Mamografia e lëvizshme pranë grave të komunitetit rom në Fier, ministrja Koçiu: Përfitoni nga shërbimi falas
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale po vijon fushatën e ndërgjegjësimit në të gjithë vendin me moton “Duaje veten”, për kryerjen e kontrollit të mamografisë, me qëllim parandalimin e kancerit të gjirit. Për të gjitha ato gra të cilat nuk kanë mundësi të shkojnë tek mjeku apo pranë një qendre shëndetësore, këtë vit prioritet i është dhënë dërgimi i njësive të lëvizshme të mamografisë në zonat rurale dhe të largëta.
Njësia e lëvizshme e mamografisë sot ndaloi në fshatin Drizë, në Njësinë Administrative Qendër, të Bashkisë Fier, me përqendrimin të lartë të komunitetit rom, për të kryer mamografinë grave e nënave të komunitetit rom.
Ato e falënderuan ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu e cila mundësoi për herë të parë kryerjen e vizitave pranë vendbanimit të tyre. Për ministren është tejet e rëndësishme që çdo grua që nuk ka mundësi, të ketë akses të drejtpërdrejtë për të kryer momografinë.
Gjatë bashkëbisedimit Koçiu u foli për domosdoshmërinë e kryerjes së kontrollit periodik dhe diagnostikimin e hershëm të kancerit të gjirit. Ajo tha se jo vetëm gjatë këtij muaji, por edhe çdo ditë të vitit gratë dhe vajzat mund të kryejnë falas ekzaminimet për kancerin e gjirit pranë çdo spitali publik dhe qendrave shëndetësore. “Rëndësi ka që ju të kujdeseni për veten, se ndryshe nuk kujdeseni dot për familjen dhe komunitetin tuaj”, u shpreh ministrja.