçërisht tek nenet që kanë të bëjnë me identitetin, siç janë gjuha dhe simbolet shtetërore. Në anën tjetër përfaqësuesit e opozitës malazeze vlerësojnë se këto kërkesa janë në vazhdën e ideologjisë së “botës serbe” dhe në shërbim të politikës nacionaliste të Beogradit.

Partitë politike pro-ruse dhe pro-serbe, të cilat në korrik u përfshinë në qeverinë e riorganizuar malazeze, këto ditë po përsërisin kërkesën për ndryshimin dhe plotësimin e Kushtetutës së Malit të Zi.

Ky ndryshim, sipas tyre, duhet të bëhet me plotësimin e dispozitave që ndryshojnë statusin e gjuhës serbe dhe të disa simboleve shtetërore në Malin e Zi.

Kryetari i parlamentit. Andrija Mandiç tha se “pas daljes së rezultateve të regjistrimit të popullësisë do të këmbëngulim që të ketë një ndryshim në Kushtetutë ku gjuha serbe të barazohet me gjuhën malazeze”.

Partitë pro-ruse dhe pro-serbe besojnë se rezultati i regjistrimit do të tregojë se gjuha serbe përfaqësohet nga shumica e popullsisë në Malin e Zi, ku sipas tyre, “gjuha serbe duhet të jetë gjuhë zyrtare dhe jo si më parë gjuhë në përdorim zyrtar”.

Megjithatë, në dhjetor të vitit të kaluar në Mal të Zi është bërë regjistrimi i popullsisë, rezultatet e të cilit ende nuk janë shpallur.

Në këtë kuadër opozita malazeze kundërshton ashpër propozimin për ndryshimin dhe plotësimin e kushtetutës, posaçërisht në pjesët që ka të bëjnë me çështjet identitare.

Përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Socialistëve të ish-presidentit Milo Gjukanoviç pretendojnë se “kërkesat e partive pro-serbe në Mal të Zi janë në vazhdën e ideologjisë së ‘botës serbe’ që ka për qëllim konfrontimin me shtetet fqinje në rajon”.

Kryetari i kësaj partie Danijel Zhivkoviç tha se “është tejet e ulët dhe antishtetërore veprimet e partive pro-serbe, të cilat vazhdojnë ti përshtaten politikës nacionaliste dhe shoviniste të Beogradit”.

Megjithatë opozita vlerëson se metoda e ndryshimit të Kushtetutës së Malit të Zi është shumë komplekse dhe kërkon një nivel të lartë pëlqimi nga qytetarët dhe parlamenti.

Për të ndryshuar pjesën e Kushtetutës që i referohet gjuhës dhe simboleve shtetërore, si flamuri dhe himni kombëtar, është e nevojshme mbështetja e dy të tretave nga deputetët.

Sidoqoftë, kërkesat janë ritheksuar në 4 vjetorin e fitores së partive pro-serbe dhe aleatëve të tyre ndaj pushtetit më se 30 vjeçar të partisë së ish presidentit Milo Gjukanoviç.

Kjo shumicë solli krizës politike dhe institucionale dhe që nga dhjetori vitit 2021 Mali i Zi nuk ka pasur një përparim të dukshëm me BE-në, për shkak të ngecjeve në reformat e nevojshme për procesin e anëtarësimit.

Mali i Zi, një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, u bë pjesë e NATO-s në vitin 2017, mes kundërshtimit të Rusisë dhe pakënaqësisë së Beogradit.

VOA

 

SHKARKO APP